Për një shërbim shëndetësor afër komunitetit
Nga Muharrem Murati*
Teorikisht ne shprehemi se duam t’i afrohemi Evropës përsa i përket shërbimit shëndetësor, por praktikisht ne po i largohemi asaj. Ka kohë që nëpër media ata që merren me përcaktimin e politikave të kësaj fushe shprehen se shërbimi mjekësor do të centralizohet në qendra të rëndësishme urbane,sepse kështu rritet cilësia e shërbimit. Spitali i Gramshit ka një kapacitet prej 120 shtretër me një shfrytëzim prej 50%, me një personel të specializuar prej 12 mjekësh me përvojë pune, si dhe personel mjekësor të kualifikuar; dhe për nga këta tregues renditet si të gjithë spitalet e Republikës. Shteti ka investuar për këtë institucion shuma të mëdha parash. Vetëm para dy vjetësh u bë inagurimi i radio-skopisë televizive me një vlerë 150.000 dollarë, e pajisur me aparaturat e domosdoshme mjekësore në funksion të të sëmurëve. Aktiviteti i spitalit është i qëndrueshëm. Ne u shërbejmë 40.000 banorëve. Gjatë vitit shtrohen mesatarisht 3500 të sëmurë. Bëhen 500 ndërhyrje kirurgjikale. Së bashku me shtëpinë e lindjes vetëm tre vitet e fundit kanë lindur në maternitetin e Gramshit 1560 gra me vdekshmëri amtare dhe të fëmijëve të sapolindur me 0%. Mendimet që hidhen nga personalitete që paskan parë botën gjithandej dhe nuk dinë ku është Gramshi flasin vetëm me gjuhën e standardeve dhe të cilësisë, duke iu referuar modeleve evropiane te rajonalizimit te këtyre institucioneve shëndetësore duhet te marrin parasysh edhe infrastrukturën e qyteteve te cilat preken nga ky proces. Me te drejte me lind pyetja: Çfarë do të ndodhë më pas me një të sëmurë rëndë që vjen nga zonat e thella të këtij rrethi dhe do rreth 3 ore të arrijë në spitalin më të afërt, që është ky i Gramshit? Atëherë të nderuar pushtetarë dhe drejtues të Institucioneve Shëndetësore (përfshirë këtu edhe Z. Ministër) ju ftojmë të vini në spitalin tonë dhe të shihni nga afër shërbimin. Sigurisht që ne nuk jemi të përkryer, por nivelin e shërbimit përpiqemi ta rrisim me kërkesat e kohës. Gramshi për nga pozicioni i tij gjeografik ka veçoritë e tij. Nuk mund të vëmë në balancë spitalet homologe si të Peqinit, Librazhdit e ndonjë tjetër që janë shumë afër spitaleve rajonale. Flitet shumë për këto të fundit. Nuk anashkalojmë aspak kontributin e tyre mjekësor, por ne nuk prekim ndonjë gjë të veçantë me shërbimin tonë, me përjashtim të otorinos dhe okulistikës. Në kuadër të reformimit dhe ne ecim në këtë rrugë ku po synojmë që në spital personeli i infermierëve të jetë me arsim të lartë. Mbase ka vend për reforma, por edhe kjo duhet parë me kujdes. Spitali i Gramshit nuk duhet në asnjë mënyrë që të transformohet në qendër shëndetësore, së pari për arsyet e mësipërme, por edhe sepse në rrethin tonë do të ndërtohen disa hidrocentrale dhe do të zbatohen disa projekte për zhvillimin e turizmit, gjë që e kthen atë në një zonë të rëndësishme industriale.
*Shef i Shërbimit Spitalor Gramsh
28 Mars 2008