KSHH: Qendrat shëndetësore në Bathore dhe Babrru, në kushte të mjerueshme
Shërbimi shëndetësor në zonën e Bathores dhe Babrrusë është në kushte të mjerueshme, u raportua nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH). Në kuadër të misionit të tij për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut, KSHH monitoroi shërbimin shëndetësor në zonën e Bathores dhe të Babrrusë. Vëzhgimet konstatuan se infrastruktura e qendrave shëndetësore në disa zona ishte në gjendje të mjerueshme, sidomos në zonën shëndetësore të Bathores në të cilën nuk ekzistonin as mjetet më minimale si: krevate për vizita, tavolinë pune, kartotekë, çarçafë, etj.
Gjatë periudhës së vëzhgimit në qendrat shëndetësore kishte mungesa të theksuara të energjisë elektrike që vazhdonte nga disa orë në ditë ose dhe gjithë ditën. Qendra shëndetësore në zonën e Kafes së Rremës prej 5 vjet ishte pa drita. Mungesa e energjisë elektrike ndikon në ruajtjen në ambiente frigoferike të vaksinave dhe vështirëson kryerjen e vizitave mjekësore për të sëmurët, sidomos fëmijëve dhe grave shtatzëna. Sipas KSHH-së, mjekët në qendra shëndetësore në Bathore nuk ishin veshur me uniformën e tyre. Në disa prej qendrave shëndetësore mungonte furnizimi me ujë ose në ato qendra që kishte ujë, ai nuk ishte i pijshëm. Në qendrat shëndetësore në Bathore ka mungesa në pajisjen me kartoteka për sistemimin e kartelave të banorëve. Në të dy zonat ka gjithashtu mungesa dhe në pajisjen me ambulancë, linjë telefonike, karrige në korridore për pacientët, krevatë të rregullt, çarçafë, ose dhe pajisje të tjera të nevojshme për zhvillimin e vizitave të grave dhe të fëmijëve. Shërbimi shëndetësor në zonën e Bathores dhe të Babrrusë ishte i kufizuar në kohë. Aty punohet pak dhe nuk ofrohet shërbim shëndetësor mbasdite. Nuk respektohet orari zyrtarë madje ka pika që rrinë gjithmonë mbyllur dhe mjekët punojnë në klinika private, kur qytetarët janë detyruar të paguajnë për të marrë shërbimin shëndetësor. Mjekët janë të dypunësuar, nuk ka një laborator shtetëror për kryerjen e analizave më të thjeshta. Pavarësisht gjendjes së vështirë ekonomike, banorët ishin të detyruar që analiza të thjeshta ti bënin me para në klinikat private të hapura në këto zona. Një problem i konstatuar gjatë monitorimeve është se gratë shtatzëna nuk përfitojnë falas mjekimin profilaktik. Sa më sipër, KSHH i ka rekomanduar institucioneve shtetërore që vitaminizimi dhe shtesat ushqimore të grave shtatzëna të bëhen falas dhe të futen në listën e ilaçeve me rimbursim. Gjithashtu, një pjesë e grave shtatzëna në këto zona nuk ishin të pajisura me libreza shëndetësore, gjë e cila ndikon në moskryerjen e vizitave për gjendjen e tyre mjekësore dhe në moszbulimin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.
Email This Klikime: 1
Email This Klikime: 1