"Bën të paditurin ai, që di dhe çfarë i thotë Edi Rama të vëllait në dasmë"
Është turp që 18 vjet pas përmbysjes së një rendi, ende nuk po duken konturet e para të institucioneve të pavarura, që janë kusht për më tepër drejtuesi (për të mos thënë kusht për të shkuar në Bashkësinë Evropiane ku pretendojmë). Është turp që nuk është zgjidhur qoftë dhe një problem madhor jetik (uji apo dritat). Prandaj pyes dhe veten: kujt i duhet një Kryeministër i tillë (dhe kur them kryeministër, kam parasysh edhe gjithë qeverinë dhe institucionet e tjera, se ato nuk ekzistojnë, por vetëm zbatojnë porositë e Berishës) që nuk la njeri pa përgojuar si i paedukatë ordiner, vend e pavend, në luftën e tij të paepur për të uzurpuar të gjitha institucionet (dhe në këtë pikë i duhet dhënë haku, arriti t'i marrë), dhe tani që këto institucione i ka nën vete dhe dështuan turpësisht (them dështuan se në fakt, ato bënë punën e tyre, pra heshtën dhe nuk nxorën sekretet siç deshi Kryeministri), pra, pas këtij le të themi dështimi, ai si burrec mbledh supin e tij të shtrembër dhe bën të paditurin. Bën të paditurin ai, që di dhe çfarë i thotë Edi Rama të vëllait në dasëm, por nuk di se ku bie Gërdeci megjithëse i punon baxhanaku në vendngjarje për "bukën e gojës". Të gjithë ne që e njohim Shqipërinë e dimë fare mirë, që edhe drejtor ta kesh baxhanakun, një punë zyre do ta nxjerrin nga dheu për ty, e jo më Kryeministër, aq më tepër që kur ky kryeministër e ka emrin Sali Berisha.
Vetë nuk besoj se Berishës do t'i hyjë ndonjë gjemb në këmbë edhe kësaj here. As prokuroria nuk do të nxjerre gjë, dhe s'ka se si. A mund të bëjë ajo gjë kundër "shefit" të saj të vërtetë? Meazallah! Ai prapë do fillojë të ulërasë nëpër foltore duke përbaltur të tjerët dhe me atë rast, të rrëmbejë ndonjë institucion që i ka mbetur pa marrë.