"Ëngjëj të armatosur" botohet italisht
"Angeli armati", me të njëjti titull si në shqip i romanit të shkrimtares Diana Çuli sapo është botuar në gjuhën italiane nga shtëpia botuese "Besa". Në 272 faqe autorja sjell për herë të parë një histori nga Lufta e Dytë Botërore ku dashuria tragjike vendoset në sfondin epik të asaj kohe. Pasione, urrejtje, hidhërime, histori, dashuri, karaktere të fuqishëm dhe origjinalë, përshkojnë faqet e romanit të shtatë të Çulit. "Angeli armati" rrëfen edhe historinë tragjike të dashurisë ndërmjet Doroteas dhe Aleksit, të cilët me dashurinë e tyre "thyen" rregullat e luftës çlirimtare dhe guxuan të dalin mbi "moralin partizan". Narracioni i rrjedhshëm, stili elegant, gjuha e pasur dhe dinamika e ngjarjeve janë arritjet që ka prekur Çuli me "Ëngjëj të armatosur". Me këtë roman ajo është vlerësuar me çmimin "Shkrimtarja e vitit 2007", çmim që japin botuesit shqiptarë gjatë ditëve të panairit.
Ky është romani i dytë që "Besa" i boton shkrimtares shqiptare, pas romanit të vitit 2002 "Scrivere sull'acqua". Çuli ka lëvruar kryesisht gjininë e romanit, përmendim "Rrethi i kujtesës", "Dreri i trotuareve", "Rekuiem", "Dhe nata u nda në mes", "Diell në mesnatë", vëllime me tregime "Jehonat e jetës", "Sheshi i Spanjes" etj.
Vite e fundit ajo ka sjellë të përkthyer në gjuhën shqipe autorë Jean Paul Sartre, Andre Gide, Simone de Beauvoir etj.