Çmimi i naftës nuk ndal, dje arriti 162 lekë
Çmimi i naftës vazhdon të çmendet në vend. Një litër naftë në disa pika të shitjes me pakicë, dje në kryeqytet është tregtuar me 162 lekë. Vetëm brenda dy javëve, çmimi i arit të zi në vend ka pasur shumë luhatje me tendenca rritëse. Nga vëzhgimi i gazetës “MAPO”, ka rezultuar se në pika të ndryshme karburanti në kryeqytet ka rezultuar nga 148 lekë/litër, deri në 162 lekë/litër, ku shënon çmimin më të lartë të këtij produkti. Gjithashtu, nga vëzhgimet e këtyre dy javëve është vënë re se në momentin e rritjes së çmimit të naftës, tregtarët kanë hequr edhe tabelat informuese, duke e pasur më të lehtë të gënjejnë për çmimin. Në këtë mënyrë, ari i zi në vend nuk njeh një çmim të unifikuar dhe tregu për këtë produkt nuk është ende i qëndrueshëm. Tregtarët e shpjegojnë çmimin e lartë të naftës në vend, me ndikimin që ka bursa ndërkombëtare në tregun e brendshëm. Duke pasur si referencë agjencinë e lajmeve ekonomike “Bloomberg”, dje një fuçi nafte është shitur me 91.54 dollarë, duke shënuar 0.15% nivel rritje, në krahasim me ditën paraardhëse. Ndërkohë që ndikimi në tregun tonë të brendshëm është shumë i madh, duke rezultuar me çmime stratosferike të naftës. Në të njëjtën kohë, disa nga tregtarët e karburantit në vend, çmimet e larta dhe të paunifikuara të naftës, që kanë rezultuar dy javët e fundit, shpjegohen me rritjen e çmimit në bursën italiane, të cilës i referohet tregu ynë i brendshëm. Sipas tregtarëve që shesin këtë produkt me shumicë, dy javët e fundit, ky produkt në bursën italiane ka njohur rritje dhe si rrjedhojë ka reflektuar edhe në tregun e brendshëm. Ndërsa ekspertët e ekonomisë e argumentojnë rritjen e çmimit të arit të zi me një sërë faktorësh të tjerë, që nga luhatjet e kursit të këmbimit valutor, taksat portuale, të cilat në vendin tonë janë më të shtrenjtat në rajon, taksat e shtetit dhe ato vendore. Por ata nuk mohojnë abuzimin, si me çmimin edhe me litrat e karburantit, që janë një shqetësim i vazhdueshëm për konsumatorin shqiptar. Çmimi i naftës në 2010 është shitur me 132 lekë, duke pësuar një rritje graduale. Në muajin maj, ky produkt ka shënuar një rritje të menjëhershme në çmimit shkoi 147 lekë për litër, kohë kjo kur çmimi në bursa iu afrua 90 dollarëve për fuçi. Ndërsa janari 2011 e gjen arin e zi në vend me një çmim më të shtrenjtin, që është shënuar ndonjëherë vitin e fundit, prej 162 lekë.