E Shtunë, 31 Tetor 2026

"PBDNJ, bumerangu i Partisë Socialiste"

Nga Besart DOVOLANI
Vendimi "in extremis" i Vangjel Dules për tu bërë pjesë e koalicionit të z. Edi Rama, bëri shumë jehonë padyshim në media dhe në publikun e gjerë, që shpesh di të hiperbolizojë gjërat dhe për ndodhi shumë banale dhe të parëndësishme. Jehonë më të madhe dhe trajtimin e kësaj çështjeje si një superlajm padyshim që e shtjelluan opinionistët e pavaruar (nga Qeveria) dhe të (pa)anshëm, të cilët këtë lëvizje prej 180 shkallës e pritën me një gëzim aq të madh sa që në sytë e tyre vërehej lehtas disponimi i përmirësuar pas shumë indicieve që tregojnë humbjen e kësaj opozite pa filozofi në zgjedhjet e 28 Qershorit 2009. Unë e kuptoj që edhe gazetari paguhet për atë që shkruan, dhe biles sot në Shqipëri të shkruash për opozitën ka përfitime më të larta, pasi është ajo që përdor paratë e pista për fushata dhe censura mediash, në kundërshtim me logjikën e zakontë ku është Qeveria, ajo që kontrollon më shumë se gjithkush si median ashtu dhe instancat tjera shtetërore apo private...
Të mendosh që koalicioni me PBDNJ të merr 3 deputetë dhe i jep tjetrit po 3 deputetë është një fanta-politike, pasi kostot që do marrë PS-ja nga pakënaqësia e elektoratit të ndershëm socialist në këto zgjedhje do jenë shumë të larta dhe humbjet do jenë të pariparueshme. Duhet të nisim gjithmonë analizën se çka e shtyu z. Dule në këtë vendim jo shumë racional dhe pa bashkërendimin me gjithë strukturat e partisë së tij apo dhe shoqatës ultra-nacionaliste "OMONIA". Politika nuk është vetëm arti i numrave, sepse me atë merret algjebra, politika është arti i ballafaqimit të ideve dhe realizimit të tyre. Nëse do ishte e vërtetë ajo që tha lideri i partisë së pakicave (lexo: grekëve) se z. Kryeministër na dashka të përçaje PBDNJ atëherë sëpari nuk kishte nevojë të bashkëqeverisë me PD dhe të ndihmojë zgjedhjen e Presidentit, reformat e votuara nga Qeveria Berisha dhe që eksponentë të saj si ish-ministri Solis të lançojnë deklarata-bombë kur tha se po të vinte opozita në rrugën e Kombit që ta shihte gjithë atë punë gjigande, do bindet që i do rikthyer imuniteti z. Basha. Së dyti, PBDNJ ashtu sikur ka përsëritur në dhjetëra raste që është parti centriste dhe që gjithmonë tenton të bëjë koalicione qeveritare me atë që do fitojë zgjedhjet, ajo fare mirë mund të rrinte jashtë koalicioneve paraelektorale. Por këtu, nga fakti se si po ecin disa ngjarje me rëndësi kapitale për Kombin tonë, ia vlen që disa gjëra në veten tonë ti shohim dhe analizojmë pak më ndryshe. Në një kohë kur nga njëra anë Shqipëria është anëtare me të drejta të plota në Aleancën e Veri-Atlantikut, një kandidate serioze për anëtarësim të plotë në Familjen Europiane, lëvizja e lirë dhe ekonomia gjithmonë në rritje si dhe tendenca e zhvillimit të shqiptarëve me hapa mëse të kënaqshme, dhe nga ana tjetër Pavarësia e Kosovës dhe destabiliteti i vazhdueshëm politik, social dhe etnik në Maqedoni, për ultranacionalistët grekë, PD-ja dhe Berisha në pushtet përbën "Gogolin" e tyre dhe rrezikun e rihapjes se çështjes së kufijve në Ballkan, aspiratë kjo e kahmotshme si tek shumica e shqiptarëve jashtë kufirit shtetëror, por dhe tek shumica dërmuese e elektoratit të djathtë për arsye historike kryesisht si dhe jo pak mbështetje nga shqiptarë me bindje të majta që nuk identifikohen me Edi Ramën dhe shokë. Pakti i fundit i Kryeministrit me partinë e komunitetit çam, PDI, padyshim që ishte një nga shtysat më të mëdha që të kthejnë peshoren në anën tjetër. Dhe jo vetëm, sepse nuk i duan çamët (ata i urrejnë), por sepse e dijnë që të drejtat e çamëve në Greqi kundrejt atyre të minoriteteve në Shqipëri janë si nata me ditën. Në Greqi, çamëve dhe arvanitasve u është hequr koka, u është prerë gjuha për një fjalë shqipe, dhe u është mohuar çdo e drejtë, ndërkohë që në Shqipëri ne i bëjmë dhe ministra, kryeministra, profesorë e biznesmenë dhe prapë na djegin flamujt e na helenizojnë Jugun.
Ajo që për mendimin tim do ndikojë në një bumerang për PS-në është fakti që me "krushqinë" më të re me Vangjel Dulen është ai se në qytetet jugore përveç 30 mijë votuesve për PBDNJ në rastin më të mirë, rrezikon të humbasë shumë herë më tepër nga socialistët nacionalistë dhe sidomos nga elektorati i pavendosur, i cili me këtë lëvizje të fundit ska se si mos të jetë skeptik i madh rreth ndershmërisë së këtyre koalicioneve, që për hir të së vërtetës janë shumë të natyrshme, duke ditur edhe afilacionin që ka PS me ortodoksinë sidomos pas ardhjes së Ramës në krye të PS ku ndër "reformat" kryesore që ndërmorri në parti, ishte shndërrimi i PS në një parti ku gjithë rrethi më i ngushtë u formua ose nga sejmenë dhe jeniçerë të bashkisë, ose fondamentalistë kristianë. Të parën e bëri padyshim që të shtrijë dorën e tij prej një autoritari pas exellance, dhe lëvizjen e dytë me shpresën se do mundte të siguronte mbështetje nga diplomacia ndërkombëtare. Litarin e shpëtimit nga humbja e këtyre zgjedhjeve Edi Rama përveç tek donacionet e shoqatave dhe njerëzve të dyshimtë, atë politik e ka padyshim tek shteti fqinj, një raport ky i ndërsjellë pasi dhe vendi mik po lëshon alarmet mbi atë se çka do mund të ndodhë nesër në këtë rajon. Aleatin anti-PD dhe anti-Shqipëri Etnike grekët e kishin PS-në edhe në `94 kur bënë çmos që të rrëzojnë të djathtën dhe shkuan deri aty sa bënë `97, padyshim me asistencën e opozitës së atëhershme që njësoj si në Revolucionin Francez, gangsterët dhe të burgosurit "luftonin kundër tiranisë".  Nga historia njerëzore dimë fare mirë që historitë shpesh dhe dijnë të përsëriten, dhe kjo si duket është një "repetë" e asaj të viteve `90, por uroj që asi trazirash apo revolucionesh Portokalli mos ta kenë më fatin të ndodhin në vendin tonë.
Një "doppio standard" tjetër të Erion Velisë që elektoratit tradicional socialist që realisht është më i nëpërkëmbur dhe i keqpërdorur se kurrë më parë, është fakti që kur Erion Veline e pyetnin pse kurrë ske shkelur në Kosovën e pavarur apo sepse çështja kombëtare nuk përbën diskutimin tënd ditor, të vetmen mburojë (prej leshi), e kishte rastin e atyre djemve me flamurin në Tepelenë dhe Bollanon me shoqatën e tij "OMONIA". Kjo dëshmon qartë që "Politika e RE" që predikohet më fuqishëm se edhe mësimet hyjnore në xhami dhe kisha, nuk është tjetër veçse një mashtrim i madh që zgjedhësit me afrimin e 28 Qershorit çdo ditë e më tepër do kuptojnë të vërteten e pamohueshme që mbart më vete opsioni i Ramës, koalicioni me më pak parti, që dmth që edhe partitë me 2 furgona votues nuk i besojnë më. Mendja djallëzore e tij që përmes PBDNJ-se do arrijë të marrë pushtetin, do jetë mallkimi i tij nga ana e socialisteve patriotë dhe të moralshëm, të cilët smund të pranojnë një ish-anarkist të djathtë të uzurpojë gjithçka dhe të mos përfaqësoje askënd (të paktën jo shqiptarët). Fakti që maxhoranca nuk tregon asnjë shenjë shqetësimi dhe nervozizmi nga njëra anë dhe ekzaltimi prej fëmije i opozitës nga ana tjetër dëshmon qartë mungesën e alternativës së opozitës e jo çarjesh së pozitës, sepse fundja PBDNJ nuk është trashëgim as i Ahmet Zogut, as i Mithat Frashërit e as i ndonjë grupimi të djathtë. Ata janë mysafirët VIP të çdo qeverie ose më mirë të themi kanë qenë sepse tani e tutje to jenë opozitë, pasi konsumuan çdo të drejtë morale që Kryeministri ynë, z. Sali Berisha ti bëjë lëshim kësaj partie që ta marrë përsëri pranë koalicionit, tanimë paszgjedhor. Zakonisht kakofoninë e bën humbësi, thonë gurmanët e bixhozit, andaj dhe shqiptarët do jenë shumë të kujdesshëm në atë se si do i përqasen këtij realiteti të ri, ku nga njëra anë kemi një forcë politike me aleatët e saj që mundohet për zhvillim kombëtar dhe bashkim kombëtar (të paktën virtual) dhe një forcë tjetër që interesat e vendeve të tjera dhe fondacioneve të dyshimta mafioze i vë në kryefjalën e saj, kuptohet në atë shpirtërore, se ajo e foltoreve të çmall me ato të Xhaxhi Verit...

Last Updated on Tuesday, 19 May 2009 10:40

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›