E Diel, 1 Nëntor 2026

Kursi i këmbimit i paqëndrueshëm, dollari humb sërish pikë

SHKRUAN: Sabina Veizaj 17-01-2011 11:08

Tregu i brendshëm po reflekton prej pak muajsh një kurs këmbimi valutor të paqëndrueshëm, duke pasur një monedhë kombëtare jo të fortë, në krahasim me monedhat e tjera të huaja. Dollari amerikan ka pësuar një nënvlerësim të menjëhershëm në tregun vendas. Dje monedha jeshile është tregtuar me 103, 46 lekë, nga 105 lekë dy ditë më parë. Ndërsa euro është këmbyer dje në tregun vendas me 138, 40. Monedha europiane javën e fundit, sipas agjencive të këmbimit valutor në kryeqytet, nuk ka pasur luhatje të theksuara. Sipas agjentëve valutorë, është tregu ndërkombëtar që reflektohet në atë vendas dhe gjithashtu kërkesa e brendshme orienton kurbën e ofertës për monedhë të huaj. Sipas agjencisë së lajmeve ekonomike Bloomberg, dje euro është këmbyer me 1.3388, duke shënuar një rritje me 0.18% të monedhës europiane. Kurba e luhatjes së këmbimit valutor në vend, ka nisur që në fund të vitit që lamë pas. Monedha europiane nisi të forcohej ndjeshëm, duke arritur të tregtohej me 140 lekë në prag të liberalizimit të vizave me vendet e Bashkimit Europian. Kjo ndodhi pasi tregtarët valutorë mblodhën monedhën europiane javë më përpara se të liberalizoheshin vizat, duke sjellë tregtimin e saj më shtrenjtë. Ndërsa pas datës 15, monedha europiane nisi të nënvlerësohej ndjeshëm, duke u shpjeguar nga agjentët valutorë me kërkesën e paktë për këtë monedhë, pasi nuk kishte fluks personash që iu drejtuan vendeve të BE-së. Ndërsa me ardhjen e emigrantëve për festat e fundvitit, kërkesa për monedhën vendase u rrit duke sjellë edhe nënvlerësimin e monedhës europiane dhe forcimin e lehtë të monedhës kombëtare, lekë. Agjentët valutorë, duke u nisur nga surpriza e fluksit të emigrantëve për festat në vend, thanë se pritet që euro të bjerë ende në vlerë, deri në ditët e para të janarit, kur largohen emigrantët në vendet e tyre të punës jashtë kufijve. Ata parashikuan që në ditët në vazhdim, euro të këmbehej nën 138 lekë. Sipas ekspertëve me këtë fenomen, monedha kombëtare lek, do të forcohej dhe kursi i këmbimit do të arrinte qëndrueshmërinë e pritshme. Por monedha europiane u forcua sërish, duke u shitur me mbi 138 lekë. Ndërsa dollari amerikan u forcua dhe ai duke u tregtuar me 105 lekë. Ndërsa kursi i këmbimit valutor vazhdon të jetë i paqëndrueshëm, ekspertët e shpjegojnë këtë paqëndrueshmëri zinxhir me fenomenet e ndodhura përgjatë kësaj periudhe, si liberalizimin e vizave, ardhjen dhe largimin e emigrantëve e gjithashtu edhe ndikimi i tregut ndërkombëtar. Megjithatë, sipas tyre, fundi i janarit do të stabilizojë tregun valutor vendas, duke forcuar monedhën kombëtare, lek.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›