E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ëndrra të thyera

Një ëndërr e thyer. Keni mundur ta shihni në fytyrën e David Beckham, derisa u largua me lot në sy nga fusha në San Siro të dielën e kaluar për shkak të çarjes së tendonit në thembër. Pas konfirmimit të një mungese afatgjate, shpresa e Beckhamit për përfundimin e karrierës ndërkombëtare me paraqitjen në Kampionatin botëror të katërt të tij, u shua.

Fati i keq i mesfushorit anglez sjell probleme për selektorin Fabio Capello, ndërsa u mohon spektatorëve në Afrikën e Jugut të shohin njërin prej emrave më të mëdhenj në futbollin botëror. Tifozët anglezë u ballafaquan edhe me lajmin për mungesën e Michael Owenit në Kampionatin botëror 2010 për shkak të lëndimit, ndërsa më 2002, ekipit të Sven Goran Erikssonit i munguan Steven Gerrard dhe Gary Neville.

Goditje të ngjashme ka pësuar edhe Brazili. Në Kampionatin botëror 2002, kapiteni Emerson e lëndoi krahun në prag të ndeshjes së parë kundër Turqisë, pasi kishte luajtur rolin e portierit në një ndeshje stërvitore. Por, një rrëzim në tokë i pamundësoi të luajë për katër javë – mungoi në gjithë garën – ndërsa pendimi i thellë me siguri se kishte qëndruar me të për një kohë më të gjatë. Një tjetër futbollist që mungoi në Koreja/Japoni 2002 ishte spanjolli Santiago Canizares, i cili për dallim nga Emerson, ishte vërtet portier.

Por, reflekset e tij ishin dukshëm më të shpejta në portë sesa në banjë. Atij i kishte rrëshqitur një shishe e qelqit e preparatit pas rrojës dhe kishte shkelur mbi të duke prerë një tendon të këmbës së majtë. Canizares ishte duke u përgatitur për paraqitjen e tij të parë në Kampionatin botëror, por në vend të tij selektori Jose Antonio Camacho nuk kishte opsion tjetër përveçse të aktivizonte 21 vjeçarin Iker Casillas. Kampioni i vitit 1998, Franca, hyri në mbrojtje të titullit në mungesë të Robert Pires dhe Christian Karembeu.

Mungesa e Piresit ishte goditje e rëndë për Francën, pasi bëhej fjalë për mesfushorin i cili sapo kishte fituar çmimin e Futbollistit të Vitit në Angli. Argjentina, sikurse Franca, u eliminua befasishëm në rrethin e parë nga Koreja/Japonia në mungesë të kapitenit Roberto Ayala. Mbrojtësi udhëtoi në Azi, por mbeti në bankinë për tri ndeshjet e grupit për shkak të një lëndimi që pësoi në prag të takimit të parë kundër Nigerisë. Por, Ayala nuk është kapiteni i parë i Argjentinës që ka pësuar fat të tillë.

Më 1986, mbrojtësi Daniel Passarella, i cili tetë vjet më parë kishte udhëhequr Argjentinën drejt titullit të parë botëror, vuante nga një virus që u përcoll me humbje në peshë dhe periudhë të gjatë të rikuperimit. Por, fat edhe më të keq se Passarella pësoi një tjetër legjendë e Argjentinës, Alfredo di Stefano. Më 1950, Argjentina refuzoi të merr pjesë për shkak të arsyeve politike, ndërsa më 1954 Di Stefano nuk ishte mund të luante për shkak se kishte bërë një paraqitje për Kolumbinë.

Por, pas marrjes së nënshtetësisë spanjolle, Di Stefano i ndihmoi Spanjës të kualifikohet për në Kili 1962, por mungoi gjatë garës për shkak të një lëndimi muskulor. Shkojmë shpejt përpara te Koreja/Japoni 2002, ku Gjermania përfundoi e dyta, pavarësisht mungesës së mbrojtësit Jens Nowotny dhe mesfushorit Sebastian Deisler. Nowotny, titullar në kualifikime, ishte lënduar në paraqitje për Bayern Leverkusenin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ndërsa plejmejkeri Deisler e theu këmbën në miqësore kundër Austrisë në maj.

Derisa Nowotny u ngushëllua me paraqitje në garën e ardhshme në shtëpi, fati i keq për Deislerin vazhdoi pasi në mars 2006 ai pësoi një lëndim serioz të gjurit që i pamundësoi të paraqitet në ekipin e Jurgen Klinsmannit, i cili përfundoi në pozitën e tretë. Sulmuesit francez Djibril Cisse e di mirë se rrufeja mund të godasë dy herë. 20 muaj pasi pësoi frakturë të rëndë në këmbën e majtë në paraqitje për Liverpoolin, ai e theu këmbën tjetër në miqësoren e fundit të Kombëtares së tij përballë Kinës, para nisjes për në Gjermani në maj 2006.

Cisse më parë kishte munguar edhe në Euro 2004 për shkak të një suspendimi, duke zgjuar krahasime me një tjetër sulmues francez, Jose Toure, të cilit lëndimi ia mohoi paraqitjet në Evropianin 1984 dhe Kampionatin botëror 1986. Andaj, derisa David Beckham i bashkohet brazilianit Anderson dhe portugezit Bosingwa, të cilët mund të bëjnë ndërrim të planeve për qershor, do të ketë futbollistë të tjerë të cilët ëndërrojnë t’i zëvendësojnë ata në ngjarjen më të rëndësishme të futbollit botëror, që fillon pas më pak se tre muaj në Afrikën e Jugut.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›