Ina Rama paralajmëron reformën
Kryeprokurorja kërkoi më shumë bashkëpunim mes vartësve dhe ristrukturim të punës
TIRANË- Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, paralajmëron reformë të thellë në organin e akuzës në këtë fundviti. Gjatë takimit disaorësh me drejtuesit e prokurorive të rretheve dhe asaj të Krimeve të Rënda, kryeprokurorja Rama u bëri me dije atyre prioritetet e punës, ndërsa kërkoi forcim të bashkëpunimit me të gjitha hallkat e prokurorisë. "Reforma në Prokurorinë e Përgjithshme nëpërmjet ristrukturimit të kësaj hallke dhe përcaktimi në mënyrë të detajuar i detyrave të çdo drejtorie dhe sektori që do të funksionojë pranë zyrës së Prokurores së Përgjithshme",-mësohet të ketë thënë kryeprokurorja Rama ndër të tjera, duke kërkuar disiplinimin në marrëdhënie me median, për ruajtjen e sekretit hetimor. Kryeprokurorja Rama, gjatë takimit mësohet se kërkoi nga drejtuesit e prokurorive të përqendrohen në hetimin e çështjeve që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar, krimit ekonomik, korrupsionin, lëndëve narkotike etj. "Hetimi i këtyre çështjeve duhet të bëhet pa abuzuar me zgjatjen e hetimeve si dhe një orientim dhe prezencë më të madhe të prokurorëve, ku ndodhin krime të rënda si dhe veprime proceduriale të një procesi hetimor",-ka porositur kryeprokurorja. Mësohet gjithashtu se prokurorët e rretheve kanë kërkuar nga drejtuesja e institucionit t'i jepet një pavarësi prokurorit në hetimin paraprak përballë drejtuesve të tij dhe kanë shprehur problemet që hasin për çdo ditë në punën e tyre. Sipas këtij njoftimi zyrtar, prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, kërkoi dhe tërhoqi vëmendjen e drejtuesve të akuzës, në lidhje me forcimin e disiplinës në punë të prokurorëve si pjesë e performancës dhe etikës së prokurorit karshi opinionit dhe mediave. Në vazhdim të prioriteteve të saj në detyrën e Prokurores së Përgjithshme, Rama kërkoi nga drejtuesit përkushtim me kohë të plotë të këtyre hallkave dhe angazhimin e tyre në proceset gjyqësore në çështjet të veçanta.