E Shtunë, 31 Tetor 2026

2,5 përqindëshi fut në krizë satelitët e Edvinit

Sistemi elektoral është bërë objekt reagimesh ndërmjet partive të vogla opozitare, të cilët kundërshtojnë njëri-tjetrin. Kryetari i PAD- së, Neritan Ceka dhe nënkryetari i PSD-së, Engjëll Bejtaj, reaguan ndaj qëndrimit të LSI-së, e cila ka bërë me dije se mbështet një sistem të pastër proporcional. Në këtë drejtim, nënkryetari i PSD-së, Engjëll Bejtaj, tha se “për këtë çështje ende nuk është marrë ndonjë vendim, dhe se sistemi gjerman, për të cilin janë shprehur partitë e vogla, është një sistem proporcional, madje proporcional gati i pastër”. “Përveçse krijon përshtypjen e një mazhoritari përsa i përket 70 zonave, përsëri ai është tërësisht i korrektueshëm në planin proporcional”, theksoi ai. Përsa i takon qëndrimit të LSI-së, Bejtaj theksoi se “ka qenë një deklaratë në kuadër të përfshirjes së grave në politikë, për t’u dhënë mundësi atyre që të kenë përfshirje në parlament”. Ai vuri në dukje gjithashtu se “PSD nuk ka kundërshtuar në asnjë rast një proporcional të pastër, por vlerëson se për mentalitetin shqiptar elektorati ka ende nevojë të ketë një referencë përsa i takon një zone të caktuar, ku votuesit duan të dinë se kush do të jetë deputeti i tyre. Këtë mundësi proporcionali i pastër nuk e krijon, kurse ai gjerman po”, shtoi ai. Ndërsa kryetari i PAD-së, Ceka, tha se “sistemi elektoral i zgjedhur nga partitë e vogla është një sistem i pastër proporcional, ndërsa modeli është një proporcional i personalizuar”. “Lidhur me propozimin e LSI-së nuk shoh ndonjë kontradiktë dhe në fakt ky model i saj zgjidh edhe kërkesën kryesore të kësaj partie, që është dhe pikënisje e reformës, eliminimi i ‘Dushkut’”, vuri në dukje Ceka. Kryetari i PAD-së theksoi se “çdo parti merr aq vende në parlament sa vota ka, dhe nga ana tjetër njehsohet vota e subjektit me votën e kandidatit”. “Pra, nuk ka asnjë mundësi të bëhet ‘Dushku’, ndërkohë që të gjitha partitë futen në garë pa aleatë dhe aleancat bëhen pas zgjedhjeve”, nënvizoi ai.
LSI, preferon aplikimin e një sistemi të pastër proporcional/Lëvizja Socialiste për Integrim ka shprehur dje se mbështet një sistem zgjedhor tërësisht proporcional të pastër. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, deklaroi dje, se sistemi proporcional i pastër zgjidh në mënyrë të plotë veçanërisht dy çështje të mëdha të përfaqësimit; atë të votës së emigranteve dhe një përfaqësim më të gjerë të grave dhe eliminon fenomenin e Dushkut. Vasili vuri në dukje se “ne kemi qenë dhe jemi të hapur dhe për sisteme të tjera, të cilët mund të ndihmojnë në kapërcimin e problemeve të deritanishme”. Ndërsa duke ndalur edhe në atë që ka këruar vetë kreu i LSI-së për përfaqësimin e grave në parlament, Vasili shtoi se “kjo barazi e garantuar në parlament do të siguronte edhe një përfaqësim të tillë edhe në qeverisje, në të gjitha nivelet, duke i dhënë fund diskriminimit të pavend të grave dhe përfaqësimit të papërfillshëm të tyre në drejtimin e vendit”. “Sistemi proporcional i pastër do të rrisë cilësinë e parlamentit dhe të bërjes së ligjeve. Megjithatë LSI thekson se çështja e sistemit zgjedhor është produkt i një konsensusi sa më të gjerë, i cili nuk duhet të vonojë dhe që duhet të vërë në themel të tij interesat e vendit dhe qëndrueshmërisë së tij përpara interesave të ngushta partiake dhe personale”, shtoi më tej ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›