Gërdeci, parlamenti miraton fondet
Kuvendi miratoi gjatë ditës së djeshme aktin normativ "Për një ndryshim në ligjin "Për buxhetin e shtetit të vitit 2008", në kuadër të masave të qeverisë në mbështetjeve të të dëmtuarve nga shpërthimi në Gërdec të bashkisë së Vorës. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, u shpreh se "projekt-akti normativ për rishikimin e buxhetit të shtetit për vitin 2008, është përgatitur në kuadër të masave urgjente të qeverisë për t'i ardhur në ndihmë popullatës së zonave të prekura nga shpërthimi i ndodhur mesin e muajit të kaluar". Sipas Spahos, vlera totale për ndërtimin, riparimin e shtëpive dhe zëvendësimin e pajisjeve të dëmtuara, arrin në rreth 1.57 miliardë lekë. "Rreth 622 milionë lekë do të zbriten nga fondi i kontigjencës i viti 2008 prej 4 miliardë lekësh, 800 milionë lekë do të zbriten nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave prej 1.8 miliardë lekësh dhe rreth 150 milion lekë janë donacione", tha ai. Nga ana e tij, deputeti i PS-së, Erion Braçe, cilësoi se përdorimi i fondit të kontigjencës nga Këshilli i Ministrave do të ndikojë në zbehjen erolit të kontrollit parlamentar mbi transparencën dhe efektivitetin e tij. Ministri i Financave, Rodvan Bode, gjatë prezantimit të këtyre ndryshimeve pak ditë më parë në Komisionin e Ekonomisë, u shpreh se "riparimi i shtëpive të atyre familjeve që e konsiderojnë shumën e akorduar si të pamjaftueshme, do të bëhet përmes strukturave qeveritare. Ndërsa ato familje që e konsiderojnë shumën të mjaftueshme do t'i kryejnë vetë riparimet". Sipas kreut të financave shqiptare, elementi i dytë që qeveria merr përsipër, është pajisja e shtëpive të dëmtuara dhe për këtë është vendosur një tarifë për frymë, e cila çon në një trajtim të barabartë."Për shtëpitë e dëmtuara pjesërisht, vlerësimi është bërë objekt për objekt. Vlerësimi dhe kompensimi është bërë me çmimet e sotme të tregut dhe janë dhënë paratë për të zëvendësuar dhe pajisjet e dëmtuara", tha Bode.