Islami: Mllefi ka errësuar arsyen e të vegjëlve
PS ka shprehur dje keqardhje që disa forca politike për një karrige, tentojnë të minojnë fitoren e së majtës
Partia Socialiste është e vendosur që t'i shkojë deri në fund reformës zgjedhore. Sekretari për çështjet zgjedhore në PS, njëkohësisht bashkëkryetar i komisionit të posaçëm për këtë reformë, Kastriot Islami ka shprehur dje edhe një herë se kundërshtimi i aleatëve të vegjël, nuk do të pengojë PS-në për të drejtuar këtë proces reformues të shtetit shqiptar. "PS është e angazhuar për reformimin e modernizimin e sistemit politik e të shtetit shqiptar, nga ku reforma zgjedhore përbën një prej shtyllave të saj themelore për realizimin e demokracisë parlamentare të standardeve të BE dhe NATO-s. Kjo reformë shumëplanëshe e shtetit dhe sistemit politik përbën misionin tonë afatgjatë dhe objektivin prioritar, larg politikës së ditës dhe llogarive partiake afatshkurtra", u shpreh Islami. Duke u ndalur tek sistemi zgjedhor, i cili është përzgjedhur për t'u aplikuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, sekretari socialist ka bërë të qartë se modeli proporcional-rajonal garanton të gjithë hapësirat dhe mundësitë që çdo votues të shprehet për një program, për një ekip dhe për një lider, dhe jo për një kandidat që ka më shumë lekë. "Ky sistem përbën edhe një mekanizëm të fuqishëm kundër korrupsionit e trafikut politik. Nisma dhe angazhimi ynë nuk janë për interesat politikanëve, por për interesat e njerëzve të thjeshtë", tha Islami. Ai nuk ka lënë pa komentuar edhe qëndrimin kundërshtues të partive të vogla, të cilat sipas tij nuk arrijnë të ngrihen mbi interesat e tyre të ngushta për të mbështetur një proces që do të garantonte përfaqësim real të forcave politike në parlament. Ato sipas tij me qëndrimi e tyre po mbajnë peng fitoren e së majtës në 2009. "Duhet të pohoj me keqardhje se me sa duket mllefi ka errësuar arsyen e disa partive që sot janë në Kuvend falë aleancës me PSSH dhe që fatkeqësisht për një karrige të paarritshme nesër tentojnë të minojnë fitoren e së majtës. Ne, me këtë rast, me qetësi e arsye të shëndoshë, pohojmë se mllefi kundër PSSH e kundër reformave nuk është argument, nuk është program, nuk është alternativë dhe mendojmë se me mllef nuk mund të ndërtohet e ardhmja, bile nuk ndërtohet asgjë dhe nuk shkohet asgjëkund", u shpreh Islami.