Art në Siberi
Gjithçka do të kishte qenë shumë herë më e bukur, shumë herë më e ndjerë, nëse publiku në sallë, nuk do të dridhej së ftohti. U bënë vite tashmë që publiku i TKOB-it, nuk shikon një vepër në kushte optimale. Do të jetë ose shumë vapë, ose shumë ftohtë. Në "Lakuriqin e natës", qëlloi që të ishte shumë ftohtë. As që bëhet fjalë që spektatori të heqë palltot e xhupat, përkundrazi, kur shkon në TKOB, vishet edhe më trashë se zakonisht. Në hollin e teatrit ishin vendosur disa soba me gaz, ndërsa lart në skenë katër ngrohësa me korent, për të thyer paksa temperaturat e akullta. Por me mjete të tilla primitive është e vështirë të ngrohësh sallën e operës. U bë kohë tashmë që nga ana e drejtorisë së TKOB-it është dorëzuar në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve një projekt për rikonstruksionin e sistemit të kondicionimit, por deri tani mësohet të mos ketë asnjë përgjigje. Kush e di se ku ka përfunduar ai projekt. Politikëbërësit ankohen për kalendarët monotonë, mungesën e repertorit, por askush nuk e vë ujin në zjarr për të krijuar kushte për artistët. Është jashtë çdo llogjike që t'i kërkohet një drejtori teatri që të sigurojë kushte me fondet që i akordohen nga MTKRS. Për të pasur kushte më të mira, në sallë të ngrohtë në dimër e të freskët në behar, duhet më shumë se dëshira e mirë. Duhet një vullnet politik. Vullnet që viteve të fundit sigurisht që ka munguar. E teksa i sheh këngëtarët të japin maksimumin e të këndojnë aq bukur në kushte kaq të vështira, nuk ka se si të mos të të shtohet respekti për ta