E Diel, 1 Nëntor 2026

"Djajtë" nisin shkëputjenSiti rikthehet i frikshëm

TIRANE-Në pritje të supersfidës mes Arsenalit dhe Çelsit, në program sot në mbrëmje, Mançester Junajtid ka arritur fitoren e radhës në kampionat, duke mposhtur lehtësisht 2-0 Sandërlendin në "Old Traford". Një triumf që i konfirmon "Djajtë e Kuq" si skuadrën pretendente për fitimin e Premier Ligës, ndërsa shkëputja nga rivalët tashmë bëhet më e dukshme. Edhe pse Siti i Mançinit ndodhet vetëm dy pikë larg, Mançester Junajtid ka një ndeshje më shumë për të luajtur dhe mund ta rrisë akoma më shumë diferencën. Ndeshja e djeshme, e luajtur në "boxing day" ka qenë si një shëtitje për skuadrën e Aleks Ferguson, që ka realizuar nga një gol për secilën pjesë me anë të bullgarit Dimitar Berbatov. Por, megjithëse diferenca në fund ishte vetëm 2 gola, skuadra vendase ka qenë e frikshme, duke krijuar të paktën 5 mundësi të arta vetëm në pjesën e parë. Berbatov dhe Anderson goditën shtyllën dy herë, duke tronditur ekipin e Stiv Brus që edhe njëherë tregon limitet e tij kur luan në "Old Traford". Me fitoren e djeshme Mançesteri shkon në kuotën e 37 pikëve, ndërsa dy rivalët kryesorë, Arsenal e Çelsi, tashmë duken larg.
Siti i frikshëm
Në ndeshjet e djeshme është rikthyer te fitorja edhe Mançester Siti, që ka mundur 3-1 në transfertë Njukasëllin. Pas disfatës 1-2 në shtëpi, Citizens kanë hyrë në fushë me një tjetër mendje në sfidën e djeshme në "St.James Park". E në fakt, skuadrës së Roberto Mançinit i kanë mjaftuar vetëm 5 minuta për të shënuar dy herë në portën e vendasve. Në të parin ishte një gabim i portierit që i lejoi Garet Berrit të realizonte golin e avantazhit, ndërsa në të dytin aksioni i Sitit ka qenë tepër i bukur duke i dhënë qetësi në stol Mançinit. Në pjesën e dytë, goli i Kerrol në minutën e 72-të u duk se rihapi ndeshjen, por Karlos Tevez realizoi sërish 10 minuta para fundit. Me fitoren e djeshme Siti konfirmohet si një nga rivalët për titull, por duke parë formën e Mançesterit apo edhe gabimet që bën herë pas here skuadra e Mançinit ndaj kundërshtarëve të vegjël, një gjë e tillë duket shumë e vështirë. Gjithsesi, 35 pikë pas 20 javësh duken një ecuri e mirë për këtë ekip.
Totenhemi
Një fitore tepër e rëndësishme për Totenhemin, që dje ka mundur 2-1 në transfertë Aston Vilën, duke marrë një 3-pikësh të artë për renditjen në kampionat. "Gjelat" e Londrës janë parë të shplodhur pas dy javëve pushim dhe në fushë kanë treguar një futboll spektakolar, duke dominuar në çdo aspekt të zotët e shtëpisë. Ishte holandezi Rafael Van der Vart heroi i skuadrës së Herri Redknap, që me triumfin e djeshëm e sheh veten vetëm 1 pikë larg Çelsit të Ançelotit. Takimi ka nisur me Totenhemin në sulm, por rastin më të pastër e pati Vila me anë të Agbonlahor. Gjithsesi, në minutën e 23-të Van der Vart gjeti golin e avantazhit, duke shokuar vendasit e Hulier. Tre minuta më pas Zhermen Defo la Totenhemin me 10 vetë, por Aston Vila ka vuajtur shumë shpejtësinë e miqve. Në pjesën e dytë, kur pritej barazimi, Van der Vart shënoi edhe golin e dytë. Goli i Ollbrajtën 8 minuta para fundit, i shërbeu vetëm atij, pasi rezultati nuk ndryshoi. Në takimet e tjera të luajtura dje, spikat fitorja e Uest Hemit në fushën e vështirë të Fulhamit, si edhe triumfi 2-0 i Boltonit ndaj Uest Bromit të Di Mateos. Fitore ka arritur edhe Stouk, që mundi 2-0 në transfertë Blekbërnin.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›