E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Politika ka dhënë prova se e personalizon historinë"

Me ndërrimin e sistemit politik, elita e re politike e ardhur në pushtet mendonte se duhej të ndryshonte edhe historia e shqiptareve sepse, sipas tyre, kjo histori ishte shkruar nga komunistët dhe si e tillë, ishte e falsifikuar nga ta. Në fakt, elita e re politike, duke futur duart në histori s'bënte gjë tjetër pos asaj që kishin bërë edhe paraardhësit e tyre, komunistët. Edhe aktorët kryesorë të këtij debati pothuajse ishin të njëjtë. Historiografia shqiptare vazhdon të jetë me plot mistifikime. Ajo para se të jetë histori e së vërtetës duke u bazuar në fakte, vazhdon të jetë histori e majtë apo e djathtë. Shqetësimi im nga ky debat vjen pikërisht se ky debat nuk u iniciua nga ata që janë të thirrur për këtë punë, pra historianët, por nga politika. Ndërkohë që dihet se gjithmonë kur politika ka futur duart në shkruarjen e historisë, atëherë ka ndodhur edhe shtrembërimi i saj. Dy ngjarje të ndodhura kohën e fundit, njëra në Tiranë dhe tjetra në Prishtinë, më ngacmuan të merrem me këtë temë. Ngjarja e parë, ishte Dita e Çlirimit të Shqipërisë, ku kjo ditë, për mua e shenjtë, nuk u festua së bashku. Demokratët vazhdojnë të mbajnë qëndrimin e tyre, tani më të njohur se Dita e Flamurit, është edhe dita e Çlirimit të Shqipërisë, ndërsa socialistët, por edhe e majta në përgjithësi, këmbëngulin se Dita e Çlirimit të Shqipërisë është 29 Nëntori. Nuk ke se si të mos ndihesh keq si shqiptar që je, kur e sheh se elita politike nuk është në gjendje që së paku Ditën e Çlirimit të Atdheut, ta festojë së bashku. Ngjarja e dytë, ishte përurimi ose shpallja e selisë së LDK-së "Shtëpi Muze", me emrin Shtëpia e Pavarësisë "Ibrahim Rugova". Në të vërtetë u habita nga ky lloj veprimi sepse një vendim i tillë ishte kryekëput politik sesa historik, më shumë i përçan shqiptarët sesa i bashkon ata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›