E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimet e ushqimeve, rrezik protestash të dhunshme

 

BB: çmimet e ushqimeve do të vijojnë të rriten. FAO: mund të ketë kryengritje në të gjitha vendet e varfra

 

Sipas parametrave të Bankës Botërore, gjatë vitit të kaluar, së paku 60 mijë shqiptarë kanë rënë nën nivelin e varfërisë për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve

Në përgjithësi, Shqipëria duket se është prekur më pak se shumë vende të botës nga rritja e çmimeve të ushqimeve, kryesisht për shkak të afrimësisë me botën e zhvilluar dhe faktit që është popullatë e vogël

 

"Rritja e çmimeve të ushqimeve në rang botëror rrezikon arritjet e viteve të fundit në luftën kundër varfërisë dhe kequshqyerjes", njoftoi dje Banka Botërore. Në Tiranë, dy ekonomistë të nivelit të lartë, prezantuan para gazetarëve disa tregues të nivelit të varfërisë, si dhe bënë të ditur se rritja e çmimeve do të vijojë në terma afatmesme. Senjor ekonomisti Andrew L. Dabalen deklaroi në Tiranë se asnjë vend, përfshirë edhe Shqipërinë, nuk mund t'i shpëtojë rritjes së çmimeve. "Vendi juaj importon pjesën më të madhe të drithit, e për pasojë, nuk mund të shpëtojë nga rritja e çmimeve", tha Dabalen.

Në Uashington, një deklaratë e presidentit të Bankës Botërore, z. Robert B. Zoellick, deklaroi se ky institucion "nuk do të ofrojë ndihmë të menjëhershme për vendet e rrezikuara, por do të ndihmojë këto vende të identifikojnë veprime dhe aksione që do të mund të zvogëlojnë pasojat negative te shtresat më në nevojë".

Vitin e kaluar, çmimet e ushqimeve u rritën deri me 14% në vendet e Evropës lindore dhe tendenca e vërejtur qe që në vendet më të varfra, rritja e çmimeve qe më e ulët. Në Shqipëri, çmimet e ushqimeve u rritën gjatë vitit të kaluar me 5.4% sipas shifrave zyrtare të INSTAT, ndërsa në mars të këtij viti, rritja e çmimeve arriti në 7.7%.

Gjatë vitit të kaluar, Shqipëria importoi 79 milionë euro drithë dhe 12.5 milionë euro miell të gatshëm. U importuan gjithashtu edhe 21.7 milionë euro sheqer, 290 milionë euro ushqime të gatshme dhe 46 milionë euro vaj e yndyrë. Të gjitha këto importe qenë më të shtrenjta dhe janë përgjithësisht mallra që nuk mund të zëvendësohen as nuk mund të jetohet pa to.

Sipas ekspertëve të Bankës Botërore, një numër i madh njerëzish, të cilët jetojnë me të ardhura mujore pranë nivelit të minimumit jetik, rrezikojnë të bien nën pragun e varfërisë si pasojë e rritjes së çmimeve. Në Shqipëri rreth 50% e konsumit familjar përbëhet nga ushqimet e përditshme. BB thotë se rritja e çmimeve të ushqimeve me 5% mund të zhysë nën pragun e varfërisë 2-3% të popullatës. Ky është një vlerësim për vendet e Evropës Lindore. Nëse i njëjti korrelacion zbatohet në Shqipëri, gjatë vitit të kaluar, 60 deri në 120 mijë shqiptarë mund të kenë rënë nën nivelin e varfërisë për këtë shkak.

Organizata Botërore e Ushqimit, FAO, njoftoi se protesta të dhunshme mund të shpërthejnë në të gjitha vendet ku ushqimet përbëjnë 50%-60% të të ardhurave mesatare të popullatës. Shqipëria renditet fare pranë këtij kriteri.

Minimumi jetik në Shqipëri është përcaktuar në masën 50 dollarë amerikanë në muaj për individ, ndërkohë që konsumi mesatar vlerësohet në rreth 100 dollarë në ditë.

Sipas Bankës Botërore, çmimi i grurit në tregun ndërkombëtar u rrit me 181% gjatë 36 muajve të fundit deri më shkurt, ndërsa çmimet e ushqimeve vlerësohet se janë rritur me 83%. Çmimet e drithit pritet të vijojnë të rriten ose të qëndrojnë në nivele të larta për këtë vit, si dhe për vitin 2009. Parashikimi afatgjatë thotë se rreth vitit 2010 do të ketë një rënie të lehtë, por nuk do të kthehen në nivelet e mëparshme.

Banka Botërore thotë se në shumë vende të botës, niveli i varfërisë mund të rritet dhe se kriza e ushqimeve mund t'i kthejë këto vende në nivelin e vitit 1998, ose edhe më herët.

Çfarë mund të bëhet

Qeveritë e vendeve të varfra, ku bën pjesë edhe Shqipëria, janë përballur vazhdimisht me këmbënguljen e Fondit Monetar Ndërkombëtar për të pasur stabilitet çmimesh dhe inflacion të ulët, megjithëse shumë ekspertë të mirënjohur ndërkombëtarë nuk kanë besuar se kjo gjë mund të sillte përfitime. Në shumë vende, përfshirë edhe Shqipërinë, inflacioni i ulët u ruajt si objektiv duke përdorur mjete monetare, gjë që nënkupton ofertë të ulët monetare, si dhe forcim të monedhës vendëse përballë monedhave ndërkombëtare. Kjo metodë ka garantuar çmime të ulëta në shumë vende gjatë dhjetë viteve të fundit. Në Shqipëri, stabiliteti financiar u arrit në vitin 1999 dhe që nga ajo kohë, u ruajt përmes emisionit të ulët monetar dhe forcimit të lekut kundrejt dollarit dhe euros. Por kjo metodë, sido që shumë efikase në ruajtjen e inflacionit, zvogëlon rolin e shtetit në ekonomi, e për pasojë, në rast krize nga krahu i ofertës, si kjo e sotmja, qeveritë nuk kanë shumë hapësirë për të lëvizur. Por kur një vend nuk emeton para me qëllim që të forcojë monedhën e vet në vend që ta dobësojë atë, ka më pak para për të injektuar në ekonomi, ndërsa importet e vendit shtohen për shkak se bëhen më të lira.

Disa vende kanë rritur pagat dhe kanë ulur taksat, por këto dy mekanizma duket se nuk mund të përdoren në Shqipëri.

Në përgjithësi, Shqipëria duket se është prekur më pak se shumë vende të botës nga rritja e çmimeve të ushqimeve, kryesisht për shkak afrimësisë me botën e zhvilluar dhe faktit që është popullatë e vogël.

Çmimet, protesta të dhunshme në të gjithë botën

OKB i trembet përhapjes së kryengritjes nga vendi në vend si pasojë e lajmeve televizive

Demonstruesit tentuan të sulmojnë pallatin presidencial në kryeqytetin e Haitit, Port-au-Prince, dje në shenjë proteste për mungesën e ushqimeve dhe çmimet e larta. Kjo qe një nga shumë protestat, shpesh të dhunshme të vërejtura në të katër anët e botës, raporton agjencia Reuters. Në Haiti, trupat paqeruajtëse të OKB-së përdorën gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë protestuesit. Në Manila të Filipineve, ushtria e armatosur me armë automatike M-16 mbikëqyr shitjet e orizit që kryhet me çmime të subvencionuara për të varfrit. Në Egjipt, Indonezi, Bregun e Fildishtë, Mauritani, Mozambik, Senegal, Burkina Faso dhe Kamerun janë shënuar protesta gjatë javëve të fundit kundër çmimeve të rritura të energjisë dhe ushqimeve. Dhe më e keqja duket se nuk ka ardhur ende. OKB-ja njofton se aktualisht ka vetëm 12 javë rezerva drithi për të gjithë botën, ndërsa oferta e grurit është në nivelin më të ulët që nga vitet '80. Drejtori i FAO-s, Jacques Diouf deklaroi: "Ka një rrezik real kryengritjesh në të gjitha vendet ku 50-60% e të ardhurave shkojnë për ushqime. OKB-ja thotë se i druhet përhapjes së përleshjeve në të gjithë botën si pasojë e të uriturve, si dhe të mbulimit televiziv botëror. FAO raporton gjithashtu se edhe çmimet e bulmetrave janë rritur me 80% gjatë vitit të kaluar në tregun botëror.

Në Marok, 34 vetë u arrestuan ndërsa protestonin në mënyrë të dhunshme për rritjen e çmimeve. Në Indonezi, 10 mijë vetë dolën në rrugë për shkak se çmimi i sojës u rrit me 125% gjatë vitit të kaluar. Në Kamerun, 24 vetë vdiqën, ndërsa 1600 të tjerë u arrestuan gjatë protestave të dhunshme në janar. Qeveria urdhëroi ulje të menjëhershme taksash dhe rritje pagash. Në Egjipt, një valë protestash la pas katër të vdekur këtë muaj. Në Pakistan mijëra trupa ushtarake filluan të mbrojnë magazinat e orizit. Që nga janari, në këtë vend është vendosur talloni për orizin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›