E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Edward Lear" kërkon status kombëtar

 
Edicioni i 11-të i konkursit të artit viziv "Edward Lear" u mbyll dy ditë më parë në galerinë me të njëjtin emër, në qytetin e Beratit. Rreth 60 artistë pjesëmarrës me mediume dhe teknika të ndryshme, pikturë e skulpturë, video, kolazh, instalacion, fotografi etj. Fituesit e sivjetshëm janë disa artistë që e kanë krijuar këtë çmim dhe kanë marrë pjesë në disa edicionet. Juria me kryetar Leon Çikën, vlerësoi me çmimin e parë piktorin Kastriot Dervishi, me çmim të dytë skulptorin Nezir Ago dhe me çmim të tretë, Llambrini Denën. Ndërsa çmimi i karrierës shkoi për artistin e traditës Jorgaq Gogu.
Një kënd të veçantë "Lear '07" zinin të rinjtë dhe mediumet moderne të arteve vizuale. "Si organizator i dy edicioneve të fundit vërej se përvoja e fituar dhe rëndësia që ka ky çmim në artet vizive por dhe në jetën kulturore të qytetit, kërkon përmasa e hapësira më të mëdha për tu kthyer në çmim kombëtar ku të marrin pjesë artistët më të rëndësishëm të vendit", tha Agron Polovina, organizator i "Lear '07". "Për mua është shumë i rëndësishëm ky moment dhe po kërkoj që edicioni i ardhshëm, pra "Lear '08" të jëtë një konkurs kombëtar. Këtë e kam bindje sepse kemi artistë të rëndësishëm, kemi një galeri me hapësira dhe kushte shumë të mira teknike dhe mbështetjen e nevojshme për një aktivitet të tillë."
Çmimi "Edward Lear" u krijua në vitin 1997 për nder të piktorit anglez që ka lënë një vepër të mësur me temë Beratin. Në konceptin e vet "Lear" është një konkurs vjetor që vlerëson krijimtarinë më të mirë të vitit të artistëve të qytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›