E Diel, 1 Nëntor 2026

"Galeria Kombëtare e Arteve" Pikturat e ndaluara, ngjallin kureshtjen e vizitorëve

120 vjet art i pikturës dhe skulpturës në Shqipëri qëndron hapur për publikun
Linja muzeale në Galerinë Kombëtare të Arteve këto ditë ka pasur një fluks vizitorësh, të cilët kanë vizituar mjediset e saj. Pas çeljes së kësaj linje, janë ekspozuar dhe shumë vepra, të cilat më parë nuk ishin në këto mjedise. Linja e veçantë muzeale, e cila qëndron e hapur prej disa ditësh në mjediset e reja të Galerisë Kombëtare të Arteve, ka tërhequr së fundmi, jo vetëm vëmendjen e vizitorëve shqiptarë, por edhe atyre të huaj, bëjnë të ditur punonjësit e saj. Disa ditë më parë, ky institucion është shfaqur para artdashësve kryeqytetas, me një fytyrë të re e me ambicie të reja, por veçanërisht në këtë ditë është përuruar edhe linja e re muzeale, nën emrin "120 vjet art i pikturës dhe skulpturës në Shqipëri nga fundi i shek. XIX deri në fund të shek. XX". Nga vetë punonjës të GKA mësohet se, jo vetëm mjediset e reja bashkëkohore dhe në mënyrë të veçantë historia që përmbajnë tablotë e ekspozuara në linjën muzeale kanë tërhequr një numër të madh vizitorësh, të cilët i përkasin të gjitha moshave,ndërkohë që GKA këto ditë mund të vizitohet falas.Që nga vitet 90, kur me rënien e komunizmit dhe hyrjen e demokracisë në vendin tonë, çdo vepër arti, e cila kishte të bënte me diktaturën u hoq apo u shkatërrua në Galerinë Kombëtare të Arteve,  ndërkohë me qindra vepra të realizmit socialist rrinin bodrumeve të institucionit. Së fundi me ndërtimin e kësaj linje muzeale pikturat e ndaluara të demokracisë siç janë ato me përmbajtje udhëheqësit komunistë shqiptarë dhe pikturat e ndaluara të komunizmit, të krijuara në të njëjtën periudhë me të parat, janë të ekspozuara në pavijonin e përhershëm të ekspozimit të inaguruar këto ditë në GKA. Përveç pikturave, sallat kanë të ekspozuara edhe skulptura, ku për nga historia, mes tyre dallon një gjysmë trupi (nudo) e autorit Janaq Paço. Kjo vepër ishte bërë pronë e GKA më 5 maj 1964 dhe deri në vitin 74 ka qenë e plotë. Pikërisht në atë vit, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe Sigurimi i Shtetit e detyruan skulptorin Janaq Paço që ti thyente të gjithë veprat me frymë moderne, pasi nuk mund të lejohej asnjë ndikim nga arti i huaj në veprat e realizmit socialist. Në të njëjtën kohë, u thye edhe nudoja që tashmë ekspozohet gjysmake në GKA. Nga vetë drejtori Rubens Shima, ky është cilësuar si një moment historik për Galerinë Kombëtare të Arteve. Kjo linjë përfshin një periudhë prej gati 120, vjetësh duke filluar nga viti 1883, vit që mban tabloja Motra Tone e Kolë Idromenos dhe që shkon deri në fillim të viteve 2000, duke treguar rrugën që kanë përshkruar artet pamore në Shqipëri për të mbërritur në fillim të shekullit XXI. E veçanta e kësaj linje ekspozuese permanente është se ajo vjen si një strukturë e re historike për artin shqiptar, që nuk bazohet më tek formula e vjetër Rilindje- Realizëm Socialist - Arti pas viteve 90, por që ngrihet mbi një koncept të ri seksionesh ndarëse të pikturës dhe skulpturës së lëvruar në vendin tonë. Janë konceptuar gjashtë seksione, që përcjellin në mënyrë të strukturuar historinë e artit shqiptar. Seksioni i parë, i titulluar Fillesat e pikturës në qytetet shqiptare përmbledh artifaktet e para të pikturës dhe skulpturës shqiptare, duke ndarë në dysh periudhën e ashtuquajtur Art i Rilindjes dhe i Pavarësisë dhe duke grupuar autorë dhe vepra që shënojnë fillimet e një pikture laike në vend. Seksioni i dytë, i titulluar Piktura Realiste dhe Shkolla e Vizatimit (1930-1950) përmbledh veprat dhe autorët e parë të shkolluar në shkollat e artit të vendeve fqinjë, por edhe evidenton një moment historik si ai i hapjes së shkollës së artit në Tiranë në vitin 1931. Seksioni i tretë Piktura/skulptura akademike dhe tabloja me temë historike (1950- 1986) përpiqet të depërtojë në natyrën e një arti të kompletuar në arritje teknike, që vihet në funksion të politikës dhe pushtetit, duke prodhuar edhe tablonë historike tipike që shoqëron periudhën e Realizmit Socialist. Ky seksion përpiqet të bëjë një kalim të zbutur nga piktura realiste e trashëguar prej viteve 40, drejt pikturës së Realizmit Socialist që fillon në vitet 60 për të vazhduar deri në fund të viteve 80. Realizmi Socialist, Ndërtimi i Modeleve të Njeriut të Ri (1960-1986) është seksioni vijues i cili përqendrohet qëllimisht në aspektin më thelbësor të këtij arti, atë të ndërtimit të njeriut të ri dhe të përçimit të propagandës socialiste. Për herë të parë, Galeria Kombëtare i kushton një hapësirë të tërë të ashtuquajturës piktura formaliste e viteve 70, me seksionin e pestë të titulluar Piktura Formaliste e Realizmit Socialist (1969-1974), ku përpiqet të hedhë dritë dhe të sjellë me detaje një aspekt të rëndësishëm në kulturën tonë si ai i quajtur liberalizëm i viteve 70, që reflektoi edhe zhvillimet në artin pamor. Seksioni i fundit Piktura dhe skulptura moderniste (1989-2001) bashkë me nëntemën Elementë të pikturës moderniste në vitet 1960-70, përpiqet të dokumentojë ndryshimet në artin shqiptar, që vijnë bashkë me rënien e socializmit, për të ardhur drejt një pikture moderniste, që zhvillohet gjatë dhjetëvjeçarit 1990-2000.  

Last Updated on Thursday, 21 May 2009 08:32

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›