"Njerëzore të gabosh, por duhen gjetur forca për ta pranuar gabimin"
Përshëndetje "Shekulli" nga Vushtria! Në spektaklin muzikor "Ethet", nuk është për t'u çuditur, (natyra a transmetimeve të drejtpërdrejta sjell situata të tilla) të bëhen dhe gabime. E kam fjalën për garuesen Dorina Xërxa, e cila u vlerësua lart nga tre anëtarë të jurisë, por anëtari i katërt z.Saraçi tha se "ka disonuar pothuaj gjatë gjithë këngës...!". Për mua e kishte gabim. Edhe moderatori me nam z.Krasta, i cili vajzës së thyer i sugjeroi t'ia shtrëngojë dorën "maestros" tekanjoz, veproi gabim. Vasha e edukuar mirë përballoi gabimin e të dyve dhe ia shtrëngoi dorën z.Saraçi. Raste si ky u ndodhin njerëzve në punë, përkatësisht në angazhimet e tyre. Gabimet janë pjesë e punës, angazhimeve, jetës... Gabojnë edhe ekspertët më të mirë. Të gabosh është njerëzore, por ta pranosh publikisht gabimin e për më tepër të kërkosh falje, është provë e vlerës njerëzore!