E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumirë Teta Xhanës

Iu dha lamtumira e fundit regjisores Xhanfize Keko. Më të trishtuarit, fëmijët e filmave
Të përfshirë nga turma e njerëzve që kanë ardhur për t'i dhënë lamtumirën, zor se mund t'i njohësh. Kanë kaluar shumë vite dhe ata nuk janë më fëmijë. Janë bërë burra tani. Jeta i nxorri në shtigje të tjera. Shumica nuk u mor më me kinematografi, por ata vazhdojnë të ndihen ende fëmijët e filmave, por më së shumti fëmijët e Teta Xhanës. Dje në mesditë, miq, kolegë, njerëz të politikës, i dhanë lamtumirën e fundit kineastes Xhanfize Keko, e cila u nda nga jeta paraditen e së shtunës në moshën 79-vjeçare. Mes të shumtëve që morën pjesë në ceremoninë mortore të organizuar në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar janë edhe disa nga fëmijët-aktorë, që Xhanfize Keko i bëri të njohur përmes filmave të saj. "Ajo është nënë e filmave shqiptarë për fëmijë", - thotë Fluranc Ilia, djali që ka luajtur rolin e Gurit tek "Tomka dhe shokët e tij". "Sot është një ditë e dhimbshme, pasi ne vetëm mund të përkulemi para trupit të saj dhe nuk mund ta takojmë, t'i dëgjojmë zërin e ëmbël. Por ama emri i saj s'ka për të qenë kurrë larg kinemasë shqiptare dhe sidomos nga filmi për fëmijë", -teksa e quan veten me fat që ka luajtur në një nga filmat e Xhanfize Kekos. "Të merresh me fëmijët është tepër e vështirë, por ajo dinte si të na mbështillte me shumë dashuri, të na mësonte mirë se ç'duhej të bënim, të na fuste në rol dhe të na nxirrte në pah atë çka ne ishim. Ndaj edhe këta filma janë të pavdekshëm, pasi fëmijët nuk janë gjë tjetër veçse vetvetja e tyre", - thotë ai. Genci Musho pati fatin të ishte ndër të përzgjedhurit e Kekos në disa filma, tek "Tomka dhe shokët e tij", ku luan rolin e Gëzimit, "Pas gjurmëve", "Beni ecën vetë", "Partizani i vogël Velo" dhe do ta ndiejë mungesën e teta Xhanës, ndoshta më shumë se të tjerët. "Ne jemi fëmijët e filmave të saj. Kjo është një humbje shumë e madhe, jo vetëm për kinematografinë shqiptare, por një humbje për fëmijët. Por shpresoj që të dalë ndonjë regjisor i ri që ta çojë para punën e saj, të vijojë të bëjë filma për fëmijë.
Ajo ka bërë punën e saj shumë të madhe që një pjesë e mirë e jona janë personazhe në filmat më të mirë për fëmijë", - thotë Musho, i cili dy vjet më parë mori Çmimin Ndërkombëtar të Karrierës në Festivalin e fëmijëve "Giffoni".
Dje, për t'i dhënë lamtumirën regjisores së filmave për fëmijë mori pjesë edhe kryeministri Sali Berisha. "Sot është një ditë zie për botën artistike dhe kulturore shqiptare. Xhanfize Keko ishte një nga personalitetet më të shquara dhe më të suksesshme të filmit shqiptar. Ajo sot ndahet nga familja dhe nga shoqëria të cilës i shërbeu me përkushtim shumë të madh. Ajo ndahet nga bota e artit, por le pas një trashëgimi shumë të pasur, të çmuar në arkivin e filmit shqiptar",- u shpreh kryeministri Berisha.
Keko është edhe e para kineaste femër në Shqipëri, e cila e nisikarrierën si një nga shtatë anëtarët themelues të Kinostudios "Shqipëria e Re", më 1952. Pas një përvoje të gjatë si montazhiere e dokumentariste, filloi karrierën e regjisores, më 1971. Për 13 vjet xhiroi 12 filma, që janë edhe sot mjaft të pëlqyer. Filmografia e saj përfshin "Taulanti kërkon një motër", "Një vonesë e vogël", "Kur xhirohej një film", "Partizani i vogël Velo", "Pas gjurmëve", "Tomka dhe shokët e tij", "Tinguj lufte", "Beni ecën vetë", "Qyteti më i ri në botë", "Mimoza llastica", "Kryengritje në pallat", "ABC...ZH" (1971).
Përveç çmimeve e titujve të shumtë, ka fituar edhe Kupën e Festivalit për filmin "Beni ecën vetë". Keko është gjithashtu regjisorja e parë shqiptare e vlerësuar me çmime ndërkombëtare. Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë dhe të Rinj në Xhifoni (Itali), ka fituar medalje për filmat "Beni ecën vetë", "Pas gjurmëve" dhe "Tomka dhe shokët e tij".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›