Me personazhet e Çajupit
Tana, Gjinoja, Vangjeli, Zonja Lulushe, u ngjitën edhe njëherënë skenë për fundvit. Në sallën e kinemasë që Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, u shfaq në datat 22 dhe 23 "Kujtime nga Çajupi". Një përmbledhje e komedive të famshme "Pas vdekjes" dhe "14 vjeç dhëndër". Një vënie e re, që dallon jo thjesht prej grupit realizues, por edhe mënyrës së trajtimit. Ideja për të ngjitur në skenë këto komedi gazmore ishte e regjisores Sonila Kapidani, pas së cilës qëndron kompanija "ATELIER 31", qëllimi i së cilës është të jetë një laborator krijues për artistët e rinj.
Komeditë erdhën përmes lojës së aktorëve Valdrin Asani, Oriana Cama, Daniel Xhuli, Benart Laze, Ejona Torba, Xheni Demi, Genti Deçka, Anila Balla, Ledian Papagjoni, Dafina Llupi, Arbër Islami. Një grup pune ky, që regjisorja dhe pedagogia Kapidani e ka ndërtuar që prej dy vjetesh. Shfaqja e tyre e parë ishte "Mirë...apo keq...?", e cila i është drejtuar një publiku të ri në disa rrethe të Shqipërisë dhe në Mal të Zi e Maqedoni, ku sipas kapidanit u prit shumë mirë. Komeditë e ngjitura përgjatë dy netëve në skenën e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, u trajtuan si "comedia dell'arte" . Një shfaqje, ku u ndërthurën me harmoni teatri i trupit dhe ai i fjalës. Personazhet, tashmë të njohur nga publiku shqiptar, si Doktor Adhamuti, Vurkua, Zonjëza Lulushe, apo Zeneli, Tana apo Vangjeli, etj., përcollën një tjetër energji. Sipas konceptit të Kapedanit, personazhet shqiptarë u ndërtuan sipas personazheve të "comedia dell'arte", si Arlekino, Doktori, Të dashuruarit, etj. Në netë të ndryshme shfaqja u interpretua nga aktorë të ndryshëm. Nën të njëjtin kostum ofroheshin interpretime të ndryshme. Në këtë prag festash, përmes Çajupit, Kapedani, ofron ca mesazhe për vitin që vjen, të cilat çuditërisht i qëndrojnë të gjitha kohërave. Edhe njëherë publiku pati rastin të shohë se çfarë janë të detyruar të bëjnë njerëzit që kërkojnë të ngjisin me pahir shtresat shoqërore dhe se si ata bëhen komikë, duke u munduar të bëhen të famshëm. Sesi vendosen fate martesash vetëm sepse "kështu e do zakoni", sepse "kështu duhet të jetë", pa marrë parasysh ndjenjat njerëzore. Skenografia dhe kostumografia e veprës u realizuan nga Erald Bakalli dhe Klajd Kapidani, ndërsa muzika nga "FAF STUDIO".