E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Kandidatura e mazhorancës, në lartësinë e detyrave kushtetuese”

31-05-2012 / Gazeta 55

Kreu i mazhorancës, Sali Berisha u shpreh dje nga foltorja e Kuvendit se Xhezair Zaganjori nuk është kandidaturë nga radhët e politikës, por një personalitet me kredenciale të larta. Ai kujtoi se ky kandidat s’ka gjykuar asnjëherë në interes të qeverisë, por shpeshherë në të kundërtën e saj


Pas dështimit të konsensusit mes mazhorancës dhe opozitës në raundin e parë të zgjedhjes së presidentit, kryeministri i vendit Sali Berisha, është shprehur nga foltorja e Kuvendit se pavarësisht marrëveshjes me LSI-në për zgjedhjen e presidentit, mazhoranca është ngritur në lartësinë e kërkesave të kushtetutës, e cila është shkruar siç e ka dashur PS-ja dhe kryetari i saj, ndërsa shprehu vendosmërinë e tij për t’i dhënë vendit një president në lartësinë kushtetuese të detyrës së tij dhe me integritet të gjithanshëm. “Zgjedhja e Presidentit të Republikës përbën një proces madhor, të një rëndësie themelore për vendin dhe në këtë kontekst, jam këtu për t’ju garantuar ju, të dashur qytetare e qytetarë, parlamentarët shqiptarë se jemi të vendosur të bëjmë gjithçka, për t’i dhënë vendit presidentin, në lartësinë kushtetuese të detyrës së tij, personalitetin, gruan apo burrin, me integritetit të lartë, të gjithanshëm. Ky ka qenë dhe ky është qëllimi ynë. Në këtë kontekst dhe në përputhje me Kushtetutën, mazhoranca, e cila ka një marrëveshje për të zgjedhur presidentin, me konsensusin ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, është ngritur mbi këtë marrëveshje, është ngritur në lartësinë e kërkesave të Kushtetutës, të cilën e kemi shkruar siç ka dashur Partia Socialiste dhe siç ka kërkuar kryetari i saj. Kjo është e vërteta! Ai ka kërkuar që tre raundet e para të votohet me 3/5 dhe unë e kam konsideruar dhe konsideroj këtë, një kërkesë shumë të drejtë, sepse është në interesin më të mirë që qytetarët shqiptarë të shohin tek kryetari i shtetit të tyre, një njeri me mbështetje më të gjerë të mundshme. Bazuar në këtë detyrim kushtetues, në afatin kushtetues, ne filluam konsultimet dhe pa shqipëruar qoftë edhe një emër të vetëm. Ne dëshironim që konsultimet të vazhdonin me ju dhe kjo ishte dhe është e domosdoshme”, u shpreh kryeministri Berisha. Ai tha se ka konsideruar shumë të drejtë kërkesën që në 3 raundet e para të votohet me 3/5, sepse është në interesin më të mirë që qytetarët shqiptarë të shohin tek kryetari i shtetit të tyre një njeri me mbështetje më të gjerë të mundshme. “Bazuar në këtë detyrim kushtetues ne në afatin kushtetues filluam konsultimet dhe pa shqipëruar qoftë edhe një emër të vetëm ne dëshironim që konsultimet të vazhdonin me ju dhe kjo ishte e domosdoshme”, theksoi Berisha. Shefi i ekzekutivit vuri në dukje se nëpërmjet procesit të zgjedhjes së presidentit, opozita kërkoi të ngrinte themelet e shtetit dhe për të bërë këtë formuloi ultimatumin me 4 kushte. “Kryetari i grupit parlamentar të mazhorancës që është edhe kryetari i mazhorancës në Parlament i dërgoi një letër-ftesë kryetarit të grupit të minorancës në Parlament, në të cilën e fton të fillojë dialogu. Të mos mendojë kush se me retorika boshe mund t’u hedhë hi syve, qytetarëve shqiptarë! Ka ikur koha e territ dhe censurës. Hapësira informative shqiptare ndriçohet nga dhjetëra e dhjetëra media, të cilat kanë meritën historike se e kanë nxjerrë vendin nga censura. Pas një hezitimi evident, fatmirësisht erdhi përgjigja e pranimit të takimit. Por, për t’ia ndriçuar rrugën Gramoz Ruçit në takim, për t’i bërë dritë në parlament, doli editoriali, i shkruar nga ish këshilltari im për çështjet kozmopolite që tani, ju e keni për çështje atdhetarie. Doli editoriali: E tëra ose asgjë! Kjo ishte motoja dhe menduat procesin, sipas editorialit të ish këshilltarit tim për çështje të kozmopolitizmit dhe vendosët që nëpërmjet zgjedhjes së Presidentit t’i ‘ngrinit themelet’ shtetit. Për ta bërë këtë, formuluat ultimatumin me 4 kushte. Le ti analizojmë edhe një herë”, tha Berisha. Duke analizuar kërkesat e ultimatumit të opozitës shefi i qeverisë theksoi se për sa i takon reformës zgjedhore i është dhënë përgjigje 96 për qind të problemeve të ngritura nga ODIHR. “ODIHR nuk mund të merret me fobira e obsesione, ODIHR do që qytetarët të kenë një proces të garantuar dhe nuk niset nga teza se 20 komisonerët e mi u korruptuan”, vijoi më tej Berisha, i cili shtoi se kjo qeveri e ka bërë të qartë botërisht përkushtimin për votën e lirë. “Vendimet e KQZ-së 5 me 2 na dalin të paqena nga dy militantë të PS-së, ne nuk e pranojmë këtë se ju harroni që kjo qeveri e ka bërë të qartë botërisht përkushtimin për votën e lirë. Pra a mundet që ju t’i jepni të drejtë një qeverie ta transkriptojë vendimin e gjykatës në mënyrë që edhe këta të dy të mos jenë abuzivë se në ligjet e vendit të lirë të gjithë kanë kujdes të mos abuzojnë me ligjet. Keni sjellë një propozim që s’mund ta pranojmë, tani ndodh ekzekutimi politik i të gjithë anëtarëve të KQZ-së. Në atë KQZ ka anëtarë komisioni që e njohin procesin zgjedhor dhe praktikën e tij më shumë se ky parlament i marrë së bashku”, deklaroi ai. Për sa i takon heqjes së imunitetit ai shprehu vendosmërinë e tij se është në interes të gjithë qytetarëve, ndërkohë që qeveria socialiste e refuzoi në atë kohë, Komisioni i Venecias e gjykoi shumë të mirë, por kërkoi që të votohet me 3/5, ndërsa opozita kërkoi ndryshim kushtetues. Ai tha se miliarderët e PS-së nuk duan të heqim imunitetin, teksa shprehu gatishmërinë e tij për të votuar që sot për heqjen e imunitetit. Për sa i takon takimit të kryeministrit me Ramën për këtë çështje kreu i ekzekutivit u përgjigj se si kryeministër është i detyruar ta takojë Ramën, por jo për çështje teknike, të cilave u japin zgjidhje ekspertët. Lidhur me kandidaturën e paraqitur nga mazhoranca për president të Republikës, Berisha u shpreh edhe njëherë se nuk ishte kandidaturë nga radhët e politikës, por një personalitet me kredenciale të larta. Ai e akuzoi sërish Ramën se zgjodhi politikën bllokuese dhe i bëri apel opozitës për të studiuar dhe shqyrtuar kandidaturën. “Duhet të ndiqet procesi sipas Kushtetutës, por opozita nuk ka asnjë detyrim që të mbështesë kandidatët që paraqet qeveria, kjo është normale. Qeveria për ta respektuar opozitën dhe për ti bërë të mundur asaj që edhe ta votojë, duhet të heqë dorë shumica, nga disa kandidatura që për definicion vështirësojnë shumë votimin nga opozita dhe unë po të isha këtë qëndrim do të mbaja. Ky kandidat për hir të së vërtetës dhe i garantoj gjykatësit, se në ato vendimet aty, ka gjykuar jo në interes të qeverisë, por në të kundërtën e saj. Por ju para se të merrni një vendim unë ju ftoj ju, në rast se dilni dot nga bllokimi, në rast se arrini të ngriheni  mbi ideologjinë e bllokut dhe bllokimit, në rast se doni të faktoni se nuk keni qëllim të bllokoni procesin e integrimit ngrihuni dhe studiojeni më mirë dhe na thoni se çfarë ka mangët për të qene një kandidat konsensual. Mangët ka vetëm një gjë, vendosmërinë patologjike të kryetarit tuaj për të bllokuar çdo gjë që ka në dorë. Ka në dorë të bllokojë këtë seancë që të mos votojë, e bllokon. Ka në dorë të bllokojë reformën zgjedhore, e bllokon. Ka në dorë të bllokojë reformën parlamentare, e bllokon. Ka në dorë të bllokojë imunitetin se i thotë këshilli i miliarderëve, e bllokon. Pra kjo është praktika. Ne mendojmë se duhet ta shqyrtoni. Nuk kam kërkuar unë tek ju konsensus për Bamirin dhe nuk kërkoj konsensus unë tek ju për nënkryetar partie. Si e zgjodha? E zgjodha sepse kryetari juaj, desh të bllokonte me çdo kusht, ish kryetari juaj në përgjegjësin e statistit dha kontributin e tij për të cilin unë jam mirënjohës.  Në rast se  ju përmendni  Topin , ai ishte nënkryetar, këtu nuk kemi paraqitur Patozin, Topallin apo Boden,  këtu kemi paraqitur një njëri, i cili qoftë edhe në një ditë të vetme nuk ka qenë me Partinë Demokratike kjo është e vërteta. Mos u nisni nga paragjykimi, sepse është në interesin tuaj dhe të çdo qytetari shqiptarë që posti i Presidentit të vendit të ketë një njeri me integritet, me kredenciale, me besueshmëri të lartë”, tha më tej, kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›