E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Bumerangu" i fjalës së abuzuar

Një burrë i pacipë, me njëfarë pushteti, sajonte dhe përhapte kudo shpifje dhe thashetheme të pështira, të sajuara prej mendjes apo "entourage"-it të tij. Sidomos për të gjithë ata që e "xhelozonin" me aftësinë e punën, sjelljen e seriozitetin e tyre, aq më shumë kur e kundërshtonin apo nuk e përfillnin fare. Pa përjashtuar dhe individë që nuk i njihte fare. Por një ditë dhe ai mbeti më së fundi pa "komandë" e pushtet dhe menjëherë e pa veten të braktisur nga të gjithë ata që i shërbenin, deri i përkuleshin, më parë...
I ndodhur në këtë gjendje vendosi të këshillohej me një të urtë edhe pse vite më parë çfarë s'kishte thënë e bërë kundër tij. Por i urti megjithatë, pasi e dëgjoi, para dhënies së këshillës, e udhëzoi të shkonte në treg, të blinte një pulë dhe t'ia sillte atë me kushtin që gjatë rrugës së kthimit, t'ia hiqte të gjitha puplat. Ish-shpifësi i pushtetshëm, që dikur vetëm "këlthiste e priste koka" u bind me "përulësi". Ai, në rrugën e kthimit veproi siç u këshillua, ndërsa puplat e pulës së blerë i hidhte përtokë. Ashtu të rrjepur ia dorëzoi pulën të urtit.Por ky i fundit i kërkoi tani të shkonte të mblidhte puplat e hequra dhe t'ia sillte atij të gjitha ato, përpara se të jepte këshillën e radhës. Por, tashmë, ish-shpifësi i pushtetshëm protestoi, duke e konsideruar një gjë të tillë krejtësisht të pamundur. Në fakt, një pjesë të madhe të puplave duhet t'i kishte shpërndarë era në drejtime të ndryshme, prandaj ishte realisht e pamundur që ato të mblidheshin përsëri.
Dhe i urti me qetësi u përgjigj: "Po, kjo është mëse e vërtetë. Por e njëjta gjë ndodh dhe me shpifjet e thashethemet. Ato mund të shpërndahen kudo dhe sado që të pendohesh apo të kërkohet falje, është e vështirë që të bëhet "mbledhja", d.m.th., dhe zhdukja e ndikimit të tyre. Ky është dhe dëmi që shkaktohet kur shfrytëzohen për mbrapshti të pështira, shpifjet e thashethemet! Sidoqoftë, në kushtet që jeni, me dëmin e bërë, ia vlen një kërkim faljeje publike, për të vetëpranuar të keqen individuale e kolektive që keni bërë. Ndoshta, një pjesë do ta pranojë këtë ndjesë dhe do t'iu falë...".
***
Shpifjet, padyshim, mund të shkatërrojnë lidhje shoqërore e miqësore, martesa e familje, partneritet politik apo biznesi, madje edhe imazhin apo një karrierë individuale, duke çuar deri në shkatërrim psikologjik e vetëvrasje, sidomos kur preken çështje të brendshme tepër të ndjeshme e intime.
Deri diku këtë mund ta shkaktojnë dhe thashethemet e ndërtuara dhe të shpërhapura pa asnjë bazë apo pa më të voglin dyshim, apo ato të sajuara me një qëllim të keq. Megjithatë, natyrshëm, për këto të fundit, por në asnjë mënyrë për shpifjet, nuk mungojnë dhe rastet "humoristike" e "pozitive", në të cilat ai që goditet, protagonisti rreth të cilit ndërtohen e qarkullojnë thashethemet, ka vepruar qartazi në dëm të tjerëve, të grupit e komunitetit apo, në përgjithësi, në kundërshtim me të mirën publike. Duke qëndruar pezull midis të vërtetës dhe jo të vërtetës, të besimit dhe jo besimit, në mungesë të mundësisë së vërtetimit të drejtpërdrejtë apo dhe të kurajës publike, në raste të tilla u kërkohet "ndihmë" humorit apo variantit të thashethemeve.
Por dhe në këto raste, edhe pse me përmbajtje "pozitive" e korrigjuese, njerëz që janë në shënjestër të abuzimit, mund t'i konsiderojnë humorin e thashethemet krejtësisht të papranueshëm në demaskimin e sjelljes së tyre. Madje jo rrallë, me mjetet e njerëzit në dispozicion, shfaqin një gatishmëri për shpagim e hakmarrje apo reagojnë në mënyrë të egër për mbyllje goje, me çdo mjet e kusht. Kjo sidomos ndodh me administratorë publikë apo drejtues politikë, që përfitojnë materialisht nga karrigia e tyre, në kundërshtim me ligjin dhe "betimin" e tyre, me etikën ligjore e politike. Apo dhe kur këtë abuzim e korrupsion e realizojnë miqësitë ose familjarët e tyre. Por, ky abuzim apo ndonjë skandal i ngjashëm, edhe pse ndjehet qartësisht dhe diku më shumë, diku më pak rëndon drejtpërsëdrejti mbi qytetarin e thjeshtë, në nivelin e jetës apo të shërbimeve ndaj tij, përgjithësisht nuk mund të vërtetohet dot prej këtij të fundit, përveç rasteve të mit-marrjes pa ndërmjetësim.
***
Kjo është arsyeja, që jo rrallë në demaskimin e abuzimit të pushtetit futen në lojë humori apo thashethemet, që përhapen kryesisht në mënyrë orale, nga goja në gojë, nga veshi në vesh. Ato marrin sidomos vlerë kur mbështeten në disa fakte fillestare e "zhurma" apo kanë, në shumtën e rasteve, një pikënisje e origjinë objektive. Të tilla janë p.sh., rastet kur si pikënisje janë disa dokumente fillestare (të shkruara, të regjistruara ose filmuara), apo disa të dhëna gojore nga bashkëpunëtorë të afërt të abuzuesit. Pra, në mungesë të fakteve të plota ose të drejtpërdrejta ligjore e publike apo për mos artikulim e dëshmim të tyre në sajë të frikës e shpagimit të padrejtë, mund të formësohet perceptimi publik, që ka një vlerë të veçantë në proceset politike e zgjedhore dhe korrigjimin e tyre.
Krahas tyre ekzistojnë dhe thashethemet e komanduara, që ndërtohen e shpërhapen pikërisht për të kundërt: për ta shitur ndryshe lëkurën, për të mbuluar abuzimin apo për të goditur padrejtësisht kundërshtarin deri me një kosto të lartë për të gjithë. Të tilla ishin p.sh., thashethemet (më tepër shpifjet) me origjinë politike, të përhapura në vitin 1999-2000 për pamundësi të sistemit bankar në shlyerjen e depozitave, që krijuan realisht një problem sa artificial po aq dhe të rrezikshëm brenda këtij sistemi! Apo ato të disa viteve më parë për qarkullim parash të pista në Shqipëri në shuma prej miliarda dollarësh në vit, kur raporti i OKB-së fliste vetëm për disa dhjetëra milion dollarë! Apo akoma sulmet e paprincipta para pak kohësh ndaj institucioneve të tilla, si ai i Presidentit të Republikës, Prokurorit të Përgjithshëm, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, etj.
Parë në shumë plane, në përputhje me psikologjinë shoqërore, thashethemet kanë një natyrë situacionale e absolute. Ato, krahas aspektit të përgjithshëm tërësisht negativ e abuziv, mjaft të ngjashëm me shpifjen (madje deri krejtësisht djallëzor, fyes e shkatërrues për individë të ndershëm apo grupe të ndryshëm) shfaqin aty-këtu dhe një aspekt pozitiv, sidomos në perceptimin dhe reagimin publik, p.sh, në lidhje me korrupsionin politik e administrativ. Por, dhe në këtë rast, tek ne, ndryshe nga përmasa normale në vende të tjera, është tejkaluar masa e interesit kombëtar e qytetar, duke u sorollatur në të njëjtin qerthull shpërhapjeje, dhe aq më keq, duke hedhur akuza të përditshme apo vetë-akuza të përjetshme për korrupsion të shfrenuar, nga e njëjta gojë dhe me po atë intensitet, si dje, ashtu dhe sot! Sidomos, kur për këtë problem ky proces i ngjan atij të pikave të ujit, që duke rënë nga një lartësi, gërryejnë dhe gurin, pra duke e shndërruar, me dashje ose pa dashje, korrupsionin politik në një korrupsion kapilar!
Kjo teknologji është shfrytëzuar me bollëk, madje fare pa kufij, nga PD-ja në opozitë, deri duke dëmtuar rëndë imazhin e vendit dhe të shqiptarëve në botë. Deri diku po vazhdohet ende sot në po atë krah, gati me të njëjtin teprim deklarativ. Por dhe në krahun e kundërt, brenda limiteve të arsyeshme të "menaxhimit" politik. Sidomos, kur bëhet fjalë për "humanizim" individësh të pakalibruar për jetën sociale.
***
Duke analizuar këtë problem sa bashkëkohor, po aq dhe të lashtë, një psikolog i shquar amerikan ka theksuar se, duhen dalluar humori e thashethemet, që njerëzit i gjejnë fyese nga ato jo fyese, disi të pranueshmet nga ato krejtësisht të papranueshme, ato që e lëvizin dhe e korrigjojnë sado pak shoqërinë nga ato që e mbërthejnë dhe e zhyejnë keqas atë. Vetëm në këtë mënyrë humori e thashethemet, në trajtën e të vërtetave diku të drejtpërdrejta, diku të tërthorta, mund të marrin, qoftë dhe pjesërisht, rolin e një aktori kritik social. (Por në asnjë mënyrë shpifja, aq e shëmtuar dhe e përhapur sot në politikë apo tek të "komanduarit" e saj!) Sidomos kur ky "humor" apo këto thashetheme (që në thelb nuk janë tamam thashetheme), që kanë dhe një sens korrigjues, shoqërohen edhe me një ngrohtësi narracioni e transmetimi. Difuzioni oral apo shpërhapja në raste të tilla midis njerëzve të thjeshtë shërben dhe si një formë kundërvënieje publike ndaj disa individëve me pushtet, që kanë në dispozicion incentiva të shumtë mbulimi e presioni, deri dhe për gojë-mbyllje e hakmarrjeje të shëmtuar...
***
Sidoqoftë, i urti i historisë ka shumë të drejtë. Në çdo rast, e mira e të mirave, është e vërteta e drejtpërdrejtë, akuza apo dëshmia publike konkrete, me emër e mbiemër, vetë përgjegjësia individuale, qytetare e ligjore e fjalës, për aq sa thuhet e deklarohet! Madje, për më tepër, dokumentimi dhe faktimi i saj! Edhe pse për të arritur deri këtu nevojitet një emancipim shumë më i lartë i qytetarit dhe i vetë shoqërisë, një "bark" krejt tjetër i politikës dhe protagonistëve të saj, një nivel real lirie e demokracie. Megjithatë ka një ngushëllim: ndaj fjalës së abuzuar të paktën koha duhet të luajë me domosdo rolin "bumerang" të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›