E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Berisha Ik", në paqe

Rreth 100 mijë qytetarë rrëzuan mbrëmë në Tiranë qeverinë e drejtuar nga ish-presidenti i viteve 1992-1997, Sali Berisha, i cili njihet botërisht për këtë periudhë të zezë të kombit shqiptar, kur vendi u zhyt në kaos, rrënim ekonomik dhe shoqëror.
I ideuar nga opozita e Edi Ramës, si një marshim i heshtur proteste, pa parulla dhe pa flamuj partiakë, ai mblodhi shqiptarë nga të gjitha krahët dhe anët. Shumica pranoi të zbatonte rregulloren e pashkruar të protestës antiqeveritare, ndërsa disa nuk mundën ta fshihnin qëndrimin emocional, duke hedhur parulla antiqeveritare dhe akuzuese ndaj Kryeministrit të vendit, që, prej shumicës dërrmuese të fakteve dhe dëshmive, rezulton si ideuesi dhe përfituesi i bombës ushtarake të mbjellë në fshatin Gërdec, e cila vrau dhjetëra banorë, plagosi qindra të tjerë, shkatërroi mijëra banesa dhe biznese dhe mbi të gjitha e bërë këtë vend, më të pasigurt se kurrë, madje më të pasigurt se 11 vite më parë, kur shteti dhe institucionet shtetërore nuk ekzistonin.
Por ndërsa populli po shpreh në protestë paqësore verdiktin e tij plebishitar, duke rrëzuar një qeveri që u shit për popullore dhe po mundohet të blejë popullin, opinioni i përgjithshëm në vend është se ish-Presidenti i viteve 1992-1997 dhe Kryeministri i 3 viteve të fundit, nuk largohet nga pushteti në mënyrë paqësore dhe se duhet rrëzuar me dhunë nga "kali i pushtetit". Këtu kihet parasysh e shkuara e afërt: Në kulmin e protestave antiqeveritare të janar-shkurtit 1997, ish-presidenti me kokëfortësi vrasëse nuk pranoi të ndërronte qeverinë, e cila shihej si aktorja kryesore e lejimit të firmave piramidale që i zhvatën popullsisë shqiptare rreth 1.2 miliardë dollarë. Ndërsa vendi digjej, në mars 1997, ai mbodhi deputetët e tij në Kuvendin ku mungonte opozita e majtë dhe u rizgjodh President për një mandat të dytë. Ndërsa vendi po shkonte drejt vëllavrasjes, ai mblidhte mijëra mercenarë për t'i kundërvënë popullsisë së pambrojtur në jug të vendit. Urdhrat e tij dhe të ushtarëve besnikë, në vend që të qetësonin situatën dhe të përcillnin aftësinë menaxhuese të pushtetit, mbollën vetëm kaos dhe kundërvënie mes policëve, ushtarëve dhe drejtuesve të pambrojtur vendorë, të cilët u bënë viktima të urrejtjes antiqeveritare të popullatës së dëshpëruar. E kërcënuar deri në ekzistencën fizike, ajo shpartalloi depot e ushtrisë dhe bazat ushtarake, të cilat kishin mbetur pa mbrojtje pas dezertimit të hierarkisë ushtarake nga ministri, deri te rekruti më i ri.
Një vit e gjysmë më pas, kur ishte në opozitë, ai shfrytëzoi vrasjen e eksponentit të PD-së, Azem Hajdari për të vënë në zbatim skenarin e marrjes me dhunë të pushtetit, por pas disa orësh triumfi në zaptimin e disa "institucioneve" qendrore, kryetari i PD-së u tërhoq në selinë e PD-së. Më 18 shtator 1998, Kuvendi i Shqipërisë, ia hoqi mandatin deputetit Sali Berisha, por ai nuk shkoi dhe as u detyrua asnjëherë të shkonte para drejtësisë shqiptare për t'u përgjigjur për akuzën "grusht shteti".
10 vite më vonë, ish-presidentit të '97-ës dhe Kryeministrit aktual, mund t'i riciklohet akuza për "grusht shteti", sepse tragjedia e Gërdecit rrëzoi nga themelet të ashtuquajturin shtet të së drejtës, që me fjalime po e ndërtonte qeveria e mandatuar në shtator 2005. Shumë gjëra kanë shkuar zi e më zi për vendin, që kur vendin e la qeverisja e korruptuar e ish-kryeministrit të majtë. Pasuesi jo vetëm që nuk shkatërroi monopolet qeveritare, por monopolizoi korrupsionin brenda rrethit të ngushtë familjar dhe shoqëror. Biznesit iu mor fryma, sepse biznesmenët e rinj të vendit, i ngushtuan hapësirat ligjore për të ndërtuar punë të ndershme për të gjithë. Shembulli i funksionimit të magazinave shfarosëse të Gërdecit, ku firma nuk paguante asgjë, nuk raportonte asgjë dhe nuk i jepte llogari askujt, përveç tutorëve qeveritarë, është shpjegimi më i qartë se në çfarë derexheje është katandisur biznesi që u jep punë dhe bukë shqiptarëve.
Popullata e ndjen veten shumë herë më të varfëruar se tre vite më parë. Ajo e ka provuar se po vidhet sërish, si në kohën e piramidave, nga dikasteret shtetërore të kthyera në piramida, KESH-i, mallrat e konsumit, indeksi i kushtimit në shumë sektorë të vendit, shërbimet publike që ofron sektori publik, apo sektori privat, që si në rastin e firmës "Albademil", ndjehet i plotfuqishëm , nëse i jep qeverisë pjesën që kërkon.
Katër vite më parë, shumica e atij populli që foli mbrëmë dhe mbushi plot bulevardin në Tiranë, ishte në mos aktive, mbështetëse e protestës antiqeveritare "Nano ik". I akuzuari iku një vit më vonë, me vulën e turpit. Një vit pas masakrës shtetërore të Gërdecit, populli e ka thënë votën për ish-presidentin e '97-ës dhe kryeministrin e Gërdecit. Ky popull i vrarë nga gjaku dhe dhimbjet, nuk do më kaos dhe rikthim mbrapa të vendit. Ndaj mbrëmë mbushi Tiranën, për t'i thënë "Berisha Ik", ashtu, në paqe...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›