Boutaris fton kryeministrin Berisha për një vizitë në Selanik
Edhe Kryeministri pret kryebashkiakun e Selanikut
Kryetari i bashkisë së Selanikut, Yiannis Boutaris i ka shprehur kryeministrit Sali Berisha dëshirën e tij, për një vizitë zyrtare në vendin fqinj dhe konkretisht në qytetin bregdetar të Selanikut.
Gjatë takimit të zhvilluar dje në Tiranë, kryeministri Berisha e falënderoi kryebashkiakun Boutaris, për mikpritjen dhe mbështetjen që qyteti i Selanikut, iu ka dhënë mbi 70 mijë shqiptarëve dhe familjeve të tyre, të cilën jetojnë dhe punojnë sot atje. Boutaris e falënderoi kreun e qeverisë shqiptare, Berisha për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe i rikonfirmoi atij dëshirën e Bashkisë së Selanikut, por edhe të qytetarëve të saj, për të intensifikuar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e shkëmbimet ekonomike, kulturore, artistike etj, në dobi të forcimit të miqësisë dhe interesit më të mirë të qytetarëve të Selanikut dhe atyre të Shqipërisë.
Në këtë kontekst Kryetari i Bashkisë Boutaris informoi kryeministrin se gjatë kësaj vizite në fokus është evidentimi i të gjitha fushave ku mund të zhvillohet një bashkëpunim intensiv midis Tiranës dhe Selanikut. Boutaris informoi kryeministrin se gjithashtu gjatë kësaj vizite do të nënshkruajë marrëveshjen e binjakëzimit me qytetin e Durrësit, e cila parashikon një sërë aspektesh ku pritet të ndërtohet një bashkëpunim frytdhënës midis këtyre dy qyteteve porte të rëndësishëm të Rajonit.
Në takim u rikonfirmua vullneti për të nxitur intensifikimin e investimeve dhe shkëmbimeve ekonomike të ndërsjella, si një faktor themelor për rritjen ekonomike dhe mirëqenien e qytetarëve.
Ndërkaq, kryebashkiaku Boutaris shfrytëzoi këtë rast, për t’i shprehur kryeministrit Berisha dëshirën e tij dhe të qytetarëve të Selanikut, për ta mikpritur Kryeministrin Berisha në Selanik, si mik i madh, i shquar dhe promovues i marrëdhënieve shumë të mira dhe bashkëpunimi të gjithanshëm i miqësisë midis të dy vendeve e popujve fqinj.