Biznesi, hiqet anëtarësimi me detyrim në Dhomat e Tregtisë
Hiqet detyrimi i biznesit për të paguar një kosto vjetore pranë Dhomave të Tregtisë
Qeveria me anë të një vendimi ka kërkuar nga ana e parlamentit që të shfuqizojë nenin në ligjin 9640, i cili kërkonte regjistrimin e detyrueshëm të bizneseve të mëdha në Dhomat e Tregtisë dhe të Industrisë dhe ka vendosur regjistrimin vullnetar. "Për t'i bërë Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë një bashkësi vullnetare të gjithëpranuar nga komuniteti i biznesit, në këtë projektvendim propozohet të hiqet anëtarësia e detyrueshme në këto dhoma",thuhet në vendimin e qeverisë. Vetë qeveria, në relacionin shoqërues për vendimin në fjalë ka pranuar se tashmë Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë do të jenë të barabarta në treg dhe që nga ky moment, bizneset do të kenë mundësinë të zgjedhin anëtarësimin që ju ofron shërbimin më të mirë. Demokratizimi i këtij procesi thellon edhe më tej konkurrencën mes dhomave, të cilat për të ruajtur numrin e anëtarëve duhet të jenë më të kujdesshme dhe aktive në shërbimet që ofrojnë."Kjo dispozitë e ligjit është kundërshtuar vazhdimisht nga një pjesë e madhe e komunitetit të biznesit, pasi i detyron ata të krijojnë një bashkim jo vullnetar, duke paguar çdo vit kuotat e anëtarësisë që sipas madhësisë së biznesit aktualisht variojnë nga 25 mijë lekë deri në 100 mijë lek në vit, pra një kosto fikse vjetore jo e vogël për biznesin", thuhet në relacionin shoqërues të Këshillit të Ministrave. Gjatë gjithë këtyre viteve që ka qenë në fuqi ky ligj, bizneset në të gjithë vendin janë ndjerë të diskriminuar, pasi ata detyroheshin që të anëtarësoheshin me detyrim në Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë. Ndërsa pas shfuqizimit të ligjit, të gjithë bizneset e mëdha kanë të drejtë që nëse dëshirojnë të anëtarësohen dhe organizohen sipas vullnetit të lirë në grupime që mbrojnë të drejtat e tyre.