E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE: Partitë politike të përshpejtojnë me reformën zgjedhore

Kreu i Prezencës së OSBE-së, në Tiranë, Robert Bosch, deklaroi dje se OSBE mirëpret shtyrjen e mandatit të Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe nxit partitë politike të punojnë së bashku për
të çuar përpara reformën zgjedhore në vend. Ai vuri në dukje gjithashtu se Prezenca e OSBE-së e sheh me keqardhje faktin që deri tani nuk është arritur asnjë rezultat konkret në reformën zgjedhore. “Ne presim që, pa humbur më tepër kohë, të gjitha partitë politike të përfshihen e të kryejnë të gjitha ndryshimet ligjore në përputhje me angazhimet e Shqipërisë si anëtare e OSBE-së, dhe rekomandimet e Raportit Përfundimtar të Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR-it si dhe me analizat ligjore të përbashkëta të përgatitura me Komisionin e Venecias të Këshillit të Evropës të viteve 2004 e 2007, si dhe standardet e tjera ndërkombëtare për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike”, tha Ambasadori Bosch. Ai shtoi më tej se “ne presim që të shohim që autoritetet shqiptare të paraqesin përmirësime të mëtejshme në legjislacionin zgjedhor në një mënyrë përfshirëse dhe transparente”. Ambasadori i Prezencës së OSBE-së, në Tiranë Robert Bosch, nënvizoi se OSBE-ja qëndron e gatshme të kontribuojë në procesin e reformës zgjedhore duke fasilituar dhe ofruar ekspertizë sipas kërkesave. “Zbatimi i reformës zgjedhore në përputhje më standardet ndërkombëtare është një parakusht për integrimin e Shqipërisë në strukturat Euro-Atlantike”, tha më tej ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›