"Më rrahën grekët"

Ngjarja
Incidenti jo i zakontë ndodhi pak para mesditës së djeshme, rreth orës 11.30. Pikërisht rreth kësaj ore u njoftua edhe salla operative e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë nga shërbimet e Gardës së Republikës, të cilat bënë të ditur se në ambientet e jashtme të Presidencës është tentuar hyrja me forcë me anë të një automjeti i një personi, i cili dëmtoi portën e hyrjes nr. 2 të Presidencës. Menjëherë shërbimet e policisë së kryeqytetit dhe shërbimet e Gardës së Republikës morën masat për ruajtjen dhe sigurimin e rrethimit të jashtëm të Presidencës dhe falë ndërhyrjes së shërbimeve të Gardës së Republikës u mundësua ndalimi i menjëhershëm i Mevlan Fezajt, 50 vjeç, me banim në Patos të qytetit të Fierit, i cili duke drejtuar automjetin e tij tip “Benz 200” me targa FR 5462 C, ka hyrë pas dëmtimit të portës nr. 2 deri në ambientet e jashtme të oborrit të Presidencës.
Pas shoqërimit të Fezajt në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në Tiranë dhe pas marrjes në pyetje nga grupi hetimor i formuar, u konstatua se i ndaluari shfaqte probleme psikike. Ndërkohë, dje janë shoqëruar dhe janë marrë në pyetje familjarët e afërt të Mevlan Fezajt, të cilët deklaruan se ishin në Tiranë për të mjekuar njeriun e tyre.
Në Patos
Pas ngjarjes së Tiranës, ku 50-vjeçari Mevlan Fezaj tentoi të hynte në ambientet e Presidencës me automjetin e tij tip “Benz”, menjëherë pasi është vënë në dijeni policia e Fierit, ka dërguar për në banesën e tij në Patos forcat policore të zyrës së Antiterrorit të kryesuar nga Adriatik Mehmeti.
Sipas banorëve të lagjes, por edhe komshinjve të tij, mësohet se forca policore dhe civile të policisë kanë shoqëruar për të marrë në pyetje bashkëshorten e tij, Artën, ndërkohë që kanë ushtruar edhe kontroll banese. Nga kontrolli policor i banesës nuk është gjetur asgjë e kundraligjshme. Burimet policore nuk pohojnë asgjë në lidhje se çfarë ka pohuar bashkëshortja e Mevlanit në Polici.
Banesa e Mevlanit ndodhet në “Lagjen e re” në Patos, fare pranë kopshtit numër 3 të këtij qyteti. Ndërkohë, sipas deklarimeve të gruas së Mevlanit, mësohet se bashkëshorti i saj kishte shkuar me xhaxhanë e tij për t’u vizituar në Tiranë. Ai ishte nisur që në orën 6:00 të mëngjesit të së dielës. Gruaja e “atentatorit” të derës së Presidencës u mbajt për dy orë në Komisariatin e Fierit, ku pohoi se kishte 4 ditë që Mevlani kishte shfaqur probleme. Sipas saj, ai edhe më përpara ka pasur shqetësime, por nuk ishin serioze. Mësohet se Fezaj nuk kurohej për ndonjë problem mendor. Prej 4 ditësh ai rrinte i mërzitur dhe i dhembte koka, gjë që ia kishte shprehur së shoqes dhe të afërmve.