E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ora e Debatit":Profili politik i Bamir Topit

Emisioni "Ora e Debatit", drejtuar nga gazetari Alfred Peza, analizoi profilin politik të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, raportet e tij me mazhorancën, institucionet kushtetuese, opozitën dhe median. Gjatë diskutimeve mes analistëve, u theksua se Topi po konsumon të tashmen dhe të ardhmen e tij politike me këtë presidencë, pasi raportet e tij aktuale me mazhorancën mund të ndikojnë në jetën e tij politike pas presidencës. Topi kërkon të ndërtojë një model të tijin presidencial, por brenda limiteve që i lejon kushtetuta. Sfidat e presidentit sipas analistëve janë mbrojtja e sistemit të drejtësisë, mbrojtja e institucionit të presidentit mbështetja e gjyqëtarëve dhe prokurorisë në çëshje gjyqësore që janë edhe çështje politike si dhe mbrojtja e kushtetutës. Publicisti Agim Isaku, analisti Artur Zheji, botuesi i gazetës "Tema, Mero Baze dhe kryeredaktori i gazetës "Standard", Sami Neza bënë një analizë të presidentit të Repubikës, që nga marrja e detyres deri në ditët e sotme, si dhe qëndrimin e tij në lidhje më çështje të rëndësishme politike. Mero Baze e vlerësoi Bamir Topin si një person me një garë të veçuar duke theksuar se sjellja e tij i ka dhënë një profil të veçantë politik. "Ai i ka treguar vendin partisë së vet, forca e është në faktin që edhe pas sulmeve të vazhdueshme të PD-së nuk i ka rënë fuqia", tha Baze. Sipas Bazes, Topi bën kujdes që t'i shmanget pohimit se ka një përplasje me Berishën. "Shqetësimi kryesor i Berishës është e drejta kushetuese që ka presidenti përballë gjyqësorit, dhe pikërisht kjo e drejtë mund të dëmtojë Berishën", shtoi ai. Baze theksoi se Topi duhet të përqëndrojë fuqitë tek sistemi i drejtësisë, nuk duhet t'i lërë shumë hapësirë veprimit goditjes së korrupsionit nga opozita, por duhet ta bëjë vetë atë. "Më kryesorja , sfida e tij duhet të jetë që në proceset gjyqësore që janë edhe çështje politike, duhet mbështesë gjyqtarët , t'u japë atyre garanci", shtoi ai. Analisti Artur Zheji, deklaroi se Topi nuk pranon atë që impnohet nga Berisha që të jetë një president kukull. "Figura e Topit po rritet, por testi final do jenë zgjedhjet", tha ai. Sipas Zhejit presidenti ka forcën e fjalës në apelet që i bën popullit, dhe bën me zë çështje që politika kërkon t'i harrojë. Sipas analistit, Shqipëria është në një periudhë ku demokracia është në kolaps. "Mbrojtja e sistemi i drejtësisë, që është më i kërcënuari,duhet të jetë sfida e presidentit", shtoi Artur Zheji. Sami Neza, kryeredaktor i gazetës "Standard" , deklaroi se Bamir Topi president rrezikon të humbasë identitetin e Topit si deputet, pra ka një dualizëm të profilit të tij. Lidhur me miratimin e ligjit të dosjeve, sipas Nezës, Topi veproi gabim. Sipas tij ndryshimet kushtetuese kanë zgjidhur krizën për zgjedhjen e presidentit. Si sfidë të presidentit Neza vlerësoi mbrojtjen e sistemit të drejtësisë,si dhe zgjidhjen e kauzave që realisht shqetësojnë qytetarët, si për shembull, problemin e pronave. Publicisti Agim Isaku deklaroi se ndryshe nga imazhi që krijohet nga presioni i qeverisë ndaj presidentit, Topi ka një sërë instrumentash që i japin atij fuqi, dhe ia ka ditur t'i përdorë ato. "Presidenti duhet të jetë një zë i rëndësishmë për popullin, dhe ai ka të drejtën e mesazheve në parlament",theksoi ai. Sipas Isakut sfida e presidentit është ndërtimi i intitucioneve të presidencës, përsosja e e këtij intitucioni dhe mbrojtja e kushtetutës. Në sondazhin se cilin nga presidentët e pas viteve '90 preferojnë shqiptarët, 35.2 % votuan për Sali Berishën, 12.7 % për Alfred Moisiun dhe 52,1% për Bamir Topin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›