E Diel, 1 Nëntor 2026

Kureshtar për riformatizimin

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Andy Sparkes ka deklaruar të dielën se është kureshtar të shohë ndryshimet në Qeverinë e Kosovës, të paralajmëruara nga Kryeministri Hashim Thaçi kohë më parë.

Në një prononcim për KTV’në, diplomati britanik, në një mënyrë, dha sugjerimin e tij për rrugën që duhet të ndjekë Kryeministri Hashim Thaçi kur të vendosë për emrat që duhet të largohet nga kabineti i tij.

“Ne e kemi kuptuar se Kryeministri do ta riformatizojë Qeverinë. Ai ka deklaruar disa herë se është kundër korrupsionit. Prandaj, ne jemi shumë kureshtarë që të shohim veprimin e tij”, ka deklaruar Sparkes.

Ndryshimet në Qeverinë e Kosovës janë paralajmëruar qysh pas përfundimit të raundit të parë të garës për kryetarë komunash, në nëntor të vitit të kaluar. Por, deri më tash, asnjë hap nuk është ndërmarrë në këtë drejtim.

Burime të Expressit kanë thënë se, sipas gjitha gjasave, këtë javë Kryeministri Thaçi pritet t’i publikojë ndryshimet në kabinetin e tij.

Një zyrtar i lartë i Qeverisë, në kushte anonimiteti, ka thënë për gazetën se pritet që katër ministra të shkarkohen. Po ashtu, riformatizimi do t’i prekë edhe zëvendësministrat. Në të njëjtën kohë, nuk përjashtohet edhe mundësia e lëvizjes së ministrave nga një dikaster në tjetrin.

Aktualisht nuk dihet se çfarë kriteresh do të ndiqen për ndryshimin e ministrave.

Kryeministri Thaçi vazhdimisht ka folur për nevojën që, përmes procesit të riformatizimit, të rritet efikasiteti i Ekzekutivit. Ndërsa diplomatët perëndimorë janë shprehur se ky proces duhet t’i “hajë kokat” e ministrave të korruptuar. Kryeministri e ka pohuar interesimin e partnerëve ndërkombëtarë për procesin e ndryshimit të Qeverisë, por sipas tij, “atyre më shumë u intereson emri i Ministrit të Integrimeve Europiane”.

Kohët e fundit është folur shumë për mundësinë që Kryeministri Thaçi ka marrë udhëzime nga përfaqësues të pranisë ndërkombëtare, në vend që ta largojë një Ministër të korruptuar, për të cilin thuhet se shërbimet perëndimore të inteligjencës disponojnë prova që e inkriminojnë atë në afera korruptive.

Ndryshe, të dielën, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës janë shprehur se nuk e dinë se kur do të publikohen ndryshimet në Kabinetin Thaçi.

Sipas Zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, ky proces është në dorën e Kryeministrit.

“Unë nuk e di kohën e ndryshimeve. Këtë e di vetëm Kryeministri, i cili do të vendosë për ndërrimin e ndonjë emri në Qeveri”, ka thënë Kuçi, të dielën, për Express.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›