E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Vlora,rrethi më i pasur me monumente natyrore"

 

ARRESTIMET DHE MJEDISI

 

Duke shprehur solidarizimin tim për mbrojtjen e gjeomonumenteve, gjeoparqeve, lagunave dhe monumenteve të tjera natyrore të Gjirit të Vlorës dëshiroj të argumentoj sa më poshtë: Vlora është rrethi me numrin më të madh të monumenteve të natyrës. Kjo dëshmohet më së miri nga Lidhja Nr. 1 e Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 676, datë 20.12. 2002: "Për shpalljen zonë e mbrojtur të monumenteve të natyrës Shqiptare".Në bregdetin e Vlorës, nga grykëderdhja e Vjosës në veri e deri në Qeparo gjenden laguna, plazhe, gjeoparqe, gjeomonumente me vlera ndërkombëtare. Të tilla janë: rezervati pyjor i Pishë Poros, gjeomonumenti paleoambiental i Zvernecit, Laguna dhe ishulli i Nartës, Laguna e Orikumit, Gjeoparku i Llogarasë, Riviera e detit Jon, shpellat bregdetare etj.

Bregdeti ranor me forma të bukura të sedimentimit, me plazhin e virgjër të Zvernecit dhe Laguna e Nartës me ishullin në mes, me pyllin shekullor, përbëjnë një gjeopark me vlera të rralla e komplekse. Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 680, datë 22.10.2004 zona bregdetare nga grykëderdhja e Vjosës në veri e deri tek pusi i Mezinit dhe pylli i sodës në jug (19 738 Ha) është shpallur sistemi lagunor Vjosë – Nartë, peizazh ujor-tokësor i mbrojtur. Këtu brezi bregdetar hyn në nënndarjen A1, që ruhet dhe mbrohet në mënyrë strikte.

Baza ligjore për mbrojtjen e mjedisit dhe të natyrës ekziston, por ajo duhet zbatuar. Këtu vlen të përmendim disa nga aktet kryesore ligjore si: Ligji Nr. 7664, datë 20.01. 1993, i quajtur edhe "ligji bazë" i Mjedisit, ligji Nr. 8906, datë 0.6.06. 2002, për zonat e mbrojtura, ligji Nr. 8934, datë 05.09.2002, për mbrojtjen e mjedisit, VKM Nr. 676, datë 20.12.2002, për shpalljen zona të mbrojtura si monumente të natyrës shqiptare, ligji Nr. 8990, datë 23.01.2003, për vlerësimin e ndikimit në mjedis, ligji Nr. 9587, datë 20.07.2006, për mbrojtjen e biodiversitetit etj.

Shqipëria tashmë e ka konfirmuar pjesëmarrjen e vet në strukturat evropiane për mbrojtjen e mjedisit nëpërmjet nënshkrimit të konventave të rëndësishme ndërkombëtare. Me VKM Nr. 469, datë 23.06.2005 është miratuar strategjia e planit kombëtar të veprimit për zbatimin e Konventës së Aarhusit, në të cilën përveç të tjerash theksohet e drejta për informacionin, për pjesëmarrjen e publikut dhe e drejta për t'iu drejtuar gjykatës në çështjet që lidhen me mjedisin.

Por Bregdeti Shqiptar është pjesë e Mesdheut dhe për mbrojtjen e tij duhet të kihen parasysh edhe dokumentet e Komitetit Mesdhetar për Turizmin dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm në Rajonin e Mesdheut (MCSD). Është për t'u çuditur fakti që për zbatimin e ligjeve dhe vendimeve në fushën e mbrojtjes së natyrës dhe mjedisit, në shumicën e rasteve ngarkohet Ministria e Mjedisit, por ajo pothuajse nuk prononcohet fare për këto probleme kaq të rëndësishme.

*International Association of Geomorphologists/ Geological Research Institute

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›