E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ëndrra” e Currit “Dua Serbinë në Europianin 2012 dhe ta mund atë”



Dash Frashëri

Debatik Curri po “digjet” nga një “ëndërr në sirtar”. Kosovari polivalent i Kombëtares shqiptare (28 ndeshje, 1 gol) kërkon si kundërshtar lindore në shortin e Kampionatit Europian 2012, finalet e të cilit do të luhen në Poloni e Ukrainë. Curri, i cili luan po në Ukrainë me Vorskla Poltava, nga vazo “1” zgjedh Rusinë, ndërsa nga vazo “2”, “armikun e përjetshëm” ballkanik të shqiptarëve, Serbinë. “Dhe pse do të më pëlqente më shumë Italia, tifoz i së cilës jam qysh i vogël unë zgjedh si kundërshtar nga ekipet e mëdha, Rusinë. Nga ekipet e vazos 2 dëshiroj të kemi si kundërshtar Serbinë dhe ëndërroj një fitore në “Qemal Stafa” kundër tyre e një prezantim dinjitoz në Beograd. Dëshiroj që nëse do të ndodhë kjo, atë mbrëmje në Tiranë, por dhe në Prishtinë e kudo që ka shqiptarë do të bëhet një festë më e madhe se ajo pas fitores me Greqinë”, - tha 25-vjeçari Curri, autor i një goli të paharrueshëm kundër Holandës në eliminatoret e Kampionatit Europian 2008. UEFA ka ndarë prej disa javësh edhe gjashtë vazot me skuadrat përkatëse prej të cilave do të dalin edhe kundërshtarët e Shqipërisë në shortin për kualifikueset e Kampionatit Europian të vitit 2012. Kombëtarja jonë ndodhet në vazon e pestë së bashku edhe me me Armeninë, Estoninë, Gjeorgjinë, Islandën, Kazakistanin, Liehtenshtejnin, Moldavinë dhe Malin e Zi. Debatik Curri, një nga lojtarët me përvojë të Kombëtares, e që luan për fanellën kuqezi që nga viti 2005, kur u aktivizua për herë të parë në miqësoren kundër Gjeorgjisë (0-0), më 22 mars 2006 nën urdhrat gjermanit Hans-Peter Brigel, zbuloi edhe preferencat e tij nga ekipet kundërshtare.

SHORTI I CURRIT
Qendërmbrojtësi i Kombëtares nga vazo numër 1, të përbërë nga Anglia, Franca, Gjermani, Italia, Holanda, Kroacia, Portugalia, Rusia dhe Spanja, zgjodhi RUSINË. Nga vazoja me numër 2 e të përbërë nga Danimarka, Greqia, Çekia, Romania, Serbia, Sllovakia, Suedia, Zvicra dhe Turqia, Curri zgjodhi SERBINË. Nga vazo 2 të përbërë nga Austria, Bosnja, Bullgaria, Finlanda, Irlanda, Irlanda e Veriut, Izraeli, Norvegjia dhe Skocia, preferenca e mbrojtësit të mirënjohur kosovar ishte AUSTRIA. Nga skuadrat që formojnë vazon 4, si Belgjika, Bjellorusia, Qipro, Uells, Letonia, Lituania, Maqedonia, Sllovenia dhe Hungaria, ishte e natyrshme që Debatiku të zgjidhte QIPRON, ndaj së cilës fituam në miqësoren e fundit, jo pak, por 6-1, duke regjistruar edhe fitoren më të thellë në të gjithë historinë ndërkombëtare të Kombëtares sonë. Nga vazo 6, ku ndodhen edhe ekipet më të dobëta evropiane, Andorra, Azerbajxhani, Ishujt Faroe, Luksemburgu, Malta dhe San Marino, “lapsi” i Currit “rrethoi” SAN MARINON, një ekip me të cilin kemi fituar 3-0 në transfertë (gola të Igli Tares, Ervin Skelës e Altin Lalës), pikërisht më 16 gusht 2006, e që përkon me ndeshjen e parë nën drejtimin e ish-trajnerit të Kombëtares, kroatit Oto Bariç.

MIQËSORJA ME ESTONINË
Shqipëria do të luajë, më 14 nëntor një ndeshje miqësore me Estoninë, një takim që vjen menjëherë pas humbjes 4-1 me Suedinë në kualifikueset e Kampionatit Botëror 2010. Në ndeshjen e fundit miqësore Kombëtarja jonë fitoi 6-1 me Qipron. Por, si e sheh Curri ndeshjen me Estoninë në Talin. “Personalisht nuk kam luajtur kundër tyre, kështu që nuk kam ndonjë koment. Për fat të keq nuk kemi ndonjë lojtar nga Estonia në skuadër për të marrë ndonjë informacion më shumë për nivelin e futbollit atje.Por, ajo që dua të theksoj është fakti se duhet marrë me shumë seriozitet si ndeshje. Duhet të angazhohemi të gjithë, për më tepër që të mendojmë për eliminatoret e Kampionatit Europian”.

KAMPIONATI UKRAINAS
Fundjava në kampionatin ukrainas propozon një duel me nuanca shqiptare, kur përballë njëra-tjetrës do të jenë skuadra e “kosovarëve”, Vorskla Poltava e Debatik Currit, Armend Dallku e Ahmed Januzi nga njëra anë dhe Zarja Lugansk i kavajasit Parid Xhihani nga ana tjetër. “Ndeshjen e fundit e humbën në transfertë 1-0 me Metalistin, - tha nga Ukriana, mbrojtësi polivalent, Debatik Curri, kështu që në takimin kundër Zarjas së Parid Xhihanit na duhet të fitojmë patjetër, pavarësisht se dhe Zarja ndodhet në pozita të vështira në renditje”.

PLAY-OF I BOTËRORIT

Në ndeshjet plej-of të zonës europiane të vlefshme për katër biletat e fundit në Kampionatin Botëror të Afrikës së Jugut, Ukraina, vendi ku luan dhe jeton Debatik Curri, do të përballet me Greqinë për një vend në Kupën e Botës. Debi përcjell edhe atmosferën që po përjetohet këto ditë në Ukrainë. “Këtu e konsiderojnë si mjaft të vështirë ndeshjen në Greqi. Natyrisht, që mua personalisht do të më pëlqente më shumë të kualifikohej Ukraina sesa Greqia, por kjo do të varet nga ajo që do të japin të dyja skuadrat në fushën e lojës”.

Shorti, vazot e Europianit 2012

UEFA, qeveria e futbollit evropian, ku aderon dhe Shqipëria (që nga viti 1954), bëri të ditura dhe vazot e skuadrave për shortin e Kampionatit Europian 2012, finalet e të cilit do të zhvillohen në Poloni e Ukrainë. Kombëtarja jonë ndodhet zyrtarisht në vazon e pestë, së bashku edhe me Armeninë, Estoninë, Gjeorgjinë, Islandën, Kazakistanin, Liehtenshtejnin, Moldavinë dhe Malin e Zi. Një short virtual, ndoshta dhe i ëndërruar nga tifozët shqiptarë, kjo dhe nga pikëpamja financiare mund të ishte: Italia, Greqia, Izraeli, Qipro dhe sigurisht ... Malta. Kundër Italisë fqinje, Shqipëria nuk e ka pasur kurrë fatin të luajë në nivel kombëtaresh.

Vazo 1
Anglia, Franca, Gjermani, Italia, Holanda, Kroacia, Portugalia, Rusia dhe Spanja.

Vazo 2
Danimarka, Greqia, Çekia, Romania, Serbia, Sllovakia, Suedia, Zvicra dhe Turqia.

Vazo 3
Austria, Bosnja, Bullgaria, Finlanda, Irlanda, Irlanda e Veriut, Izraeli, Norvegjia dhe Skocia.

Vazo 4
Belgjika, Bjellorusia, Qipro, Uells, Letonia, Lituania, Maqedonia, Sllovenia dhe Hungaria.

Vazo 5
Shqipëria, Armenia, Estonia, Gjeorgjia, Islanda, Kazakistani, Liehtenshtejni, Moldavia dhe Mali e Zi.

Vazo 6
Andorra, Azerbajxhani, Ishujt Faroe, Luksemburgu, Malta dhe San Marino

Vllaznia, kritika të forta lojtarëve

Të premten, shkodranët do të përballen me Tiranën

Vllaznia ndodhet në një moment shumë kritik. Si rallëherë 9-herë kampionët e Shqipërisë renditen në vendet e fudnit, pikërisht në zonën e rënies nga Kategoria Superiore, me vetëm 7 pikë në 8 ndeshje. Bilanci i nënkampionëve të sezonit të kaluar është vërtet i trishtueshëm, 5 humbje në 8 ndeshje, ku kulmi arriti me humbjen 3-1 në Laç. Trajneri Roland Luçi, tekniku i dytë i kuqebluve për këtë sezon – zëvendësoi Hasan Likën e shkarkuar – është gati të lërë në stol edhe ata lojtarë të konsideruar si titullarë të padiskutueshëm. Vllaznia, së bashku edhe me debutuesen e Kategorisë Superiore, Gramozi, është skuadra që ka shënuar më pak gola, 4 të tillë në 8 ndeshje. Të premten, klubi më i vjetër në Shqipëri (Vllaznia është themeluar në vitin 1919) do të përballet me rekordmenët e Shqipërisë, Tiranën (30 tetor, ora 17:00, “Loro Boriçi”) , ku synohet edhe kthesa e Vllaznisë.
Drejtuesit e klubit i kanë shtuar kritikat ndaj lojtarëve, me synimin nxitjen e futbollistëve dhe impenjimin e tyre maksimal për të arritur fitore ndaj Tiranës.

Kategoria Superiore
Java 9, 30 tetor/1 nëntor

30.10.2009
17:00 Vllaznia-Tirana

31.10.2009
14:00 Apolonia-Flamurtari
14:00 Dinamo-Gramozi
14:00 Shkumbini-Laçi

01.11.2009
13:00 Kastrioti-Besa
14:00 Teuta-Skënderbeu

RENDITJA

1 Dinamo 8 20
2 Besa 8 18
3 Apolonia 8 16
4 Teuta 8 12
5 Tirana 8 11
6 Skënderbeu 8 10
7 Kastrioti 8 9
8 Laçi 8 8
9 Shkumbini 8 8
10 Gramozi 8 7
11 Vllaznia 8 7
12 Flamurtari 8 7

Hyka, “viktimë” e konkurrencës

Mesfushori i Kombëtares është aktivizuar vetëm në katër ndeshje

Jahmir Hyka është “viktimë” e konkurrencës së madhe të Mainc 05, skuadra gjermane e Bundesligës 1. Këtë pranon vetë trajneri Thomas Tuchel, i cili thekson për të tani “është bërë shumë e vështirë për të zgjedhur formacionin që do të hedhë në fushë”.
“Në grupin e lojtarëve janë pesë apo gjashtë futbollistë që janë shumë të mirë, por që jam i detyruar t’i mbaj në bankinë”, - tha Tuchel për gazetën gjermane “Allgemeine Zeitung”, duke pranuar se Hyka është një i tillë. “Gjithsesi, ka një arsye taktike se përsa këta lojtarë qëndrojnë në bankinë”. 21-vjeçari Hyka është aktivizuar në katër nga dhjetë ndeshjet e zhvilluara deri tani në Bundesliga 1, në total 78 minuta, ndeshja e fundit e tij është ajo kundër Verder Bremenit (java e 7-të), takim i humbur nga Mainci 3-0. Mainc 05 së fundi fitoi 3-0 me Frajburgun dhe mesfushori i Kombëtares shqiptare qëndroi në bankinë. Mainc 05, i porsangjitur në Bundesliga 1 është duke bërë një sezon të mirë, duke u renditur për momentin në vendin e 8-të, me 17 pikë.

28 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›