"Ora e Debatit", diskutohet beteja e luftës ndaj korrupsionit nga qeveria

Në emisionin e fundit për vitin 2008-të "Ora e Debatit", drejtuar nga gazetari Alfred Peza u diskutua ajo që mund të konsiderohet kryetema e këtij viti, sa është mbajtur nga qeveria aktuale premtimi për luftën ndaj korrupsionit. Të ftuar në studio për të diskutuar këtë temë ishin Zëvendës kryeministri Genc Pollo, analistët Lutfi Dervishi, Andrea Stefani dhe Blendi Kajsiu ndërsa në linjë direkte ishte specialistja e TIA-s, Valbona Dedja. Lufta ndaj korrupsionit, e cila ishte edhe flamuri me të cilën erdhi në pushtet qeveria aktuale është realizuar, por mbetet ende shumë për tu bërë. Në mbështetje të kësaj ideje analistët e ftuar në studion e emisioni "Ora e Debatit" sollën raportet e Tranparency International dhe IDRA-s, për luftën ndaj korrupsionit dhe perceptimit të tij nga ana e qytetarëve. Zëvendës Kryeministri Genc Pollo, i cili drejton edhe komisionin qeveritar që ka hartuar strategjinë antikorrupsion u shpreh se qeveria aktuale e ka fituar luftën ndaj korrupsionit. Sipas tij, në sajë të luftës ndaj korrupsionit që është realizuar nga qeveria aktuale është bërë e mundur që paratë që derdh qytetari në buxhetin e shtetit të menaxhohen më mirë, të ardhurat e taksave dhe tatimeve shkojnë vërtetë në buxhet, jo në dorën e taksidarëve dhe policia rrugore nuk është më gjobitëse abuzive. 'Krahasimi i Shqipërisë së sotme me atë të 3 viteve më parë tregon se kemi ecur shumë përpara", nënvizoi Pollo. Zëvendës kryeministri theksoi se "Është gënjeshtër të thuhet se klanet mafioze të korrupsionit kanë kapur qeverinë". Sa i përket luftës që mund ti bëjë sistemi i drejtësisë korrupsionit, Genc Pollo u shpreh "Nuk është investimi në para ai që zgjidh problemin e efiçencës së drejtësisë, por miratimi i një ligji që ti shërbejë realisht drejtësisë në luftën kundër krimit". Sipas Pollos "Ajo që dallon politikanët në raport me korrupsionin është distancimi i tij, andaj ministri përgjegjës me apo pa faj personal në një aferë korruptive të largohet nga detyra". Analisti Andrea Stefani e cilësoi si të dështuar luftën ndaj korrupsionit nga qeveria aktuale. I bazuar në një studim të IDRA-s për korrupsionin ai theksoi se sot formulohen kritikat më të forta për qeverinë për dështim të luftës ndaj korrupsionit. "Kjo qeverisje nuk e mbajti premtimin, as për të krijuar një perceptim tek qytetarët se ka përmirësim të situatës. Kjo qeverisje erdhi në pushtet pasi kishte formuluar akuza të rënda qeverisë paraardhëse, por në fakt kjo qeveri i dha goditje shumë të ulët korrupsionit", tha Stefani. Sipas analistit qeveria nuk ka treguar vullnet për të goditur korrupsionin socialist. Blendi Kajsiu u shpreh se korrupsioni është çështje perceptimi. "Kur flasim për korrupsion flasim për mirëqeverisje apo jo. Është iluzion të mendosh se po u mbushën burgjet shpëtojmë nga korrupsioni, sepse kjo do reflektojë se sa e dështuar është lufta ndaj korrupsionit", nënvizoi analisti. Sipas Kajsiu-t "Suksesi në luftën ndaj korrupsionit do ishte nëse do të tranformohej sistemi politik. Finacimi i partive gjatë zgjedhjeve dhe Gërdeci janë çështje me afera të pastra korrupsioni", përfundoi ai. Analisti Lutfi Dervishi u shpreh se "Një nga gabimet si të maxhorancës së kaluar dhe asaj që drejton sot vendin, është se e kanë mbajtur thjesht si flamur luftën ndaj korrupsionit, dhe nuk janë përpjekur që të ketë gjithëpërfshirje në luftën ndaj këtij fenomeni. Besoj se mazhoranca e këtij viti do të mbahet mend për rrugën Durrës-Kukës". Specialistja e ITA-s, Valbona Dedja nënvizoi se "Nuk ka luftë të suksesshme kundër korrupsionit kur fondi për sistemin e drejtësisë është vetëm 4%" i buxhetit. Në sondazhin e kryer nga "Ora e Debatit", pyetjes nëse është e majta apo e djathta më e korruptuar, 53.4 e votuesve kanë votuar për të majtën dhe 46.6 kanë votuar se është e djathta më e korruptuar.