E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ëndrra e Shteteve të Bashkuara të Europës

10-06-2012 / Nga Ilirian Dahri

Duket si një kërcënim lajmi i agjencisë “Moody’s”. Brakstisja e zonës “euro” nga Greqia, e mbushur plot borxhe dhe në krizë, nuk do të jetë pa pasoja dhe për vendet e tjera të Eurozonës pa përjashtuar këtë herë as Gjermaninë dhe as Francën. Me anë të një note, agjensia Moody’s shprehet e shqetësuar për “sistemin euro” dhe efektin domino që mund të përfshijë  vende si Spanja dhe Italia. «Problemet e sistemit bankar spanjoll janë më së shumti specifike për Vendin dhe ndoshta nuk do të paraqesin një motiv të rëndësishëm për Vendet e tjera, përjashto Italinë» - shton në fund agjencia. Ky lajm i shtohet faktit se këto ditë më tepër se herë të tjera po flitet për Europën dhe monedhën e saj të përbashkët. Më së shumti monedha po shihet si një simbol dhe si një mjet i rregullit botëror. Natyrisht që kalimi tek monedha e përbashkët ka qenë një ndryshim rrënjësor (prej vitit 1999 deri në vitin 2007, dhe mund të thuhet se rezultatet e Bashkimit ekonomik kanë qenë me të vërtetë të mira. Rezultate që arrinin në një rritje ekonomike me 2% duke krijuar madje edhe rreth 12 milionë vende pune. Nga ana tjetër, u krijua një integrim edhe më i madh, u investua më tepër dhe ndërkaq u rritën edhe shkëmbimet tregtare. Sidoqoftë asokohe vihej re se mungonte kooperimi mes vetë vendeve. Ndoshta ishin tre arsyet themelore, ishte kompetiviteti, kooperimi dhe solidariteti. Mungonte ndoshta diçka e rëndësisë që ishte poli ekonomik. Nga ana tjetër dihet se euro më shumë kishte efekte mbrojtëse por në të njëjtën kohë nuk arrinte të nxiste ekonominë europiane. Gjithçka dukej se ecte mirë deri në momentin e krizës financiare planetare kur fillojnë të duken borxhet, në fillim në Irlandë pastaj në Spanjë dhe kështu me radhë. Po përtej krizës u vu re edhe një mënyrë qeverisje që shpeshherë dukej se ishte si një katastrofë e vërtetë. Këto ditë po flitet gjithmonë dhe më shumë për Shtetet e Bashkuara të Europës. Ish-presidenti i Komisionit Europian Romano Prodi i pyetur për fatet e Europës ka theksuar se Europa duhet të kuptojë me të vërtetë kush është vendi i saj efektiv në botë. Romano Prodi, thekson përsëri se krijimi i Shteteve të Bashkuara të Europës duhet të jetë edhe stacioni i fundit për vetë Europën. Sipas tij takimi europian i 28 -29 qershorit do të shërbejë më së shumti për mbijetesen e vetë Euros. “Në këtë fazë mbështetja më e madhe për Europën është instikti i mbijetesës. I mbijetesës së Europës, jo e vendeve të veçanta, sepse vetëm Europa do të thotë mbijetesë. Pa Europën nuk mbijeton askush. Jemi si shtetet italiane të Rilindjes që, duke mos u bashkuar mes tyre, e fshinë Italinë nga harta gjeografike me shekuj. Jemi në një kthim të historisë, nuk duhet të humbim një rast të tillë. {…}Ndoshta jemi në fund. Europa e kohëve të fundit ka dëshmuar fantazinë më të pabesueshme të saj në zvarritjen e problemeve duke mos dashur të përballet me to. Uroj që ndjesia e urgjencës të ndihmojë ndryshimin e kësaj sjellje. Në kohë të tjera mund të mendohej në ushtrinë europiane, në mbrojtjen e përbashkët, në sforcon për të bashkuar shërbimet diplomatike, por tani situata është tejet e ndryshme”. Sidoqoftë Europa është vërtet një analizë e kostove dhe benefiteve dhe e aksioneve të përbashkëta por në të njëjtën kohë është edhe një zgjedhje politike. Edhe kriza që emigroi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Europës që prej vitit 2008, transformoi gjithçka në dy vitet e fundit duke u shndërruar në një krizë të debisë sovrane të disa prej vendeve anëtare të Bashkimit Europian që bënin pjesë në Eurozonë. Gjithsesi janë shfaqur dy fenomene: i pari që ka të bëjë me goditjen e tregjeve të gjithë botës dhe i dyti se vetë shtetet e Bashkimit Europian janë të ndërvarura nga ekonomitë e njëra - tjetrës. Natyrisht po vihet re më së shumti në Greqi, (edhe vetë fjala krizë vjen nga Greqia “krisis” që do të përkthehej në “vendim”, “gjykim”), ku vendimtare pritet që të jenë zgjedhjet që po afrojnë më 17 qershor. Tashmë Europa është e ndërvarur. Ekonomitë e Vendeve europiane janë të lidhura me njëra – tjetrën. Kriza greke do të relektojë padyshim edhe tek Vendet e tjera. Ndoshta dhe eksportet gjermane nuk do të arrijnë më nivelin aktual të 70%, që aktualisht i drejtohen Europës dhe do të jenë më të ulëta se 60% që është aktualisht eksporti i drejtuar drejt vendeve anëtare të Bashkimit Europian si Italia, Franca, Belgjika…

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›