"Deri kur do vazhdohet kështu me pseudo-burra shteti?"
E nderuar gazeta "Shekulli", jam një lexues juaji 80-vjeçar, luftëtar në 15-vjet i rezistencës popullore kundër fashizmit dhe tradhtarëve të Atdheut. Shqiptarët në shekuj janë cilësuar si njerëz luftëtarë e bujarë, gjë që është vlerësuar e admiruar më shumë nga të huajt sesa nga bashkëkombësit e vet. Nuk ka një copë tokë apo det, ku të mos prehen eshtra luftëtarësh shqiptarë. Ndaj, nuk ka si mos të të vijë keq kur shqiptarët në vazhdimësi i nxjerrin sytë njëri-tjetrit vetëm për kapriçio personale, duke mohuar historinë dhe lavdinë e vet kombëtare. Vepër e turpshme. Le t'u referohemi shkurtimisht disa ngjarjeve luftarake ku ka shkëlqyer heroizmi shqiptar. Vallë mund të harrohet heroizmi i shqiptarëve, që me gjakun e tyre ndalën zgjerimin e pushtimit osman në Europë? A nuk i quajti Garibaldi arbëreshët heronj? A nuk qenë arvanitasit e Greqisë ajka e Kryengritjes për Pavarësi në 1821? A nuk qe shqiptar ai që mori kështjellën e Çanakalusës? Nga njerëz kokëboshë e mosnjohës të vlerave të historisë kombëtare nuk thuhet as edhe një fjalë për ta, por përpiqen me çdo mënyrë që meritat, punën, djersën dhe gjakun t'jua atribuojnë të pavlefshmëve, të pamerituarve. Vallë a nuk do të ishte më mirë që bulevardi kryesor në Tiranë të emërtohej "Bulevardi i Parakalimit Popullor" dhe jo bulevardi "Zogu i Parë"? (mbetet që ndonjë rrugë të emërtohet "Rruga e Mëllenjës"). E pse të emërtohet materniteti "Mbretëresha Geraldinë" kur do ishte më e ndershme të emërtohej materniteti "Nora e Kelmendit", Shote Galica, Mine Peza, Margarita Tutulani, e qindra heroina që falën jetën për Atdheun. A nuk është për të ardhur keq, kur veteranëve të Luftës Nacional Çlirimtare u merren 700 lekë të vjetra për një copë distiktiv, kurse ministrat e deputetët i marrin popullit thasë me miliona? Kjo që po bëhet tek ne është për të qarë hallin dhe për të shkulur flokët. Po na tall e qesh bota, për marrëzitë tona të pseudo-historianëve antikombëtarë. Për të tilla probleme madhore është mirë të krijohet një këshill mbarëkombëtar, Këshilli i të Urtëve dhe të Diturve që të vendosin ata e jo 3-4 politikanë, për të cilët, vendi më i përshtatshëm është Psikiatria në Vlorë.