E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë komedi në një ditë

Një kartolinë e veçantë në prag të Krishtlindjeve. Pesë komeditë më të shikuara që janë shfaqur gjatë vitit 2007 do të vijnë sërish në ekranin e madh brenda një dite të vetme. Kinema Millennium ia ka kushtuar ditën e sotshme komedisë."Knocked up", "Epic Movie", "Norbit", "Mr. Bean's holiday" dhe "Night at the museum" rikthehen në ekranin e kinemasë për kënaqësinë e publikut.
Çdo seancë, një komedi ndërkohë që të gjitha seancat do të kenë të njëjtin çmim të reduktuar, 200 lekë. Ata që nuk kanë pasur mundësi të ndjekin aventurat dhe të qeshin me filmat komikë gjatë vitit, tashmë mund të shijojnë në kohën më festive dhe të bukur të vitit, humorin tipik amerikan të sjellë mjeshtërisht nga aktorë si Ben Stiller, Eddie Murphy, Robin Williams dhe aktori i famshëm britanik Rowan Atkinson. Por edhe dy aktorët e komedisë së famshme "Knocked up" që është shpallur nga kritika si një ngjarje e rëndësishme kulturore në kinematografinë e ditëve të sotme.
Të gjithë fansat e kësaj gjinie filmike mund të ndjekin pesë komeditë sot në Kinema Millennium 2. Dita e Komedisë, shënon fillimin e një iniciative të re në funksion të preferencave të publikut shqiptar. Argëtimi nuk kufizohet me kaq. Nesër është radha e një tjetër komedie që do të projektohet premierë në ekranin e madh deri në ditët e para të janarit. Është "Chuck and Larry"( me protagonistë Adam Sandler, Kevin James, Jessica Biel Steve Buscemi) që do të pasojë Ditën e Komedisë duke premtuar një argëtim në rritje për të gjithë fansat e kinemasë. Mësohet se Dita e komedisë do të pasohet nga ditë të tjera të veçanta si Dita e Dramës, Dita e Aksionit, Horrorit dhe Fantashkencës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›