Berisha: Ndërtues, të zhytur në pastrimin e parave

Kryeministri hedh kritika të shumta dhe ndaj policisë
Tiranë, 26 dhjetor 13:52 NOA – Kryeministri Sali Berisha hodhi sot kritika të shumta ndaj policisë duke i tërhequr asaj vëmendjen që të jetë më efektive në punën e saj sidomos në dukurinë e pastrimit të parave ku fshikulloi ndërtues dhe vigjilencën ndaj shkeljeve të prokurorëve.
Fillimisht kryeministri është ndalur në dukurinë e pastrimit të parave, ku u ndal sidomos në aspektin e ndërtimeve që i cilësoi si të çuditshme.
“Është i domosdoshëm forcimi i task-force përkatëse. Në qoftë se një krim ekonomik i denoncuar pranë Policisë së Shtetit, nuk zbatohet nga ju, atëherë pastrues parash jeni ju”, - ishte paralajmërimi i ashpër i Berishës.
“Nëse ky krim, - vijoi kryeministri, - nuk është hetuar nga prokuroria pasi është denoncuar atëherë është prokuroria ajo që realizon në të vërtetë pastrimin e parave”.
Pikërisht këtu, Berisha shtroi “pyetjen” se “ku gjenden paratë për investimet e mëdha”, duke iu referuar ndërtimeve që lulëzojnë në vendin tonë, sidomos në kryeqytet dhe disa qytetet të tjera të mëdha.
Në këtë kuadër, Berisha ka folur dhe për piramidat që tronditën dhe gjunjëzuan shtetin në vitin 1997 kur ai ishte President.
“Ajo që ndodhi me piramidat në vendin tonë, nuk erdhi për shkak të lejes së veprimit të tyre, nuk erdhi se kishte korrupsion, por indiferencë të shtetit dhe kjo gjë po ndodh edhe në krizën botërore si në SHBA”, - deklaroi Berisha, duke këmbëngulur se duhet pasur shumë kujdes me indiferencën.
Edhe në këtë argument, kryeministri i referohej pastrimit të parave, duke i vënë theksin ndërtimeve në vend që theksoi se janë afera të mundshme të pastrimit të parave të krimit.
Policia dhe prokuroria
Në fjalën e tij para efektivave të Policisë së Shtetit dhe të ftuarve të shumtë, Berisha nuk i kurse kritikat për policinë dhe prokurorinë.
Kryeministri iu referua sidomos faktit se në qytetin e Shkodrës ka pasur raste të tre qytetarëve të cilët janë mbajtur 70 ditë në burg pa vendim gjykate.
”Mund të jenë mbajtur me urdhër të prokurorit dhe kjo është e papranueshme, po pse u tregua i papërgjegjshëm prokurori, nuk do të thotë se duhet të tregohet indiferent polici apo drejtori i policisë që është aty”, - tha kryeministri.
Ai theksoi këtu se “48 orëshi është një standard që vende të tjera e kanë vendosur shekuj më parë, 72 orëshi është standard që e kanë patur edhe 300 vjet më parë.
Ndërsa duke mos u marrë më shumë me prokurorinë sesa me policinë, në rastin e mbajtjes së padrejtë në qeli të të paraburgosurve, Berisha tha: “Po oficerët e policisë çfarë bënë që ishin aty”, - duke shtruar pyetjen, përse ata nuk evidentuan dhe kundërshtuan faktin se prokuroria po realizonte një shkelje ligjore.
***
Kërkesa e fundit që Berisha bëri në analizën e sotme të punës së Policisë së Shtetit për vitin që po mbyllet, ishte ajo e kontrollit doganor: “Të gjithë punonjësit e doganave duhet të jenë njëkohësisht edhe inspektorë të antidrogës. Kjo është kërkesa që kam për vitin që vjen”, me qëllim që të arrihet që kontrollit për kontrabandë t’i bashkëngjitet njëkohësisht dhe vigjilenca për trafikun e drogës.
a.l/NOA