E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qato: Une kampion bote

TIRANË – Kreshnik Qato është plotësisht i bindur se do ta fitojë titullin botëror në peshën e mesme të boksit profesionist, federata WBF. Sapo zbriti në tokën shqiptare ai u deklaroi mediave se beson tek vetvetja dhe se gëzon formën më të mirë sportive qysh se ka nisur këtë sport .”Jam në formën më të madhe të karrierës sime, - tha Qato, - besoj se do ta arrij fitoren”. Kundërshtari i radhës është portugezi Vitor Sa, që do të masë forcat me shqiptarin në orën 20.00 në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, nesër në kryeqytet.

“Nuk e njoh mirë kundërshtarin tim, - vazhdoi kampioni shqiptar, - por kjo nuk do të më pengojë që ta fitoj ndeshjen dhe titullin”. Për vetë rëndësinë e takimit, federata WBF (World Boxing Foundation) do të ketë në Tiranë presidentin Mik Krauçër dhe koordinatorin për Europën, Olaf Shrëder. Qato sponsorizohet nga z.Ylli Ndoqi, pronari i kompanisë Yldon, ndërsa sponsorizues të ndeshjes janë edhe MTKRS, Bashkia e Tiranës, Ora Neës TV, Univers Reklama, hotel “Rogner”, Austrian Airlines, Vivechrom, Joy Travel, Ajer Promotion etj.

“Dua të falënderoj ata që bënë të mundur që kjo ndeshje të zhvillohej, - tha 29-vjeçari i lindur në Durrës, - që për mua është plotësim i një ëndrre”. Qato veçoi në falënderimet e bëra sponsorin dhe promotorin e tij Ylli Ndroqi të kompanisë “Ylldon shpk”. “Pa mbështetjen e tij unë nuk do të isha kaq pranë titullit botëror”, - tha boksieri.

Promotori Ndroqi kërkoi mbështetje sa më të madhe nga biznesi për ndeshjen e Qatos, por kërkesa e tij ishte edhe për tifozët. “Ky është një eveniment i madh dhe shumë i rëndësishëm, - vlerësoi ai, - sepse mund t’i tregojmë botës se jemi në gjendje të synojmë dhe të konkurrojmë për tituj të vështirë. I bëj apel të gjithë shqiptarëve dhe bizneseve të na mbështesin”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›