E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Maskat e Kryeministrit"

E dini… Kryeministri ynë përdor maska. Tamam si në një ballo: sipas vendit edhe rastit vendos maskën që duhet. P.sh., ditën që vizitoi tunelet e rrugës Rrëshen-Kalimash, zoti Kryeministër vendosi maskën e qeshjes së Guimplenit. Me kapelën e verdhë të sigurimit teknik në kokë, ai qeshte, qeshte pa pushim, sigurisht, për kundërveprim të akuzave për fondet e kësaj rruge, dhe e qeshura herë-herë fiksohej, saqë të krijohej ideja e filmimeve me xhiro të ngadaltë si në truket kinematografike. Atë ditë më mirë do të ishte të vinte mbi kokë kapelën e minatorit, të merrte "antidodin" që marrin ata të shkretët (pak bukë me djathë), e të zbriste në galeritë e Minierës së Bulqizës, atje ku gllabërohen dhjetëra jetë njerëzish e ku tamam atë ditë u plagos rëndë dhe një minator. Atje do të mund të shikonte nga afër kushtet si punojnë ata. Ose-ose, mund të vendoste kapelën dhe të vishte kostumin e metalurgut e të futej në repartet pranë furrnaltave të shkrirjes së çelikut e skrapit në Elbasan, atje ku dy ditë më pas do të vdiste një dhe do të plagoseshin 11 të tjerë. Por si Miniera e Bulqizës ashtu edhe furrnalta në Elbasan, administrohen nga të huaj, e para tyre Kryeministri ynë vendos maskën e njohur të qeshjes së Uriah-Hip-it, se ato janë "të huaj" e kështu u duhet qeshur. Në ambientet skandaloze që administrohen nga të huaj e punëtorët janë të gjithë shqiptarë, nuk e kemi parë ndonjëherë. Të shkojë ashtu papritur siç na doli papritur në ekran në atë vizitë në tunelet e rrugës së përfolur. Mbasi i ka kaq qejf maskat, asnjë më mirë sesa maska e mister Dick (shërbëtorit të teze Betsit) tek David Koperfild, nuk do t'i shkonte për shtat. Ai, tamam si mister Dick, bën sikur mendon, flet, flet e nuk e di as vetë seç flet, pavarësisht se pas kësaj qesh sikur ka thënë diçka të mençme shumë. Por ai tamam si mister Dick, nuk është në gjendje të ngrejë në ajër as një balonë kartoni fëmijësh. E kjo balonë ngjan me qeverisjen që ai po na bën. Ajo balonë e mister Dick-Berishës, rropatet në ajër majtas-djathtas, pa drejtim e pastaj shembet përdhe. E Kryeministri ynë si mister Dick vetëm qesh, qesh, s'ka gjë për të që balona shkatërrohet e zvarritet, rëndësi ka që ai të shtrëngojë fort në dorë perin që e mban. E atë bën. Mban në dorë perin e balonës-qeveri, pa arritur kurrë që ajo të ngrihet bukur në ajër. Personalisht do e kisha këshilluar: Hiqeni maskën zoti Kryeministër! Mos i përdorni kurrë ato! Ju siguroj se do dukeni më bukur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›