"Korça feston edhe në dimër", me zërat e korit PAX DEI
/>Kori PAX DEI ka qenë dhe është gjithmonë i pranishëm në shumë aktivitete të rëndësishme, brenda dhe jashtë vendit. Një kor me një repertor jashtëzakonisht të pasur dhe të shumëllojshëm, një kor që në çdo moment dhe eveniment është i përgatitur. Ai ka në përbërjen e tij artistë të mrekullueshëm e cilësorë, të përkushtuar e me një nivel artistik shumë të lartë, ndërkohë që festimet për Krishtlindje dhe Vitin e Ri, në qytetin e Korçës kanë kulmuar me një koncert të korit të njohur PAX DEI.
Koncerti i organizuar për artdashësit korçarë në katedralen "Ngjallja e Krishtit" ishte programuar nga Bashkia e qytetit në kuadër të aktiviteteve të mbajtura në këtë periudhë nën sloganin "Korça feston edhe në dimër". Nën drejtimin e dirigjentes së talentuar Suzana Turku, kori PAX DEI interpretoi me një nivel të lartë artistik pjesë nga Gastoldi, Lasso, Shubert, Ramirez, si dhe pjesë nga kompozitorët e shquar shqiptarë Simoni, Zadeja, Harapi etj. Por duket se publiku ka duartrokitur fort pjesët, "Gloria" e Vivaldit apo " Lule bore" e Simon Gjonit , të cilat u duartrokitën gjatë nga spektatorët artdashës korçarë. Shfaqja koncertale e korit PAX DEI, është një nga aktivitetet kryesorë përmbyllëse të festave në qytetin e Korçës. Për gati një muaj, në këtë qytet janë organizuar një sërë veprimtarish nga të cilat mund të përmenden koncertet muzikore në sheshin përpara Katedrales , ekspozita të ndryshme të autorëve korçarë, aktivitete argëtuese për fëmijë, koncerte variete me këngë dhe humor etj. Këto aktivitete i kanë dhënë gjallëri qytetit me traditë në juglindje të Shqipërisë duke e bërë më te bukur atmosferën e festave në këtë fundvit. Ndërkohë krijimi i korit pati ndikimet e veta edhe në fushën e kulturës dhe arteve. Regjimi komunist, duke e politizuar krejtësisht kulturën dhe artin, e kishte izoluar atë nga kultura perëndimore. Kontradiktat dhe paradokset ishin të pashmangshme në vitet e para të tranzicionit. Vështirësitë ekonomike dhe trysnia në trupat artistike, detyruan mjaft artistë të largoheshin nga vendi. Por, shumë prej tyre, qëndruan dhe shpresuan tek e ardhmja. Edhe Zana, ndonëse në kushte të vështira, qëndroi në Shqipëri, edhe pse pati mjaft oferta nga jashtë vendit. Ishte pranvera e vitit 1993, kur filluan përpjekjet e para për krijimin dhe organizimin e PAX DEI-t; kishte kaluar veçse një vit, nga përmbysja e madhe historike, që ndodhi në vendin tonë. Në mbrëmjen e 7 Korrikut 1993, ndodhi një ngjarje e rëndësishme për kulturën tonë, veçanërisht për artin tonë muzikor. Në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit, u ngjit në skenë dhe dha koncertin e tij të parë, grupi i ri koral, me emrin kuptimplotë dhe domethënës, PAX DEI. Artdashësit, dhe sidomos specialistët e muzikës, u befasuan nga ajo që panë dhe dëgjuan atë mbrëmje. Ishte krejtësisht diçka e re, e bukur, e freskët, e këndshme, tingëlluese, një harmoni zërash me ngjyrime dhe ndjeshmëri të frazave muzikore, një interpretim i vërtetë e profesionalisht i arrirë artistik. Pjesa më e madhe e programit interpretohej accapela. Repertori ishte krejt i ri dhe në skenat tona dëgjohej për herë të parë. Një sukses i jashtëzakonshëm; duartrokitje që nuk pushonin; bravo të forta që buçisnin në sallë; brohoritje; vlerësime maksimale për korin; falënderime për kënaqësinë e madhe dhe emocionet, që kori i kishte dhuruar publikut atë natë. Spektatorët artdashës, e çmuan korin, që në koncertin e parë, për të renë që solli dhe do ta ndiqnin atë me admirim në tërë rrugëtimin e tij të gjatë koncertal. PAX DEI, një grup i ri koral, i suksesshëm që në koncertin e parë, do të njihte suksese të njëpasnjëshme me koncertet e tij, jo vetëm në skenat e Tiranës e qyteteve të tjera të Shqipërisë, por edhe në ato të vendeve të ndryshme të Evropës, ku do të meritonte çmime dhe vlerësime të shumta.