E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot hapet thesi

TIRANË - Që prej mëngjesit të sotëm do të fillojë shpërndarja e fondit për rindërtimin e shtëpive të shkatërruara dhe të dëmtuara pjesërisht si pasojë e shpërthimit në Gërdec. Lajmi u bë dje i ditur nga burime zyrtare të zyrës së shtypit të Ministrisë së Brendshme. Këto burime bënë të ditur dje nëpërmjet një njoftimi për shtyp, se ditën e sotme, më datë 31 mars, fillon shpërndarja e fondit për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara në datën 15 mars. Shpërndarja do të kryhet në agjencitë e katër bankave kryesore që ndodhen në Vorë. Deri më tani, mbi 95 për qind e banorëve nuk kanë pasur objeksione për fondin e vënë në dispozicion. Ndërkohë, të gjitha ankesat e paraqitura do të shqyrtohen me korrektësi dhe në mënyrë individuale. Në rastet kur do të ketë pakënaqësi për vlerën e dëmshpërblimit për banesat, Nishani dje premtoi se të gjithë rastet e ankesave do të shqyrtohen dhe do të ketë një rivlerësim të dytë. Gjatë vizitës së tij të djeshme në komunën e Vorës, kreu i Ministrisë së Brendshme tha se qeveria është gati t’ia besojë një kompanie private rivlerësimin e dëmeve nëse sërish banorët do të jenë të pakënaqur. “Janë rreth 4 mijë objekte që janë vlerësuar dhe 95 për qind të banorëve dhe familjarëve të këtyre banesave nuk kanë paraqitur ankesa. Aktualisht janë rreth 150 ankesa, gjë e cila është normale dhe e kuptueshme që një numër i tillë mund të ketë pretendime”, ka deklaruar Nishani. Ky i fundit shpjegoi se për të zgjidhur këtë problem do të caktohet një ekip ekspertësh, të cilët së bashku me kryefamiljarin që ka pretendime për vlerësimin e demit, do të shkojnë në objektin e dëmtuar dhe do të bëjnë edhe një herë rivlerësimin. “Në rast se i dëmtuari ka përsëri pretendime për këtë rivlerësim, atëherë qeveria do të kontaktojë vetë kompanitë private për të bërë riparimet e të gjitha dëmeve të shkaktuara”, përfundoi dje ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, sqarimin e tij në lidhje me mënyrën e dëmshpërblimit dhe të rivlerësimeve të mundshme që do të mund të kenë banesat e shkatërruara ose të dëmtuara nga shpërthimet e predhave në mesditën e 15 marsit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›