E Diel, 1 Nëntor 2026

Ëndrra e shuar

David Beckham ka thënë se shpreson të kthehet shpejt pas çarjes së tendonit të thembrës në këmbën e majtë, para nisjes për në Finlandë të hënën për operacion, që do t’i pamundësojë të luajë në Kampionatin botëror.

“Do të nisem për në Finlandë, ku do të takohem me një specialist për të analizuar lëndimin”,- tha Beckham gjatë një komunikate të publikuar në ueb faqen zyrtare të Milanit.

“Jam i shqetësuar, por dua t’u falënderohem të gjithëve për përkrahjen e tyre. Shpresoj të kthehem shpejt dhe të rikuperohem plotësisht”,- shtoi ai.

34 vjeçari ishte lënduar në minutat e fundit të ndeshjes, kur Milan fitoi 1-0 ndaj Chievos të dielën në San Siro. Shpresa e tij, të bëhet futbollisti i parë anglez i cili paraqitet në katër kampionate botërore, është shuar, ndërsa e ardhmja e tij ndërkombëtare është në dyshim.

“Ne duhet të presim rezultatin e analizave, por duket se ai do të mungojë në Kampionatin botëror”,- tha selektori i Anglisë, Fabio Capello, të hënën.

“David është profesionist i madh dhe ka punuar shumë për të qenë gati për Kampionatin botëror, andaj mungesa e tij do të jetë goditje e madhe”,- shtoi ai.

Ndërsa kirurgu Dr. Sakari Orava, i cili do ta operojë Beckhamin, i tha televizionit finlandez YLE të hënën se nuk duhet pritur që Beckham të rikuperohet para Kampionatit botëror, garë e cila fillon më 11 qershor në Afrikën e Jugut.

“Duket se bëhet fjalë për çarje të plotë, andaj nevojiten tre-katër muaj për të qenë në gjendje të bëjë paraqitje të lehta”,- tha Orava.

Karriera ndërkombëtare e Beckhamit për Anglinë duket se ka përfunduar dhe mbetet të shihet se çka do të jetë në gjendje të ofrojë për Los Angeles Galaxy dhe Major League Soccer.

Capello dhe asistenti i tij, Franco Baldini, kanë biseduar me Beckhamin në telefon, duke i ofruar përkrahje dhe urimet më të mira.

Pak minuta para përfundimit të ndeshjes me Chievon te rezultati 0-0, Beckham ishte duke qëndruar në mesin e fushës kur pranoi topin me këmbën e majtë dhe shkeli keq mbi të, e pastaj kur u mundua të shkonte përpara, ai shprehu një grimasë të dhimbjes në fytyrë. E zgjati dorën te thembra e këmbës së majtë dhe duke çaluar u largua nga fusha.

“Është goditje e rëndë. Simptomat e para janë të thyerjes së tendonit në thembër”,- tha trajneri i Milanit, Leonardo, për Sky TV. Stafi mjekësor i Milanit u konsultua me homologët e tyre nga Galaxy, por ishte Beckham ai që vendosi të shkonte në Finlandë.

Edhe pse nuk ka qenë titullar për Anglinë në ndeshjet e fundit, ishte pritur që Beckham të ftohet për Kampionatin botëror. Ish mesfushori i Manchester Unitedit dhe i Real Madridit ishte duke kaluar sezonin e dytë të huazimit në Milan nga LA Galaxy me shpresë të përmirësimit të shanseve të paraqitjes për Anglinë në Kampionatin botëror.

Ai ka shënuar 17 gola për Anglinë dhe bëri 115 paraqitje, futbollisti i dytë me më së tepërmi paraqitje për Anglinë pas portierit Peter Shilton (125) nga 1970-90. Beckham ishte kapiten i Anglisë nga nëntori 2000 deri në Kampionatin botëror 2006.

“Ai duket se do të qëndrojë jashtë fushës për pesë ose gjashtë muaj. Por, në zhveshtore i kam thënë se nëse dëshiron mund të jetë përsëri me ne edhe vitin e ardhshëm”,- tha nënkryetari i Milanit, Adriano Galliani.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›