Kryeministri Berisha: Një Shqipëri pa imunitarë, kusht për një luftë të suksesshme kundër korrupsionit
Kryeministri Berisha mori pjesë sot paradite në Konferencën “Dy vjet nga nënshkrimi i MSA-së – Roli i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, organizuar nga Parlamenti dhe Prezenca e OSBE-së në Tiranë. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, Kryetari i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Ambasadori Helmuth Lohan, Kryetari i Misionit të OSBE-së në Tiranë, Z.Robert Bosch, Kryetari i Partisë Socialiste, z. Edi Rama, deputetë të Kuvendit, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, etj.
Kryeministri Berisha përgëzoi organizatorët e kësaj konference, ndërsa ndau me të pranishmit pikëpamjet e qeverisë shqiptare mbi ecurinë dhe hapat e mëtejshme të projektit madhor të vendit dhe të kombit; integrimit të shpejtë të tij në Bashkimin Europian dhe anëtarësimit të plotë në NATO.
Në Samitin e Bukureshtit, theksoi Kryeministri, vendet anëtare të NATO-s, pas vlerësimit që ju bënë reformave dhe arritjeve të prekshme dhe të konsoliduara gjatë këtyre viteve në Shqipëri, i votëbesuan ato me unanimitet dhe vendosën të hapin bisedimet dhe negociatat me Shqipërinë, me qëllim anëtarësimin e saj të plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. “Kjo përbën një mrekulli dhe kjo është mrekullia e lirisë”, tha Kryeministri.
Kryeministri theksoi se reforma shumë të rëndësishme dhe vendimtare për integrimin e vendit mbeten reforma elektorale dhe reforma në sistemin e drejtësisë. Ai vuri në dukje se “qeveria dhe opozita kanë marrë përgjegjësi të mëdha për një reformë të thellë elektorale, në një klimë ku të dy forcat kryesore politike dhe të tjerë aleatë të tyre, dëshmuan një vullnet të hekurt për të vendosur një sistem zgjedhor të lirë dhe të ndershëm”.
Kryeministri u ndal edhe në nismën e mazhorancës për heqjen e imunitetit të zyrtarëve. “Heqja e imunitetit të zyrtarëve, një Shqipëri pa imunitarë, do të përbënte një kusht për një luftë të suksesshme kundër korrupsionit”, vijoi Kryeministri, duke nënvizuar se ky proces “duhet të jetë çështje e një konsensusi dhe vullneti të vërtetë të palëve”.
“Ky është një standard ndaj të cilit duhet të përkulemi që të gjithë. Për çështje politike do të ketë gjithnjë imunitet, heqja dorë nga imuniteti për çështje jo politike përbën një zhvillim shumë të madh edhe për drejtësinë shqiptare, e cila nuk do të përballet me dhunën e imunitetit në ushtrimit e detyrës dhe funksionit dhe do të bëhet më e pavarur në funksionimin e saj”, tha Kryeministri.
Në fjalën e tij, ndër të tjera, Kryeministri u shpreh:
“Është nder dhe kënaqësi e veçantë të marr pjesë sot në këtë panel të rëndësishëm dhe t’i drejtohem kësaj audience të mrekullueshme, duke ndarë me të pikëpamjet e qeverisë shqiptare mbi ecurinë dhe hapat e mëtejshme të projektit madhor të vendit dhe të kombit; integrimit të shpejtë të tij në Bashkimin Evropian, anëtarësimit të plotë në NATO, në Aleancën më të madhe të lirisë që kohërat kanë njohur.
Dua me këtë rast të falënderoj Parlamentin, Kryetarin e Misionit të OSBE-së, ambasadorin Robert Bosch, organizatorët e këtij takimi dhe t’i shpreh mirënjohjen misionit të OSBE-së, për kontributin që ka dhënë gjatë këtyre viteve në Shqipëri.
Më lejoni të theksoj se ky panel vjen në një moment kohor shumë të rëndësishëm me komunitetin evropian dhe euroatlantik. Një muaj më parë më 3 prill shqiptarët përjetuan një ngjarje historike që nga përmasat dhe rëndësia qëndron në majën më të lartë të momenteve kulmore që ka përjetuar Shqipëria dhe shqiptarët, pas shpalljes së pavarësisë, madje edhe në kohërat më të hershme.
Në Samitin e Bukureshtit, më 3 prill 2008, vendet anëtare të NATO-s, pas vlerësimit që ju bënë reformave dhe arritjeve të prekshme dhe të konsoliduara gjatë këtyre viteve në Shqipëri, i votëbesuan ato me unanimitet dhe vendosën të hapin bisedimet dhe negociatat me Republikën e Shqipërisë, me qëllim anëtarësimin e saj të plotë në aleancën e Atlantikut të Veriut. Pikërisht sot, grupi negociator i Shqipërisë përfundon në Bruksel raundin e dytë të negociatave zyrtare, duke i hapur rrugën nënshkrimit të protokolleve të anëtarësimit nga vendet anëtare të Aleancës, i planifikuar për muajin korrik.
Kur ndalesh dhe mendon se Shqipëria, që deri në vitin ’90, ishte vendi i gulakëve dhe bunkerëve, i lirive dhe të drejtave të mohuara, i hiperkolektivizimit total, deri edhe të jetës private të qytetarëve dhe që tani bëhet vend me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut, i vetmi mendim që të vjen në mendje është se kjo përbën një mrekulli dhe kjo është mrekullia e lirisë.
Gjatë dy viteve të fundit, Shqipëria ka bërë hapa dhe përpjekje të mëdha, për sa i përket afrimit dhe integrimit me Bashkimin Evropian. Komisioni Evropian vlerëson se pas nënshkrimit, në qershor të vitit 2006, të Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, të implementimit të Marrëveshjes së Ndërmjetme, është në tërësi një histori suksesi në vendin tonë dhe tërësisht e bazuar në reforma dhe zbatimin e tyre.
Është bërë tashmë e njohur se progresi i reformave në Shqipëri përbën një burim frymëzimi për vendet e tjera të rajonit. Mendoj se në të gjitha këto arritje, rëndësi të jashtëzakonshme pati deklarimi i luftës me zero tolerancë kundër krimit të organizuar. Kjo bëri të mundur që rajone, qytete, zona të cilat dominoheshin nga krimi i organizuar, të jenë nën sundimin e ligjit, bëri të mundur që në një kohë të shkurtër të çmontohen mbi 204 grupe e organizata kriminale, të vendosen para ligjit mbi 900 anëtarë te këtyre grupeve dhe rreth 200 prej tyre të ekstradohen nga vendet perëndimore. Kjo përpjekje e madhe bëri që Shqipëria, institucionet e vendit, të fitojnë besimin e partnerëve tanë, në nismat e tyre për të bërë të sigurt vendin dhe rajonin.
Si rezultat i luftës së vendosur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ne ia dolëm që të përballemi me sukses me dy të këqijat e mëdha të këtij vendi. Administrata doli jashtë konfliktit të interesit, u vendosën standarde të reja të përdorimit të parave publike në zyrat shtetërore, kritere që lejuan shkurtimin me 31 për qind të shpenzimeve operative, apo me mbi 100 milionë euro.
Në sajë të një transparence më të madhe në dogana, në tatime, në luftën kundër informalitetit, u arrit që të ardhurat në buxhetin e shtetit të rriten nga 22 në 27 për qind dhe shpresojmë që këtë vit të jenë 28 për qind, pra të rriten mbi 1.2 miliardë dollarë. U arrit në sajë të kësaj lufte të ulet ndjeshëm kostoja e prokurimeve publike, u arrit në sajë të kësaj lufte të nxirren jashtë burokracive e informalitetit një seri procedurash, siç janë pranimet në universitete, regjistrimi i biznesit dhe shumë të tjera jashtë praktikave të mëparshme korruptive. Realisht, korrupsion ka dhe është vërtet një problem me të cilin ne po përballemi dhe do të vazhdojmë të përballemi çdo ditë. Por faktet janë thellësisht inkurajuese, faktet flasin se ka një kthesë thelbësore, me rezultate faktike në luftën kundër korrupsionit. Në rast se makrokorrupsioni ka marrë një përgjigje të merituar, një përgjigje akoma më të fortë duhet të dëshmojmë ndaj atij që quhet ryshfet, apo korrupsion i përmasave më të kufizuara,. Në këtë kontekst, rruga e luftës kundër tij është para së gjithash dhe mbi të gjitha nëpërmjet procedurave, digjitalizimi i procedurave, outsourc-i i shërbimeve, janë dy nga rrugët kryesore të cilat ne po ndjekim dhe po përpiqemi t’i kompletojmë me shpejtësi, sikundër zhvlerësimi i tyre në të gjitha rastet kur është e mundur.
“Shqipëria një euro” është njëkohësisht një iniciativë antikorruptive. Reformat kanë shndërruar Shqipërinë në vendin me barrën fiskale më të ulët në Europë dhe në njërin nga 3-4 vendet me lirinë fiskale më të madhe në botë. Dua të them me bindjen më të thellë se, ky nivel i lirisë fiskale është totalisht i papranueshëm me një nivel të lartë të korrupsionit, se gjenti toksik më i egër për lirinë është korrupsioni. Ndaj dhe në këtë rast kemi një dallim të madh midis perceptimit dhe realitetit.
Por, në luftën kundër korrupsionit ka një rëndësi të jashtëzakonshme reformimi tërësor i shtetit. Në këtë kontekst, theksoj se heqja e imunitetit të zyrtarëve, një Shqipëri pa imunitarë, do të përbënte një kusht sine qua non për një luftë të suksesshme kundër korrupsionit, në një klimë pozitive politike në vend, në një klimë kur qeveria dhe opozita kanë marrë përgjegjësi të mëdha për një reformë të thellë, të paprecedentë, në një klimë kur të dy forcat kryesore politike dhe të tjerë aleatë të tyre, dëshmuan një vullnet të hekurt për të vendosur një sistem zgjedhor anti-Dushk, një sistem zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, një sistem zgjedhor në të cilin vota e qytetarëve shqiptarë bëhet e barasvlershme, në të cilin vullneti i lirë i qytetarëve nuk mund të devijohet dhe të manipulohet, siç ka ndodhur vitet e fundit. Jam i bindur se, po këta faktorë, do ta shohin së bashku edhe heqjen e imunitetit, i cili nuk mund të jetë problem i 84 votave, nuk mund të jetë objekt i njëanshëm. Ai duhet të jetë çështje e një konsensusi të vërtetë, e një vullneti. Ne nuk bëjmë asgjë tjetër, veçse atë që ligjvënësit amerikanë kanë bërë 200 e ca vjet më parë, kur ngritën kushtetutën e tyre, të cilët nuk u njohën kongresmenëve edhe senatorëve të tyre imunitet për krimet e zakonshme dhe korrupsionin.
Ky është një standard ndaj të cilit duhet të përkulemi që të gjithë. Për çështje politike do të ketë gjithnjë imunitet, heqja dorë nga imuniteti për çështje jo politike përbën një zhvillim shumë të madh edhe për drejtësinë shqiptare, e cila nuk do të përballet me dhunën e imunitetit në ushtrimit e detyrës dhe funksionit, e cila do të bëhet më e pavarur në funksionimin e saj.
Me këtë element, ne japim një kontribut madhor në konsolidimin e shtetit ligjor, shtetit shqiptar në tërësi.
Një seri reformash janë ndërmarrë kohët e fundit. Ju kam deklaruar një ditë gazetarëve se sapo dëgjojnë fjalën reformë u duket se po dëgjojnë fjalën shtrigë, ndërkohë që këto reforma kanë vetëm qëllime të cilat përmirësojnë jetën e qytetarëve, të mbrojnë më mirë interesin publik, të afrojnë më shumë qytetarët shqiptarë me qytetarët evropianë.
Këtyre kërkesave u jepet përgjigja më e mirë me ndryshimet e thella kushtetuese që realizuam dhe të tjera që do të vijnë.
Në këtë kontekst, unë dua të falënderoj dhe përshëndes qëndrimin e opozitës, dua ta garantoj atë për respekt, për klimë të plotë, për hapjen e plotë ndaj nismave të saj, sikurse pres të njëjtin qëndrim ndaj nismave të qeverisë për problemet më madhore. Me opozitën ne na ndajnë 1001 çështje programore, por ne na bashkojnë të gjitha parimet e mëdha të shtetit të së drejtës, të projekteve të integrimit në NATO, të projektit të integrimit në BE, duke ruajtur pozicionet respektive.
Kjo klimë politike përbën një garanci të madhe, përbën dëshminë e konsolidimit të qëndrimit demokratik në shoqërinë shqiptare. Kjo klimë politike diktohet jo nga optimizmi personal i njërit apo tjetrit, por absolutisht nga programi dhe serioziteti i forcave politike.
Anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në NATO dhe Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe finalizimi i saj, përbëjnë dy objektivat madhore të këtij viti. Unë garantoj se qeveria do të ndërmarrë çdo nismë, do të bëjë çdo hap, për finalizimin me sukses të reformave.
Dy ditë më parë u ktheva nga një vizitë në Bruksel, ku kam pasur një diskutim të zgjeruar me Presidentin e Komisionit Evropian. Unë e garantova atë se ritmi i reformave do të vijë në konsolidim.
Liberalizimi i vizave përbën një objektiv madhor për qeverinë, Unë shpresoj se Komisioni Evropian dhe vendet anëtare, në plotësim të kritereve nga ana jonë, do t`i përgjigjen kësaj dëshire dhe këtij vullneti të ligjshëm të qytetarëve shqiptarë. Shqipëria është e gatshme të nënshkruajë dhe të firmosë me çdo vend anëtar të Bashkimit Evropian, çdo marrëveshje e cila rrit sigurinë në vend, që bën të mundur një luftë më të efektshme kundër krimit të organizuar, marrëveshje të ripranimit dhe ekstradimit.
Por, nga ana tjetër, Shqipëria pret nga vendet mike që të shpejtojnë procesin e liberalizimit të vizave.
Ky vit është viti elektoral, jo viti i fushatës. Unë u ndala këtu në një çështje madhore; detyrimi më i madh i kësaj qeverie është të bëjë çdo përpjekje për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Unë jam këtu sot para jush për t`u zotuar solemnisht se do të bëj çdo përpjekje për një proces zgjedhor, në të cilin qytetarët shqiptarë të flasin njëlloj si qytetarët europianë me votën e tyre të lirë.
Faleminderit”