Na duhet një “predhë” për Sali Berishën
Spartak BRAHO
Mars 2008 ora 12.15. VORE–GËRDEC-TIRANË-SHQIPËRI. Mijëra predha
luftarake të kalibrit të lehtë dhe të rëndë (një specialist ushtarak dëshmon edhe për raketa tokë-ajër) shpërthejnë me fuqinë dhe imazhin e një bombe atomike….. Mijëra të tjera ende të pashpërthyera jo vetëm në kraterin e Gërdecit……
27 mars 2008 ora 6.00 NEW YORK Times WASHINGTON.USA. Një “Predhë” e kalibrit të rëndë e graduar për Shqipërinë ka goditur Sali Berishën. Tashmë ai ka rënë i copëtuar së bashku me qeverinë e tij, politikisht dhe moralisht. Një tjetër dënim i pret …. Së afërmi. Ky është prologu dhe epilogu i qeverisë së SALI BERISHËS. Po çfarë ndodhi dhe po ndodh realisht? Janë vrarë me dashje mbi 24 qytetarë, janë plagosur me qindra të tjerë dhe dëmi llogaritet qindra milionë euro. BERISHA po bën tentativa për t’ju fshehur krimin për të manipuluar apo zhdukur provat po kërcënon popullin, opozitën, median. Tre arrestimet e atyre që vetëm hapin ciklin kriminal, të biznesit vrasës, apo bishta të kartelit mafioz “COSA-NOSTRA-BERISHA” që përgatiti, realizoi këtë tragjedi kombëtare, deri tani janë qesharake. Janë të pamjaftueshme edhe
“ftesat” për të thirrur FBI–në në ndihmë të hetimit nga zonja Prokurore e Përgjithshme. FBI-ja, CIA, PENTAGONI, Qeveria Amerikane apo Ambasada kanë kohë dhe tashmë janë shprehur se do të veprojnë, pasi s’kanë më durim të shikojnë “marifetet” e “COSA- NOSTRËS” Shqiptare të tregtisë së armëve, me në krye SALI BERISHËN. Çështja është pse nuk veprojnë me shpejtësi, por edhe me kujdes organet tona të gjurmim–hetimit, kur krimi është i rëndë dhe pasojat janë flagrante, kur tashmë dihen edhe autorët? Kemi parë të dorëzuar vetëm Ministrin e Mbrojtjes, i cili e ka kuptuar situatën në të cilën ndodhet. Ai e kuptoi se edhe Kryeministri e “shiti”, por ndërkohë hierarkët e lartë të ushtrisë po deponojnë kundër Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes. Dihej që mbrojtja dhe siguria e vendit, armatosja apo çarmatosja, militarizimi apo çmilitarizimi dhe të gjitha aktivitetet që zhvillohen në këtë kuadër e në këtë funksion janë monopol i vetëm i shtetit. Po ashtu dihet se Presidenti si komandant i përgjithshëm, dhe Kryeministri si i ngarkuar direkt me drejtimin e tyre, së bashku me Ministrin e Mbrojtjes kanë për detyrë të monitorojnë çdo gjë në fushën e Mbrojtjes. Është e normuar me ligj shit-blerja, tregtimi, marrëveshjet, transaksionet, lëvizjet, vendosja, zhvendosja, ruajtja, përqendrimi, apo mënyra e përdorimit, të armëve dhe municioneve, pra krejt inventari i kësaj pasurie shtetërore, apo më tepër edhe një proces i rrezikshëm si ai i çmontimit të armatimit, që janë procese që zhvillohen me patjetër nën kontrollin e strukturave të specializuara të ushtrisë. Për këto procedura ligjore që u hartuan me paramendim, por që nuk u zbatuan kurrë po hetohet, por një gjë dihet me siguri se ai e rendon BERISHËN dhe maxhorancën e tij. BERISHA justifikohet se për të realizuar aferat e trafikimit ai nxori edhe një VKM në 15/3/2007 ku parashikoi rregulla të posaçme. Në fakt ky vendim i parapriu veprimeve kriminale të mëpasshme, pasi ai dhe strukturat e tij asnjëherë nuk kontrolluan zbatimin e tij. Por ky vendim që kërkon të mbrohet BERISHA është kallp, pasi ligji që doli pas tij “Për transaksionet e armatimeve“ e shfuqizoi atë, por qeveria tërë këto funksione ja la në dorë disa kompanive private vendase dhe të huaja të dyshimta dhe mafioze që siç rezulton nga deklaratat e djeshme të PENTAGONIT kanë qenë të pamiratuara prej tij. Kështu që rezultojnë letra higjenike kontratat që ka lidhur qeveria e BERISHËS me to, dhe jo ashtu siç u shpreh BERISHA në Kuvend. Shkrimi i NEË YORK TIMES. Tashmë është zbuluar qëllimi kriminal. Ai është realizimi i aferave korruptive për shit-blerje armësh apo skrapi. Një radhë e tërë shtetarësh, politikanësh, zyrtarësh, partish me në krye SALI BERISHËN Kryeministër më e pakta janë përzier direkt apo me mosveprime në këtë krim shtetëror, pasi mafia familjare “BERISHA” është një me qeverinë dhe në rastin konkret i është imponuar asaj.
Deri tani në daljet publike si edhe në Kuvendin e Shqipërisë, BERISHA ka pranuar atë pjesë të krimit që lidhet me mosveprimin e tij, me neglizhencën, me formën e padijenisë etj….. Qoftë dhe kaq, asnjë shtetar serioz nuk mund të justifikohet se nuk njeh Kushtetutën, se nuk njeh ligjet, se nuk njeh urdhrat apo udhëzimet, se “ja kanë fajin të tjerët, paraardhësit“ etj.
Një kryeministri serioz nuk i lejohet të shkelë Kushtetutën nga pakujdesia, se nuk e njeh atë dhe ligjet. Në çdo rast, me dashje apo nga pakujdesia, kur ai i shkel ato, shpërdoron detyrën pasi nuk ka ushtruar funksionet për të cilat është ngarkuar t’i kryejë. Qoftë edhe për kaq, kur këto shkelje apo shpërdorime të detyrës nuk kanë sjellë pasoja, më e padiskutueshme është largimi dhe dorëheqja nga detyra e funksionet.
Por ngjarjet e Gërdecit dhe pasojat e rënda tragjike që lidhen me to, rrjedhojë e këtyre shkeljeve të rënda në ushtrimin e detyrës dhe funksioneve, nuk kalohen me dorëheqje. S’ka imunitet politik apo ligjor që ti mbrojë ato, as Kryeministrin e as disa ministra të tij. Por cila është akuza që rëndon mbi Berishën Kryeministër (themi sot, pasi nuk e dimë çdo dalë nesër). Berisha nuk mund të përgjigjet për ato akuza që ka ngritur Prokuroria për Pinarin, Delijorgjin etj, “për shkelje të rregullave të trajtimit të municioneve“. Ai duhet të përgjigjet për strukturimin e një grupi tjetër kriminal, (themi tjetër pasi më duket se po harrojmë grupin e strukturuar të ministrit Basha). Ai do përgjigjet dhe duhet të përgjigjet për shkelje të rëndë të Kushtetutës, të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave“, “Për forcat e armatosura”, “Për strategjinë e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare” etj, duke shpërdoruar rëndë detyrën si Kryeministër, pasi ato kanë sjellë pasoja të rënda tragjike, ndër të cilat vrasje masive të shtetasve, humbjet materiale të pasurisë së tyre dhe pasurisë shtetërore.
Neni 169/1 i Kushtetutës së Shqipërisë e ngarkon Kryeministrin dhe Ministrin e Mbrojtjes të ushtrojë drejtimin direkt të Forcave të Armatosura, detyrë kjo e deleguar në kohë paqeje për ta nga Presidenti i Republikës.
Neni 102 i Kushtetutës e ngarkon Kryeministrin të sigurojë zbatimin e legjislacionit dhe të politikave të miratuara nga Këshilli i Ministrave si dhe të sigurojë çdo hallkë të punës së ministrave dhe të gjitha institucioneve.
Edhe ligjet funksionale të Këshillit të Ministrave, Forcave të Armatosura, të strategjisë ushtarake, e ngarkojnë Kryeministrin me detyra specifike në fushën e organizimit dhe kontrollit të veprimtarisë së strukturave ushtarake. Por a i ka zbatuar Berisha këto detyrime kushtetuese dhe ligjore? Analiza e deritanishme padyshim që thotë, jo. Këtë fakt ai e ka pohuar vetë. Çështja është se Berisha është problematik e i rrezikshëm nga pikëpamja ligjore, se ai po përpiqet ta shpërndajë përgjegjësinë e këtij
krimi dhe pasojat që rrjedhin prej tij. Ai justifikohet me padijeninë e paditurinë e tij, për mosfunksionimin e strukturave vartëse të tij etj, etj. Apologjia e tij justifikuese fsheh dhe tendencën për të zvogëluar përgjegjësinë e tij e për të bërë presion për të manipuluar provat. Është e domosdoshme që Prokuroria të mos merret vetëm me “çirakët”. Berisha është ustai i madh i tyre. Ai duhet shpallur person nën hetim, sepse vetëm ligji do ta pastrojë politikën dhe qeverisjen megakorruptive të tij. Kohët kanë ndryshuar, po ashtu edhe rrethanat. Berishën nuk e shpëton dot tani as ndonjë amnisti e sajuar si ajo e viti 1997, as tulatjet e opozitës nga hakërrimat e shantazhet, as Zoti vetë. Populli ka sy në ballë dhe i ka kuptuar të gjitha.
Ndaj ai e ka “ruajtur një predhë”, për ta goditur Sali Berishën dhe ata që i venë pas.
28 Mars 2008