E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Botërori 2010", Meksika mposht Francën

Meksika ka shënuar fitore sensacionale prej 2-0 përballë Francës, në takimin e xhiros së dytë të Grupit A, për ta afruar veten shumë pranë kualifikimit në fazën e eliminimit direkt të Kampionatit Botëror.

Që në pjesën e parë të takimit, Meksika ishte skuadër më e mirë, derisa Franca bëri një tjetër paraqitje për t'u harruar, megjithatë pas 45 minutash rrjetat heshtën.

Sulmuesi i ri i Manchester Unitedit, Javier Hernendez, bëri një depërtim të shkëlqyer për të mposhtur portierin Lloris (64') dhe për t'i dhënë epërsinë kombëtares së tij.

Në minutën e 79-të u akordua penallti në favor të Meksikës, pas një ndërhyrjeje të Abidal në Barreran, ndërsa i pagabueshëm nga pika e bardhë ishte Cuauhtemoc Blanco, i cili shënoi golin e sigurisë.

Me këtë fitore, Meksika ka katër pikë po aq sa Uruguai, ndërkohë Franca mbetet në kuotën e një pike, dhe duke qenë se në xhiron e fundit ndeshen Meksika dhe Uruguai, shumë lehtë këto dy përfaqësuese mund të barazojnë për të vazhduar garën, dhe për ta kthyer Francën në shtëpi që në fazën grupore.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›