E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, beso e kontrollo me Greqinë

Brukseli ok me planin për buxhetin, por do të monitorojë çdo hap
Komisioni Europian ka bërë të ditur dje se e mbështet plotësisht qeverinë greke  në planin e sapopublikuar për reduktimin e  deficitit buxhetor, por ndërkohë theksoi se programi në fjalë do t’i nënshtrohej një vëzhgimi shumë strikt për t’u siguruar në lidhje me arritjen e objektivave. Aktualisht, Greqia duhet të verë menjëherë në zbatim planin e saj për të reduktuar me shpejtësi një deficit që është 4 herë më i lartë se standardet e pranuara të Bashkimit Europian. Sipas BE-së, programi është shumë ambicioz, është në përputhje me këshillat e BE-së dhe mbi të gjitha duket një plan shumë i mundshëm dhe i realizueshëm pavarësisht vështirësive të mëdha. Nga ana tjetër, realizimi i një programi të tillë nuk është i lehtë dhe ndaj kërkon mbështetje dhe vëzhgim të pandërprerë dhe skrupuloz. Kjo për shkak se ulja e borxhit kërkon një sforco të madhe dhe ka një kosto të madhe politike dhe ekonomike, njëherazi. Sipas tij, zyrtarët e BE-së do të monitorojnë me shumë kujdes të gjithë hapat e programit grek dhe do të kërkojnë veprime shtesë në rast se ai nuk do të jetë në udhën e duhur për arritjen e objektivave. Ministrat e Ekonomisë të Bashkimit Europian do të takohen 16 shkurtin e ardhshëm dhe nëse do të bihet dakord për të gjitha rekomandimet do të vendosen afate të reja për Greqinë në mënyrë që të raportojë për arritjet hap pas hapi. çështja është edhe se Greqia për shkak të mashtrimit që i bëri Brukselit në rastin e disa të dhënave statistikore ka shkaktuar mosbesim dhe ky është një nga shkaqet e këtij monitorimi shumë të vëmendshëm dhe skrupuloz nga ana e Brukselit. Aktualisht, Greqia po përballet me krizën më të rëndë ekonomike që pas bashkimit me eurozonën në vitin 2001. Ajo ka një nga ekonomitë më të vogla në Bashkimin Europian. Në këndvështrimin afatgjatë plani i reduktimit të deficitit parashikon uljen e tij nga shifra 12.7% që është aktualisht në shifrën 3% në vitin 2012, por ndërkohë në Bruksel të shumtë janë ata që ushqejnë mosbesim. Ndërkohë, në Eurozonë ka ende ekonomi të tjera, të cilat janë në pozicion të vështirë dhe që në këto momente i kanë sytë te mënyra sesi Brukseli po trajton Greqinë. Ato janë Spanja, Irlanda e ndonjë vend baltik. Ekonomitë e tyre vuajnë nga e njëjta simptomë ajo e Greqisë dhe ndoshta në një të ardhme shumë të afërt do të detyrohen që të marrin të njëjtat masa me ato të Greqisë. Nga ana e tij, Kryeministri i Greqisë, Papandreu, u ka  bërë thirrje bashkatdhetarëve që ta mbështesin në këtë përpjekje të vështirë që do të dojë bashkëpunimin e të gjithëve.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›