E Diel, 1 Nëntor 2026

"Kur nuk jemi më fëmijë kemi vdekur"

 

COSTANDIN BRANCUS:

"Kur nuk jemi më fëmijë kemi vdekur"

Costandin Brancus, skulptor rumun me emër botëror, krijoi në Paris në gjysmën e parë të shekullit të XX. Vepra e tij që tashmë i takon historisë, ka ngjallur polemika dhe reagime deri të ashpra, por koha e afirmoi atë në mënyrë të pakundërshtueshme, i vepër e artit modern që përfaqëson një epokë të re në evolucionin e sklupturës.

Brancus u lind në Rumani më 21 shkurt 1876 në fshatin Hebitza të Pestisanit, krahinë e Oltëie, në një familje të varfë fshatare. Njëmbëdhjetë vjeçar ai e braktisi fshatin për të dalë nëpër botë. Mbas 7 vjet endjesh aventurore, në fillim bari në një vathë të Karpatëve, dhe ishin barinjtë e Karpateve ata që i mësuan atij qysh në fëmini, artin e skalitjes në dru, duke bërë ornamente në fyejt dhe kërrabat e gjata. Më vonë në Tirgu Jiu, në një punishte ngjyrimi deri sa arrin në Krajova të regjistrohet me përkrahjen e një industrialisti të pasur në shkollën e artit dhe zanatit.

Më 1889 falë një burse që ju akordua fitoi konkursin dhe hyri në Akademinë e Arteve të Bukura të Bukureshtit. Më 1902 u diplomua, por ai kërkonte hapësira të reja, ndjente brenda tij një talent të madh, prandaj me të kryer shërbimin ushtarak niset të vazhdojë studimet në Mynih. Mbas një viti, ai e lë atë dhe më këmbë i drejtohet Parisit. Kaloi luginat e Bovarisë, piu ujë në korritat e fshatrave, lau të linjtat në ujrat e lumenjve, fjeti shpesh nën qiellin me yje të barinjëve të Karpateve, dhe ishte i lumtur që gjendej në mes të natyrës.

Në Paris vendosi të qëndronte përgjithmonë. Këtu të rinjtë artistë kërkonin një pikënisje të re për një art që të korrespondonte me erë e re të energjisë. Parisi ishte qyteti ku njerëzit mësonin të guxonin. Artistë të rinj nga e gjithë bota vinin këtu për t'u çliruar nga paragjykimet dhe për të vepruar me kurajo. Duronin urinë, mizerjen, injorimin por nuk pranonin të shkuarën, kishin drejtuar shikimin drejt së ardhmes, njerëzit e së cilës ishin ata vetë.

Brancus këtu u gjend krejtësisht nën pushtetin e Rodenit ashtu si shumë skluptorë të rinj. Rodeni në ato vite jetonte kulmin e famës. Ishte ky mjeshtri i madh sipas mendimit të skulptorëve të rinj të atyre viteve që hapi dritaren për të fluturuar në hapësirat e pafund të artit. Më 1906 Brancus ekspozon në Paris për herë të parë dhe në të njëjtin vit dërgoi në sallonin e vjeshtës tre buste dhe një vit më vonë në sallonin e Nacionales katër punime të tjera. Këto skulptura u vlerësuan shumë nga Rodeni i cili i propozoi artistit rumun të punojë si nxënës në studion e tij, si shumë skluptorë të tjerë të talentuar. Brancus, xheloz për indipendencën e tij nuk e pranoi ofertën duke ju përgjigjur: "Nuk rritet asgjë nën pemën e madhe". Shumë miq të Brancusit menduan se mjeshtri do të zemerohej, por ai ishte njeri me shpirt të gjërë dhe modest. "Në fund të fundit, - tha Rodeni - ai ka të drejtë, ai është gjithashtu kokëfort si unë."

Mbas tre vitesh ai u vendos në një rrugë krejt tjetër nga Rodeni. Artin e qetë dhe të pastër e ballafaqoi me dinamizmin e atyre viteve. Pushoi së drithëruari dritën mbi sipërfaqet e volumeve, shkëputi fragmentet e trupave, për të kërkuar formën e plotë, formën e mbyllur, volumin "primitiv". "Primitivi" për të nuk kish kuptimin e asgjëje brutale. Koka e vajzës që ai gdhendi në gur më 1908 na shfaqet e zbukuruar dhe të lë mbresa me butësinë dhe ëmbëlsinë e saj. Më 1909-1910 ai krijoi "Muza që fle". Thjesht një kokë e mbështetur, forma e së cilës ka pothuajse pastërtinë e një veze. Sytë, goja pak tregohen, pak shfaqen dhe vetëm një qëndresë fare e shkurtër e dritës në një formë fine dhe lehtësisht e kurbuar, evokon buzët. Modelimi është pak delikat sa forma na shfaqet si materializimi i vazhdueshmërisë së një ëndrre të bukur.

Brancusi shpuri më tutje kërkesat e tij, por mendohet që ai kurrë nuk e superoi forcën emocionale të kësaj "Muze që fle". Ndodhet e ekspozuar në Muzeun e Artit Modern të Parisit.

Në vitet e mëpastajme, Brancusi nuk pushoi së insistuari për t'i dhënë formës përqendrim ekstrem dhe pastërti supreme. Ky shqetësim bëri që më 1924 të gdhendë në mermer një vezë - një lloj veze që ai e quajti "Fillimi i botës" (skulpturë për të verbërit}. Kjo në qoftë se nuk është vepra më emocionale, është pa dyshim vepra që përfaqësoi më mirë rrugën e kërkesave të tij. "Zogu" i tij nuk është më pak i thjesht dhe forma më pak e pastër, por është më e drithshme një vertikale që hollohet e fryhet me finesë. Ai dikur është shprehur: "Gjatë gjithë jetës s'kam kërkuar veçse të vërtëtën e fluturimit... Fluturimi, çfarë lumturie".

Ideja e fluturimit e dinamizmit, e lehtësisë jepet në mënyrë flakeronjëse, ai rrëshqet në hapësirë dhe ngrihet drejt qiellit.

Më 1924 Brancusi skalit në dru arre një gjel. Stilizimi gjeometrik i gjelit i qëndron besnik të dhënave të realitetit. Bazamenti është një cilindër, trupi i gjelit hidhet në një eklips i ndërprerë në tri shkallë të lafshës. Kjo sygjeron jo vetëm formën konkrete të një gjeli por gjithashtu dhe këngën e tij që lajmëron agimin dhe përshëndet diellin.

Brancusi asnjëherë nuk shkëputi lidhjet me atdheun e tij, Rumaninë. Ai jo vetëm që ka marrë pjesë në të gjitha ekspozitat e arteve figurative në Rumani, por ka realizuar atje dhe pikërisht në Tirgu-Jiu, vepra nga më të rëndësishmet. Më 1938 ai merr pjese në inagurimin e "Styllës pa fund", "Portës së puthjes" dhe "Tryezës së heshtjes" .

"Kolona pa fund" e formuar me çelik, është 30m e lartë, e vendosur në Tirgu-Jiu. Në rrethinat e qytetit mbi terren të rrafshët silueti finesa e të cilit arrin retë. Këto forma janë frymëzuar nga motive dekorative të nxjerrë nga arkitektura popullore. Ajo të lë përshtypjen që humb në blunë e qiellit, drejt së cilës ajo ngrihet si një mesazh i aspiratave të shpirtit njerëzor.

Brancusi solli në sklupturë dendësinë e formës, përqendrim dhe lakonizmin ekstrem. Që rrallë e gjejmë në historinë e saj. Padyshim këtë mund ta bënte një skulptor tek i cili vorbulla e botës moderne nuk pati ndonjë efekt, për të ishte i rëndësishëm meditimi mbi të vërtetën e përjetshme. Megjithatë Misteri Brancus nuk është ndriçuar akoma.

Shkrimtarët kritikë të artit nuk puqen gjithmonë në vlerësimet e tyre, në interpretimin që duhet t'i japin atij. Për disa Brancusi është një ekspresionist, për të tjerë klasik, kubist, skulptor barok, primitiv ose nga të parët mjeshtër të artit abstrakt. Oriental, bizantin dhe gotik, skluptor i miteve si dhe shumë epitete të tjera. Përpara këtij orteku komentesh kaq të komplikuara dhe kontradiktore, Brancus që ishte Mjeshtëria vetë, do të kishte qeshur.

Ai i konsideronte të kota teoritë, për vete ka thënë: "Mos kërkoni formula të errëta, ose mistere, është gëzimi dhe lumturia e pastër ajo që unë ju ofroj. Vëreni sklupturat e mija deri sa të përfshiheni nga prezenca e tyre."

Barinjtë e Karpateve i mësuan qysh në fëmini artin e gdhendjes, skalitjes në dru të ornamenteve në fyej dhe në kërrabat e gjata. Gjatë gjithë jetës ai preferoi skalitjen direkt. Dashuria për zanatin dhe artizanatin e bënë të ndjeshëm të ai ndikimin e artit popullor. Ishte një artizan i lindur, nuk ka shembull tjetër të tillë. Në atelie nuk kishte çirak, gur-gdhendës ose lustrues të mermerit dhe të metaleve, por i bënte vetë të gjitha zanatet.

E ruajti deri në fund të jetës thjeshtësinë dhe forcën e një fshatari rumun i cili kishte gjetur në artin popullor syzhetë e tij më të rëndësishme, por edhe mënyrën e tij të punës, të krijimit- marrëdhëniet ndërmjet zanateve dhe mbi të gjithçka elementët fundamentalë të ,konceptit të formës së pastër.

Sir Herbert Read, kritik arti i shquar, kostaton se forca e tij lindi nga kundërvënia e dy principeve kryesore: naiviteti i fëmijës që ai vëren botën me sy të pafajshëm

dhe mençuria që i ka rrënjët thellë në të kaluarën. Kjo bën që format që ne shohim nuk janë të pafajshme, por të diktuara nga forca inkoshiente. Brancusi vetë e pranon ekzistencën brenda tij të naivitetit të fëmijës që penetron në mënyrë intuitive në faktet, esenciale. Ky naivitet s'është veçse pastërtia e shpirtit e këtij artisti të madh: "Kur nuk jemi më fëmijë kemi vdekur".

Është kjo që i lejon atij të kapë mrekullitë e jetës dhe mençuria që ka rrenjët thellë në të kaluarën.

Brancusi jetoi në vetmi por ai e dashuronte jetën, natyrën, njerëzit. Në sajë të kësaj dashurie ai ndjeu lidhjet harmonike e misterioze të botës krijuese, zbuloi të drejtën absolute që shkonte në akord me veprën e tij. Por shpjegimi më i drejtë për këtë vepër gjendet në fjalet e tij të thjeshta: "Duhet ngjitur shumë lart, për të parë shumë larg".

Jeta e pasur e këtij bariu të mençur Karpatesh mbaroi në Paris më 16 mars 1957. Varri i tij në Montpernas të Parisit është krejt i thjesht, por dinjitoz dhe i ashpër ashtu si jeta e tij.

Një rrasë guri ku është grryer emri, data e lindjes dhe e vdekjes. Opinioneve që akoma në ditët tona kundërshtojnë krijimtarinë e tij i përgjigjet gjeli që nuk pushon së lajmëruari agimet e një jetë të re. Kolona pa fund që mban në vazhdimësi kubenë qiellore, Zogu në hapësirë që me entuziazëm të papërmbajtur fluturon drejt blusë, zgjon tek njerëzit mrekullinë e jetës.

Skulptor

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›