KINEMA, Countdown për “This is it”
Ka filluar në mbarë botën numërimi mbrapsht (countdoën) I premierës botërore të "This Is It", më 28 tetor, ku shfaqen imazhet e fundit të Michael Jackson ndërsa ishte duke bërë provat e turneut që nuk filloi kurrë. Miliona bileta të premierës janë shitur prej datës 1 tetor në mbarë botën ndërsa jehona në shtypin ndërkombëtar po bëhet gjithnjë e më e madhe. Në hartën e premierës botërore është përfshirë edhe Tirana kështu që edhe fansat shqiptarë kanë mundësi të ndjekin premierën ditën e mërkurë në orën 20.30, në kinema Millennium. Ndërkohë një javë pas hedhjes në internet të këngës “This is it”, dje janë shfaqur edhe sekuenca të gjata nga dokumentari ku këngëtari është dke bërë provat muzikore dhe koerografike të njërës prej këngëve më të bukura të tij "Human Nature". Nga ana tjetër padurimi I fansave dhe pritja sa vjen e bëhet më elektrizuese. Po ashtu edhe shitja e biletave. Distributorët njoftojnë se në shumë shtete po planifikohen projeksione shtesë gjatë fundjavës së parë, ndërsa shitjet e biletave po vijojnë edhe për javën e dytë e të fundit të projeksioneve në ekranin e madh. "Michael Jackson's This Is It" është drejtuar nga Kenny Ortega që është njëherësh edhe koreograf i këngëtarit, me të cilin punonte prej vitesh. Dokumentari është prodhuar me mbështetjen e Fondacionit Michael Jackson dhe është shpërndarë nga Sony Pictures Releasing. Ai është ngritur mbi 100 orë materiale të xhiruara nga prapaskenat e koncertit, This Is It, që ishte duke u përgatitur, për koncertin në 'Arena 02 të Londrës, nga muaji prill deri në qershor kur u ndërpre për shkak të vdekjes së papritur të Michael Jackson.
“Të premtet e kinemasë spanjolle” rikthehen te akademia “Marubi”
Të Premtet e Kinemasë Spanjolle, të organizuara nga Ambasada e Spanjës dhe Akademia e Kinemasë dhe Multimedias Marubi, do të rinisin në Tiranë të premten e ardhshme, me 30 tetor, me projeksionin e filmit “Të vetmuara”. Kjo iniciativë e përbashkët, që nisi nga ideja për t´i dhënë publikut shqiptar një përzgjedhje të kinemasë më të mirë spanjolle, i solli kryeqytetit shqiptar tituj të ndryshëm të përmbledhur në cikle tematike që kanë shkuar nga komedia apo kinemaja realiste deri tek seleksioni i retrospektivave të autorëve me peshë në kinemanë spanjolle, si Carlos Saura. Këtë radhë, mbas parantezës verore, do të fillohet me filmin “Të vetmuara”, një dramë sociale me të cilën regjisori spanjoll Benito Zambrano pati një debutim të shkëlqyer. Më 6 nëntor, vjen një tjetër debutim kinematografik, ai i Alejandro Amenábar me filmin “Teza”, që shënoi fillimin e karrierës së tij; me 13 nëntor do të shfaqet “Matahari”, prodhimi i fundit i Icíar Bollaín, realizuese madrilene me një filmografi të gjerë si aktore dhe regjisore, të cilën publiku shqiptar ka pasur mundësinë ta shohë ne filmin “Jugu” të Víctor Erice, apo në “Tokë dhe liri” të Ken Loach. Ndërkaq, më 19 nëntor do të shfaqet dokumentari “14 kilometra”, i regjisorit Gerardo Olivares. Ky prodhim ka në sfond të tij problemet dhe plagët sociale të emigracionit. Si gjithmonë, hyrja për publikun është e lirë dhe filmat do të projektohen në versionin origjinal, me titra në anglisht, çdo të premte në orën 19:00.
28 Tetor 2009