Elementi shqiptar që zbuti Strugën
Për herë të parë në historinë 50-vjeçare të "Netëve Poetike të Strugës", një poet shqiptar, Fatos Arapi, fiton "Kurorën e Artë". A janë zbutur kufijtë dhe fara antinacionaliste? Flet Iljaz Osmani, i pari kryetar shqiptar i bordit të festivalit botëror
Është e para herë në historinë 47-vjeçare të "Netëve poetike të Strugës" që "Kurora e Artë" fitohet nga një poet shqiptar. Ai është Fatos Arapi që doli nga "dueli" me kandidatin bullgar, poetin Ljubomir Levcev. Për arsye shëndetësore Arapi nuk e mbërriti ceremoninë. Një javë më vonë kanë mbërritur në Tiranë tri përfaqësues të bordit të "Netëve", kryetari i tij Iljaz Osmani, Branko Cfetkevski dhe drejtori i festivalit botëror të Strugës, Dallillo Kocevski dora vetë. Janë takuar me Arapin dhe kanë programuar botimin e veprës së zgjedhur në gjuhën maqedonase, sepse çdo vit, festivali boton një seri librash me qëllim promovimin e autorëve të huaj tek lexuesi maqedonas. Arapi do të tërheqë simbolin prej ari më 24 gusht në Strugë, aty ku bëhen festimet e mëdha zyrtare për çmimet që shpallen në pranverë.
Duke qenë se Iljaz Osmani, shkrimtar dhe botues i revistës kulturore "Vlera", është i pari kryetar shqiptar që drejtoi bordin e festivalit të poezisë, i morëm një intervistë ku ai jep arsye pse Fatos Arapi fitoi "Kurorën e Artë" dhe komenton lënien në hije të elementit shqiptar gjatë gjithë historisë së hapjes së kufijve.
Si është historia e pjesëmarrjes së elementëve shqiptarë në "Netët e Strugës". Ka ndodhur ndonjëherë që shqiptarët të kenë të drejtën e vetos në këtë ngjarje të poezisë botërore?
Ky festival ka 47 vjet që organizohet dhe ku konkurrojnë shkrimtarët më të famshëm botërorë dhe poetë vendas me vlerë. Konkurrimi ka për bazë vlerësimet që japin njohësit e mirëfilltë të letërsisë, kritikët, botuesit, nëpërmjet recencioneve mbi të cilat bordi ulet dhe përzgjedh.
Kurse për sa i përket pyetjes suaj dua të them se shqiptarë ka pasur vazhdimisht në bord, por nuk kanë qenë të përfshirë sa duhet dhe për së pari herë në manifestimet e "Netëve të Strugës" kryetar i bordit zgjidhet një shqiptar. Merita është e subjektit politik shqiptar që tani merr pjesë në qeveri, pra ministri i Kulturës.
Për herë të parë të parë kemi një autor shqiptar që fiton "Kurorën e Artë", mos ndikoi fakti që kryetari i bordit ishte shqiptar, ju?
Jo, nuk është aspak ky faktor. Ka ndikuar interesimi i publikut intelektual, i njerëzve kompetentë të cilët kanë dërguar recensione të shumta për poetin e madh Fatos Arapi.
Së dyti, ai nuk e fitoi këtë çmim ngaqë Shqipëria nuk është vlerësuar asnjëherë në "Netët e Strugës". Fatos Arapi fitoi sepse meritat e tij letrare u votuan gati në mënyrë unanime nga bordi.
Ju çfarë vlerësoni tek ai?
Poezia e tij, ashtu siç e kanë përmendur shumë kritikë letrarë, është një poezi meditative, qasja ndaj asaj që quhet botë e thellë është lirikë e mirëfilltë. Shkurt kemi të bëjmë me një poezi me shumë dimensione dhe gjithëpërfshirëse.
Në krahasim me prezantimet që ka pasur në vite Shqipëria në këtë konkurs me autorë si Xhevahir Spahiu, Flutura Açka etj., Arapi e çoi në pikën më të lartë këtë nivel autorësh.
Para se bordi të jepte vendimin pro tij, kishim ardhur deri tek tetë autorë botërorëderisa zbritëm në dy autorë, shqiptari Fatos Arapi dhe Ljubomir Levcev nga Bullgaria.
Si tingëllon maqedonisht poezia e tij?
Në veçanti vlerësuesit e Arapit janë njerëz të poezisë duke filluar që nga Matea Matevski i cili ditën e ceremonisë ka emocionuar të pranishmit me njohjen dhe prezantimin që i bëri poezisë së poetit shqiptar. Bëri një interpretim brilant.
Do të ndikojë kjo gjë për ta "shitur" poetin në gjuhë të tjera?
Me marrjen e çmimit Arapit i botohet vepra e zgjedhur në dy gjuhë shqip-maqedonisht.
Është e vërtetë që ka ekzistuar një fobi ndaj autorëve shqiptarë në "Netët e Strugës?
Shiko, kjo është pak pyetje politike. Është e vërtetë që popujt e Ballkanit nuk e kanë çmuar njëri-tjetrin sa duhet, por poezia dhe arti janë katalizatorë për t'i afruar. Në kohë krizash këtë e bën arti i vërtetë.
Në të vërtetë çfarë ka ndodhur? A nuk është nxitur nga autorë të veçantë një farë fryme antishqiptare, apo jo?
Letërsitë nuk janë përzier në katrahura politike të cilat kanë treguar fytyrën më pak dinjitoze të politikës.
Po ajo frymë antishqiptare që thoni ka qenë prezente, ashtu sikurse është e vërtetë që poezia shqipe nuk ia ka kthyer me të njëjtën monedhë. Nuk kemi imituar askënd, as dhunën e atyre për hir të së vërtetës janë turpëruar prej kësaj dhe janë ndjerë keq. Unë personalisht, poezi të natyrës ekstreme nacionaliste kam lexuar, por shumë pak.
Është e vërtetë që Shqipëria është prezantuar në vite tek "Netët" nga një klan poetësh?
Njerëzit e Ballkanit shquhen për t'u klanizuar, pavarësisht se klanet për të cilat flisni ju nuk kanë qenë fanatike. Askush nuk mund të përfitojë nga klanet sepse "Netët e Strugës" kanë një seleksionim shumë të rreptë. Në festival nuk mund të vijë dy herë një autor, të paktën jo për disa vite.
Ju thatë se vini rrallë në Tiranë ngaqë nuk keni kontakte në nivele zyrtare përsa i përket marrëdhënieve kulturore.
Marrëdhëniet që Shqipëria ka me Maqedoninë i ka në nivel ministrie ose këtë rol e luajnë më tepër ministritë sesa shoqatat kulturore edhe pse këto ekzistojnë dhe nuk janë pak. Besojmë se tani e tutje diçka do të ndryshojë. Fjala vjen rasti Arapi do të ketë një funksion pozitiv në shkrirjen e këtyre marrëdhënieve, për të na çuar në interesin e lartë të gjuhëve të popujve të tjerë. E thotë me të drejtë Çomski se gjuhët e popujve nuk ndahen në gjuhë të mëdha dhe gjuhë të vogla apo gjuhë të mira dhe gjuhë të këqija. Gjuhët janë të gjitha të zotit, shqipja gjithashtu.
Ju keni 14 vjet që botoni revistën kulturore "Vlera". Si ia dilni?
"Vlera" u themelua atëherë kur ishte më e vështirë se kurrë të themeloje një revistë. Po ja që u bë. Në themelimin e saj morën pjesë dy pena të letërsisë sonë, Murat Isaku dhe Abdylazis Islami. Filloi të funksionojë me mbështetje simbolike të Ministrisë së Kulturës. Deri tani kemi botuar perla të letërsisë shqipe dhe të letërsisë së huaj të përkthyer. Ndërsa numri i ardhshëm do t'i kushtohet Fatos Arapit.
Si është klima e leximit të poezisë në vendin tuaj?
Në Maqedoni lexohet nga një klasë e veçantë e njerëzve. Kuptohet janë më pak se në Tiranë e Prishtinë, por nuk është për t'u shqetësuar. Poezia nuk ka vdekur dhe tek arti jo të gjithë dinë të depërtojnë.
Histori
Netët Poetike të Strugës nisi më 1962 me leximet e poezive të autorëve maqedonas për nder të dy vëllezërve Konstantin dhe Dimitar Miladinov, intelektualë të shquar të shekullit XIX të lindur në Strugë. Më 1963 u themelua çmimi "Miladinov Brothers" për vëllimin më të mirë poetik të botuar në Republikën e Maqedonisë. Më 1966 kur festivali bëhet ndërkombëtar nis të jepet çmimi "Kurora e Artë" e cila i jepet në poeti të shquar të gjallë për veprën poetike të gjithë krijimtarisë së tij. Një ndër të parët që e mori këtë çmim ishte Ë. H. Auden më 1971. Mjafton kjo listë autorësh – shumë mes tyre Nobelistë) - që po rendisim për të kuptuar se çfarë vlere të padiskutueshme kanë "Netët poetike të Strugës": Pablo Neruda, Eugenio Montale, Rafael Alberti, Miroslav Krleza, Hans Magnus Enzensberger, Nikita Stanescu, Janis Ricos, Allen Ginsberg, Jozef Brodski, Jehuda Amichai, Iv Bonfua, Edoardo Sanguineti, Seamus Heaney, Thomas Transtroemer, Mahmoud Darëish më 2007 dhe për vitin 2008 Fatos Arapi. Autori shqiptar (1930), edhe pse është figurë qendrore e poezisë shqipe në vitet 60-70, studiuesit janë të një mendjeje kur thonë se me vëllimet e fundit të botuara pas nëntëdhjetës, autori ka arritur kulmin e krijimtarisë së tij. Është autor i "Shtigje poetike" dhe "Poezia dhe vjersha (vëllimet e para), "Drejt qindra shekujsh shkojmë", "Ku shkoni ju statuja" etj, dhe si prozator ka lëvruar novelën si "Patat e egra", "Shokët", "Deti në mes", "Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk" etj. Ka përkthyer "Këngë për njeriun" i Nikolla Vapcarov, "Pablo Neruda", "Safo", "Antologji e poezisë turke" etj.