Fakti/Rikthimi i Edvinit tek 5 kushtet, për të mos zgjedhur Presidentin dhe për të bllokuar statusin kandidat

Pas ezaurimit të raundit të tretë të votimit të presidentit dhe pas tërheqjes së kandidaturës konsensuale të mazhorancës Xhezair Zaganjori, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama iu rikthye ultimatumeve për zgjedhjen e presidentit. Të premten kur parlamenti shënoi dështimin e radhës për zgjedhjen e Presidentit, kryesocialisti shpalosi edhe njëherë platformën e bllokimit, për të sajuar alibinë e radhës, gjoja për mos-konsensus në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Loja e Ramës është e kuptueshme në mos aprovimin e kursit reformator se, PS nuk u konsiderua si faktor politik dhe parlamentar në zgjedhjen e presidentit me 71 vota. Pavarësisht se mundësia e opozitës për të dhënë konsensus dhe për t’u përfshirë në proces, ishte gjatë 3 raundeve të para me 84 vota, të cilat është e njohur botërisht se, e vetme mazhoranca nuk i ka. Rama tha se tërheqja Zaganjorit nga gara presidenciale i hapi rrugën konsensusit, por theksoi se vizioni i opozitës në këtë përpjekje ishte dhe mbetet i pandryshuar, duke renditur kushtet për zgjedhjen e presidentit dhe sipas për t’i dhënë mundësinë vendit për të marrë statusin kandidat. Pra, në fizionominë e vet politike, Edi Rama s’ka ndryshuar shumë nga dy javë më parë, kur hodhi edhe zyrtarisht në tregun politik, ultimatumin për të bllokuar procesin dhe mbajtur peng reformat. “Opozita ka vetëm një interes, atë kombëtar. Në vigjilje të promovimit të Shqipërisë në 12 tetor në Bruksel kemi nevojë për konsensusin. Kemi një kërkesë, dialogun konstruktiv pa parakushte e paragjykime, kemi vetëm një shtysë domosdoshmërinë që t’ia dalim së bashku për t’i dhënë mundësinë vendit të marrë statusin kandidat pa lejuar që Shqipëria të vendoset përballë të panjohurave”, tha Rama në deklaratën e tij për shtyp, e cila u konsumua edhe dje gjatë mbledhjes së kryesisë socialiste.
...